Akuzat e partive të vogla, të të dyja koalicioneve, për vje-dhjen e votave nga partitë e mëdha, janë vërtetuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.Pas një kërkese të Partisë Bashkimi Demokratik Shqiptar, pjesë e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, KQZ-ja vendosi të hapë kutinë e një qendre votimi të Këshillit Bashkiak të Belshit. Kandidati i kësaj partie, i pari në listën për Këshill, pretendonte se në ekranin e monitorit ku lexoheshin votat kishte numëruar të paktën 120 vota, ndërkohë që në tabelën përfundimtare rezultonte me asnjë votë. “Unë dua të shoh votën time. Nuk kam asnjë arsye tjetër, por më thonë njerëzit që ti nuk ke votuar as për veten tënde, mirë familja jote. Edhe nëse nuk e fitoj mandatin e këshilltarit, nuk jam pishman, por dua të shoh votën time. Të paktën vota ime të lexohet”, pati deklaruar Hamit Kasa kur paraqiti kërkesën ankimore.
Hapja e kutisë
Pas hapjes së kutisë së Qendrës së Votimit Nr. 2563 të Këshillit të Bashkisë Belsh, rezultati ishte një skandal i vërtetë. Partia Socialiste, e cila, sipas tabelës së falsifikuar, rezultonte forcë e parë në këtë qendër, kishte përvetësuar jo pak, por 96 vota nga ato të partive të tjera. PS-ja kishte marrë 54 vota, ndërkohë që pas manipulimit dilte me 150 vota. Pas saj nuk ngelej as Partia Demokratike, e cila fillimisht kishte marrë 33 vota, por pas kompromisit mes numë-ruesve rezultonte me 90 vota. I fituari i madh i hapjes së kësaj kutie dilte pikërisht kandidati i Partisë Bashkimi Demokratik, Hamit Kasa. Në këtë qendër, që sipas numëruesve të PD-së, PS-së dhe LSI-së, ai nuk kish votuar as për veten e tij, në të vërtetë kishte marrë jo pak, por 128 vota. Këtyre votave, pasi iu shtuan edhe 70 vota të tjera, të cilat Kasa i kishte marrë në qendrat e tjera, e nxorën atë fitues të mandatit në Këshillin e Bashkisë Belsh. Por, PS dhe PD nuk ishin të vetmet që kishin manipuluar në kurriz të partive të vogla që nuk kanë pasur as komisionerë, as numërues, as vëzhgues. Anëtarët socialistë në grupin e numërimit duket se janë treguar bujarë edhe me dy parti të tjera aleate, Demokracinë Sociale dhe socialdemokratët. Partia e Milos kishte marrë në të vërtetë 26 vota, ndërsa në tabelën përfundimtare rezultonte me 80 vota. Kurse partia e Gjinushit, e cila kishte marrë 18 vota, në tabelën përfundimtare dilte me 48 vota, pra 30 vota më shumë. Më pak e dëmtuara ishte LSI-ja, së cilës i ishte mohuar vetëm një votë, ndërkohë që përfituese të hapjes së kutive ishin edhe Partia Republikane dhe Lëvizja e Legalitetit. Në përfundim të këtij procesi, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, propozoi kallëzim penal për katër numëruesit e kësaj qendre votimi. Armand Hysa, Alban Nipolli, Besmir Uruçi dhe Edlir Dervishi do të vihen në akuzë për falsifikimin e rezultatit.
Kutia e Rrëshenit
Një kërkesë të ngjashme ankimore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta shqyrtojë sot në orën 10:00 lidhur me Këshillin Bashkiak të Rrëshenit. Partia Demokracia Sociale i kërkoi KQZ-së që të hapë një kuti të këshillit, pasi në një qendër votimi, ku votonin tre kandidatë të kësaj partie, PDS-ja rezultonte me zero vota.
Votimi për Këshillin e Bashkisë Belsh
Rezultati i falsifikuar
Partia Demokracia Sociale 80 vota
Partia Dem. për Int. Pros. 35 vota
Partia Social Demokrate 48 vota
Partia Socialiste 150 vota
LSI 12 vota
Partia Demokratike 90 vota
Lëvizja e Legalitetit 6 vota
PBDNJ 17 vota
Rezultati i saktë
Partia Demokracia Sociale 26 vota
Partia Dem. për Int. Pros. 5 vota
Partia Social Demokrate 18 vota
Partia Socialiste 54 vota
LSI 13 vota
Partia Demokratike 33 vota
Lëvizja e Legalitetit 20 vota
PBDNJ 17 vota
Partia Bashkimi Demokratik 128 vota
Partia Republikane 28 vota
Aleanca për Dem. dhe Sol. 22 vota
Partia Agrare Ambientaliste 7 vota
Aleanca Popullore 30 vota
Partia e Gjelbër 6 vota
Partia Demokristiane 3 vota
G99 1 votë
Partia Social. e Moderuar 5 vota
Partia e Emigrantëve 2 vota
Aleanca Demokratike 4 vota
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











