Ka tentuar të vrasë nipin e tij me pistoletë, por plumbi i ka përshkuar të dy. Daja dhe nipi, 25 dhe 17 vjeç, kanë përfunduar në spitalin kirurgjik të Elbasanit pas ngjarjes së rëndë.Burime zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se plagosja e dyfishtë ka ndodhur pasditen e së premtes, në një lokal në fshatin Vidhas, rreth 15 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Nga të dhënat e Policisë mësohet se Andi Çela, 25 vjeç, ndodhej me nipin e tij, 17-vjeçarin D. Sala, duke pirë në një lokal të fshatit. “Pasi kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli, dajë e nip kanë debatuar me njëri-tjetrin me fjalë, e më pas Çela ka nxjerrë armën e tipit pistoletë, të cilën e mbante me vete dhe pa leje, duke qëlluar në drejtim të nipit të tij 17-vjeçar”, pohoi Policia. Adoleshenti ka marrë plagë të rëndë në bark e, për pasojë, është transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ndërsa mjekët konstatojnë se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Edhe vetë autori ka mbetur i plagosur nga i njëjti plumb. Ndërsa ka tentuar të qëllojë nipin e tij, plumbi i ka përshkuar dorën e djathtë. Çela, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spital, është arrestuar menjëherë nga policia. Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i cili po merret me procedurat e veprimeve hetimore. Ndaj shtetasit Andi Çela u mor masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale të “vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”. Nga grupi hetimor pohohet se 25-vjeçari nuk ka pranuar të tregojë dhe pritet që pas daljes së pijes totalisht të rimerret në pyetje në lidhje me ngjarjen që solli plagosjen e djalit të motrës. Ndonëse paraprakisht është hedhur pista e ngjarjes në kushtet e alkoolit, po punohet për ta zbardhur plotësisht ngjarjen. Po pritet dhe dalja nga gjendja kritike e 17-vjeçarit, në mënyrë që dhe ai të japë dëshminë e tij mbi plagosjen nga ana e dajës.
Grindet për parkimin, goditet me tytë pistolete
DURRES – Një 19-vjeçar është goditur me tytën e një pistolete nga disa bashkëmoshatarë të tij. Plagosja e të riut shqiptar Leti ka ndodhur rreth orës 14:30, në Lagjen Nr. 13 të qytetit, në sektorin “Apolonia”, në Durrës. Shkak mësohet të jetë bërë parkimi i një makine të të rinjve para dyqanit në pronësi të familjes së 19-vjeçarit. Fillimisht të rinjtë kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin, ndërsa më pas sherri ka degjeneruar me nxjerrjen e armës dhe goditjen e Letit. Ky i fundit është transportuar në spital, me plagë të lehta, ndërsa policia po kërkon autorët.
ELBASAN/ Miranda Sadiku
© Panorama.al











