NGA FATOS ÇOÇOLI
Shërbimet bankare të hapura, ose bankingu i hapur (në anglisht, “Open banking”) është një risi në praktikat bankare bashkëkohore. Ajo u mundëson qytetarëve të futen në të dhënat e llogarisë së tyre dhe të nisjes së pagesave nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, nëpërmjet ofruesve të shërbimit, që janë kompani të specializuara për të të treguar ty si qytetar, ku mund të marrësh një kredi me interesa më lehtësuese, ku mund të kryesh një pagesë me komisione të vogla, e kështu me radhe, palëve të treta. Më 21 nëntor 2024, Banka e Shqipërisë dha miratimin për licencimin e parë të bankingut të hapur.
Ky licencim i hap rrugën fillimit të ofrimit të këtyre shërbimeve në tregun shqiptar. Në ndryshim nga bankingu tradicional, ku vetëm klienti dhe banka kanë akses në të dhënat financiare, bankingu i hapur iu jep mundësinë klientëve t’i ndajnë këto të dhëna në mënyrë të sigurt me një ofrues tjetër shërbimi, për të shtuar përfitimet e qytetarëve-klientë nga përvojat e reja financiare. Kjo do të thotë se qytetarëtklientë mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare.
Pra, jo vetëm dhe domosdoshmërish nëpërmjet bankës, ku kanë llogarinë. Bankingu i hapur nisi në Evropë vitet e fundit, praktikisht në vitet 2018–2019, kur hyri në zbatim Direktiva Evropiane e rishikuar Për Shërbimet e Pagesave, e njohur si PSD2(https://finance.ec.europa.eu/documentdownload/87a52609-7bc0-4d7b-8567b3e84c97677b_en?filename=psd2-level-2- measures-full_en.pdf). Ky transformim themelor i shërbimeve bankare u përqafua menjëherë nga Banka e Shqipërisë. Shqipëria është vendi i parë në rajon që synoi modernizimin e sistemeve të pagesave në vend dhe përafrimin me standardet evropiane.
U përgatit ligji Nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”, ku u paraqit koncepti i ofruesit të shërbimit të nisjes së pagesës dhe ofruesit të shërbimit të informimit të llogarisë, të ashtuquajtur edhe ofrues të palëve të treta (në anglisht “Third Party Providers – TPP)), si palë të rëndësishme të shërbimeve bankare(bankingut) të hapur. Kuadri rregullator u plotësua më tej nga Banka e Shqipërisë me rregulloren 29/2022 “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”.
Kjo rregullore parashikon standardet teknike për komunikimin e hapur dhe të sigurt në bankingun e hapur, për ofrimin dhe përdorimin e shërbimit të pagesave, ndërmjet pjesëmarrësve në shërbimet e pagesave. Në këtë mënyrë, korniza ligjore dhe ajo rregullative hapën rrugën dhe krijuan terrenin për të vënë në zbatim bankingun e hapur në Shqipëri. Banka qendrore nxiti edhe bankat e nivelit të dytë, të cilat gjatë vitit të fundit përshtatën sistemet e tyre informatike dhe janë pajisur me certifikatat e kualifikuara për vulat elektronike, për të krijuar kushtet e përshtatshme për një komunikim të sigurt me ofruesit e palëve të treta.
U bashkëpunua në mënyrë intensive dhe me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe me AKSK, duke realizuar të gjitha testimet e nevojshme, për të siguruar integrimin dhe funksionimin e plotë të shërbimeve, sipas standardeve evropiane të sigurisë. Pas plotësimit të kërkesave ligjore dhe rregullative licencuese, Banka e Shqipërisë dha më 21 nëntor 2024 licencën e parë të bankingut të hapur. Ky licencim i hap rrugën fillimit të ofrimit të këtyre shërbimeve në tregun shqiptar. Në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari. Përmes bankingut të hapur, atij i jepet më shumë mundësi zgjedhjeje. Qytetari kryen kështu pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët.
Banka e Shqipërisë po nxit aplikimet e institucioneve financiare për t’u pajisur me licencën në fushën e bankingut të hapur, me qëllim krijimin e më shumë vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre dhe në veprimet financiare që bëjnë. Nisja e shërbimeve bankare të hapura është hapi i parë dhe thelbësor, për funksionimin e financave të hapura (në anglisht, “open finance”). Kjo e fundit do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për qytetarëtklientë. Përveç përfitimeve personale të qytetaritklient i bankave dhe konsumator, në një plan më të gjerë, si bankingu i hapur dhe financat e hapura sjellin dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare të mbarë qytetarëve tanë.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al