Daljet e reja në pension, qeveria bën gati amnistinë për vitet e punës në komunizëm! Përfitojnë deri 20 mijë persona çdo vit

Nov 8, 2024 | 13:21
SHPËRNDAJE

Qytetarët që mbushin moshën për pension në janar të vitit të ardhshëm nuk do të kenë më nevojë të dëshmojnë punën e kryer në periudhën e komunizmit.

pensionist-ne-administrate-768x432

Pas rregullimeve ligjore të njëpasnjëshme që nuk e kanë zgjidhur në kompleksittein e saj çështjen e pensioneve, si dhe për shkak të rrethanave që kanë çuar në humbjen a djegien e dëshmive të punës së asokohe, qeveria ka vendosur të amnistojë gjithë kohëzgjatjen e punës përpara 1991-shit. Projektligji është gati tashmë dhe prej ditësh është hedhur në konsultim publik për t’u miratuar maksimumi deri në janar të vitit të ardhshëm. Një nismë e tillë nuk është rastësi, por e mirëmenduar për t’u bërë pikërisht tani. Jo vetëm për faktin që përkon me periudhën zgjedhore, por edhe se numri i viteve të punës në ishndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativa nuk është i madh.

Më konkretisht, një person që sapo ka mbushur 65 vjeç, presupozohet të ketë 35 vite punë në periudhën e demokracisë dhe i nevojiten vetëm pak të tjera që të mbushë kushtin e viteve të punës. Po ashtu, duke marrë për bazë kohën e punësimit të atëhershëm sapo mbaronin arsimin 8-vjeçar, një personi i takon të përfitojë deri në 15 vite punë të dëshmuar me dokumentacion dhe që tanimë merret i mirëqenë apriori. Përfitues janë jo pak, por mijëra qytetarë.

Sipas statistikave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, çdo vit shtohen në skemë nga 15 deri në 20 mijë pensionistë. Nëse deri dje, një pjesë e mirë e tyre detyroheshin të shkonin në komisionin administrativ ose edhe në gjyq për njohjen e viteve të punës për të cilin nuk e vërtetonin dot me dokumentacion, tanimë nuk është e nevojshme, pasi do realizohet në më pak kohë dhe kosto zero.

PROJEKTLIGJI

Përmes projektligjit të ri “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ishkooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”, qeveria synon të lehtësojë njohjen e viteve të punës për efekt pensioni, për institucionet shtetërore, ndërmarrjet shtetërore, ato bujqësorë dhe kooperativat, për periudhën e komunizmit deri në ndryshimin e sistemit politik kur këto subjekte janë mbyllur. Grumbullimi i dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, për këto ente ka problematika të konsiderueshme, si mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, mungesë dokumentacioni për subjekte të caktuara etj.

Për shkak të problematikave të tilla dhe kompetencave të kufizuara të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni. Kjo ka detyruar shumë qytetarë t’u drejtohen gjykatave me kërkesë-padi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme. Me ndryshimet në fjalë qytetarët që kanë punuar në institucionet shtetërore, ndërmarrjet shtetërore, ato bujqësorë dhe kooperativat mund të bëjnë deklaratë për njohjen e viteve të punës me kusht që gjatë periudhës së deklaruar, kërkuesi ka qenë me vendbanim në qytetin apo fshatin ku ka ushtruar veprimtarinë subjekti punëdhënës dhe nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.

Miratimi i këtij projektligji do të mundësonte njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social. Kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshojnë sipas gjinisë dhe për vitin 2024, mosha për përfitimin e pensionit të pleqërisë për burrat është 65 vjeç, për gratë është 61 vjeç e 8 muaj, ndërsa periudha minimale e sigurimit është e njëjtë për të dyja kategoritë, 15 vite.

Sipas analizës financiare, kostoja e shtuar në vitin e parë të zbatimit, rezulton rreth 40 milionë lekë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë. Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura