Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, e sheh të pamundur një bashkëpunim të ardhshëm me LSI-në. Në një intervistë për “Panorama”, zonja Dade shprehet se në zgjedhjet e 8 majit LSI ka ushtruar presion ndaj socialistëve dhe të majtës. Dade jep qëndrimin e saj për ndryshimet kushtetuese, konkurrimin e të rinjve në PS dhe Presidentin e ardhshëm.
Kryetari i PS, zoti Rama, është shprehur për një kurs të ri politik të opozitës duke filluar nga shtatori. Sipas jush, çfarë do të sjellë ky kurs dhe duhet parë ky si një reflektim ndaj veprimit të deritanishëm politik të opozitës?
Sesioni i ri politik nis pas një palë zgjedhjesh që ne i kemi konsideruar normale deri diku, deri në momentin që përfunduan edhe zgjedhjet në Tiranë dhe sigurisht në to nuk gjejmë asgjë normale konform standardeve ndërkombëtare, po të kemi parasysh atë çka ndodhi në Tiranë. Edhe opinioni publik vendas dhe ai ndërkombëtar e kanë parë qartazi se çfarë ndodhi në Tiranë, duke shkelur jo vetëm standardet e pranuara ndërkombëtarisht lidhur me zgjedhjet e lira dhe demokratike, por edhe vetë rregullat dhe ligjet e shtetit shqiptar për procesin e numërimit të votave. Sigurisht që PS, duke u angazhuar në betejën e saj ligjore, politike, por dhe përmes protestave, kërkoi zbatimin e ligjit dhe shpresoi se Gjykata zgjedhore do t’i përmbahej vetëm ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohej presioneve të pushtetit. Kjo nuk do të thotë që ne betejën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme e kemi mbyllur këtu, opinioni publik është informuar lidhur me përpjekjet që PS po bën edhe me faktorin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë me ata që kanë qenë të pranishëm gjatë zgjedhjeve vendore në Shqipëri dhe që po përgatisin raportin përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit. Sigurisht, sinjalet kanë qenë të qarta, madje dhe në raportet paraprake nuk është konsideruar normale ajo që u bë nga KQZ, mosshpallja e rezultatit më 14 maj, siç janë shprehur dhe mjaft ambasadorë të tjerë, si ambasadori i Danimarkës, por edhe ambasadori Arvizu apo edhe ambasadorja e Gjermanisë. Është për këtë arsye që çdo forcë serioze politike, pas çdo beteje elektorale, ridimensionon veprimtarinë e saj politike, pra nga njëra anë do të vazhdojë beteja politike për garantimin e standardeve e zgjedhjeve të ardhshme dhe sigurisht do të vazhdojmë të denoncojmë atë që ndodhi në Tiranë me zgjedhjet e 8 majit. PS i ka fituar këto zgjedhje, po të shohim qytetet e mëdha ku dhe numri i zgjedhësve është më i madh, por gjithashtu ka fituar dhe në komuna dhe bashki që janë konsideruar bastione të PD.
Është thënë nga kryetari socialist që ndryshimet kushtetuese të 2008-s ishin të gabuara, duke shprehur në këtë mënyrë dhe një lloj reflektimi. A ka një përgjegjësi ndaj këtyre ndryshimeve që kanë sjellë jo pak kosto për vendin, sa i takon balancimit të pushteteve? Ndryshimet që pritet të ndodhin duhet të prekin çështjet e Presidentit të Republikës apo edhe sistemin zgjedhor e institucione të tjera?
Mesa duket, reflektimi që PS ka bërë për ndryshimet kushtetuese të 2008-s e ka acaruar Kryeministrin e vendit dhe reagimi i tij ka shkuar përtej PS-së. Ditët e fundit është bërë më i dukshëm konflikti midis Kryeministrit dhe Presidentit, konflikt që ka qenë permanent nga momenti që Presidenti e ruajti statusin e vet kushtetues, duke qëndruar jashtë presioneve politike të forcës nga vinte. Kjo ka qenë dhe arsyeja që prej kohësh mes Presidentit dhe Kryeministrit ka një konflikt të dukshëm, që kulmoi me fyerjet banale në 21 janar. Fakti që Sali Berisha sulmon Presidentin e Republikës për atë çka Edi Rama ka bërë me dije për publikun, tregon se kjo do të jetë një gjë e vështirë për t’u realizuar dhe mesa duket, Sali Berisha ndihet mirë me atë çka sollën ndryshimet kushtetuese. Ne jemi të prirur që në konsultë me kostitucionalistë të përmirësohen ato elementë të kushtetutës që do të jenë në favor të zgjidhjes së problematikës së grumbulluar në këto vite. Nuk mund të themi që sot se në cilët elementë duhen bërë ndryshimet në Kushtetutë, por mesa duket, kjo është e domosdoshme, gjersa vjen si sugjerim i BE, kur thuhet se duhet të bëhet reformë institucionale, kushtetuese, parlamentare. Pra, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të zhbëjnë atë që kemi bërë në 2008- n me ndryshimet kushtetuese dhe mendoj se ishte një hap që duhej ndërmarrë pikësëpari në konsultë me kostitucionalistë dhe specialistë.
Mendoni se Presidenti duhet të rikthehet në Kushtetutë ashtu siç ka qenë, me 84 vota, apo ndoshta duhet të kemi një President nga populli?
Unë, personalisht, do të mendoja se ndoshta Presidenti i Republikës mund të jetë edhe në formën e mëparshme, para prillit të 2008-s, pavarësisht se ndodhi një gjë e papranueshme kur u mendua se deputetët socialistë bënë një hap të gabuar duke votuar Presidentin e PD. Madje u fol shumë atëherë edhe për blerje të deputetëve, por unë sot nuk kam dëshirë t’i kthehem atij incidenti që ndodhi me deputetët e PS, por, duke pasur parasysh edhe çfarë po ndodh në vendet fqinje, madje dhe në Kosovë, që është një shtet i ri dhe u sanksionua zgjedhja e Presidentit nga populli, nuk ka pse dhe në Shqipëri të mos kemi një President nga populli. Por, në të gjitha rastet, atëherë edhe unë i kam votuar ndryshimet kushtetuese, sepse të paktën me gjithë kompromisin e bërë mes dy forcave politike, mendoja se Presidenti nuk mund të shkarkohej me 71 vota në rast të një konfliktualiteti mes pushteteve. Pra, ato ndryshime e ruajtën shkarkimin e Presidentit nga maxhoranca. Kjo e bën Sali Berishën sot të nervozuar.
Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, zonja Meksi, por edhe propozime të tjera, kanë kërkuar një hapje të PS ndaj elitave intelektuale. Mendoni se është koha për t’u bërë një gjë e tillë? Shihni një kontradiktë mes kthimit të figurave të njohura në PS, si Anastas Angjeli, të lënë për vite në hije dhe kooptimeve të të rinjve, si Erion Veliaj, në forumet e PS?
PS ka qenë gjithmonë e hapur dhe më duket se kjo tezë më shumë është deformuar, sesa është artikuluar qoftë edhe nga zonja Meksi për hapje të PS ndaj elitave. Në fund të fundit, PS është drejtuar vazhdimisht nga elitat dhe u krijua si një forcë politike, në krye të së cilës kanë qenë intelektualët. Unë nuk besoj se intelektualët e kanë braktisur PS dhe as PS nuk i ka braktisur ata. Ajo që ka ndodhur është se pushteti, duke i kërcënuar njerëzit me largime nga puna, i ka detyruar edhe mjaft intelektualë që të jenë të pranishëm nga ftesat që vijnë nga maxhoranca, siç ishte rasti i fushatës zgjedhore në Tiranë, dhe të punojnë në mënyrë jo fort të dukshme në mbështetje të alternativës së PS. Fakti që në grupin e punës për programin, por edhe për statutin, ka jo vetëm figura të nderuara të politikës, por edhe specialistë të nderuar, siç është rasti i zotit Angjeli, i cili ka qenë i pranishëm edhe në zgjedhjet në Tiranë, është marrë me Minibashkinë Nr.2 dhe ka qenë i angazhuar vazhdimisht, por dhe Shkëlqim Cani, Gëzim Tushi e mjaft intelektualë të tjerë. PS është një parti e hapur, kemi pasur vazhdimisht prurje të reja, të rinj të shkolluar në perëndim duke u kombinuar dhe me përvojën në politikë dhe besoj se ka më shumë një tendencë për të krijuar nga hiçi ndonjë problem që nuk ekziston, sesa realisht është mungesa e elitave në PS. Në fakt, kur kam lexuar në media që ndonjë qejfmbetur mund të ketë kontribuar në PS, mendon që i përket ekskluzivisht intelektualizmi kësaj ane dhe nuk shikon që intelektual nuk mund të jesh pse ke lexuar matematikë apo fizikë apo ke mbaruar diku jashtë vendit, por për mua koncepti mbi intelektualin është shumë herë më i gjerë, është se sa konsistent je për të ndjekur qëllimet dhe programet që ke ndjekur të një force politike ku je angazhuar apo qëllimet që i ke vënë vetes për t’i shërbyer shoqërisë, pavarësisht nëse je i angazhuar apo jo në një forcë politike. Për mua, shqetësimi i madh është mungesa e zërit të elitave jashtë partive politike, tek shoqëria civile. Kjo është dhe mangësia kryesore e shoqërisë shqiptare, mungesa e shoqërisë civile dhe artikulimi i alternativave të tyre si presion ndaj politikës.
Prurjet e të rinjve në PS mendoni se kanë ardhur si emërime, kooptime apo si produkt i një gare dhe konkurrimi të brendshëm?
Sigurisht edhe këtu ne duhet të reflektojmë në mënyrë që dokumentet themelorë, siç është statuti qoftë edhe në linjën e promovimit të vlerave, duhen respektuar. Nëse dikush ka dëshirë të vijë dhe të jetë anëtar i PS-së, padyshim që kjo duhet nisur konform statutit dhe rastet kur zgjidhen menjëherë në strukturat më të larta të partisë, sigurisht nuk mund të mungojnë fare, pasi ka raste kur ata janë personalitete të spikatura në fushat e tyre, siç edhe kemi pasur dhe më parë, por kjo s’mund të kthehet në rregull. Rregulli duhet të jetë që karriera politike ashtu si dhe çdo karrierë në një fushë tjetër të caktuar, duhet patjetër të jetë normale, konform rregullave që ne miratojmë dhe kjo do të bënte që të ndiheshin mirë edhe ata që e kanë nisur këtë garë kohë më parë konform kritereve të përcaktuara, zhvillohet një garë normale dhe do të jetë votimi ai që do të nxjerrë më të votuarit. Këto janë elementët bazë të demokracisë. PS duhet t’i kthehet respektimit rigoroz të këtyre parimeve, sepse janë vënë re edhe dështime kur individë të caktuar janë emëruar pa u testuar për kompetencë, për devotshmëri apo njohje të thellë të punës së partisë. Nëse mungojnë të tria këto elementë, nuk mund të jesh i suksesshëm. Përtej rasteve që anëtarë të Grupit Parlamentar socialist që nuk janë të pranishëm në asnjë betejë politike apo në ato beteja që PS ka bërë në këto dy vite dhe njëherazi janë shkëputur nga elektorati.
Arben Malaj ka bërë disa propozime për ndarje mandatesh të drejtuesve lokalë të PS nga ajo e deputetit apo kufizim të mandateve të të zgjedhurve. Mendoni se duhen saktësuar në statut këto të drejta?
E kam lexuar shkarazi një material, por Arben Malaj mendoj se një material më të plotë dhe të detajuar do ta paraqesë në shtator. Besoj se edhe ai pret stinën e re politike. Unë do të parapëlqeja që këto dokumente t’i ofroheshin strukturave të PS-së dhe më vonë të bëheshin pjesë e auditorëve të caktuara, ku të pranishëm padyshim nuk kanë qenë socialistët dhe nëse secili prej nesh merr përsipër të ofrojë modele për të konsoliduar apo për të rinovuar politikën përtej bindjeve politike, unë besoj se çdo parti ka një statut dhe kur flasim për elementë të organizimit, të strukturimit të reformimit, kemi të bëjmë me një parti të caktuar. Rregullat që aplikojmë në PS nuk adoptohen nga PD, sepse ata nuk kanë statut fare. Problemi është që nuk mund të kamuflohet një veprim që ke bërë duke mos përfshirë strukturat e PS, por duke gjetur një auditor tjetër jashtë partisë për ta hedhur këtë hap, mendoj se duhet të jemi të qartë në atë që bëjmë, se nëse fjala është për të modernizuar PS-në, atëherë puna nis tek strukturat apo kolegët e kësaj partie, tek ata bashkudhëtarë me të cilët ke ndarë gjithçka. Secili është i lirë të mendojë se si do të modernizojë partinë ku bën pjesë dhe unë e përshëndes Benin për iniciativën e marrë, vullnetin e kohën që harxhon për këtë qëllim.
Sistemi aktual zgjedhor kërkon koalicione sa më të mëdha me parti dhe me peshë elektorale. Shihni ju që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ketë një afrim me LSI dhe PDIU-në?
Unë dua t’i ndaj këto dy çështje. PDIU dhe lideri i ri i saj u votua si pjesë e PS dhe këtu hyjmë prapë tek mangësitë e theksuara që ka politika në përgjithësi, sepse s’mund të marrësh votat e elektoratit që të ka besuar si përfaqësues i një force të caktuar politike dhe t’i transferosh tek pjesa tjetër. Siç ka ndodhur dhe me ndonjë deputet tjetër që i është bashkangjitur LSI-së. Por kjo nuk do të thotë që ai si individ ka ikur bashkë me elektoratin socialist në koalicionin e djathtë. Këtë e tregojnë rezultatet e PS. Lidhur me LSI-në, ne nuk kemi reshtur së kontaktuari elektoratin që ka kjo forcë. Këtu kemi të bëjmë me një dukuri tjetër dhe këtë e them me kompetencë nga përvoja ime në zgjedhjet e 8 majit. Nëse përmes institucioneve shtetërore, përmes ministrive që LSI ka dhe porcionit që ka marrë në këtë maxhorancë është ushtruar presion i jashtëzakonshëm, duke u munduar të zhbëhen karaktere njerëzore për bukën e gojës. Mund të jenë mjekë, arsimtarë, të cilët fshehurazi takoheshin me kandidatin tonë, si në Përmet, por edhe në Gjirokastër, por presioni i strukturave të LSIsë ndaj tyre ishte shumë herë më i madh dhe më negativ se vetë presioni i strukturave të PD-së. Sali Berisha u tregua i zgjuar duke vendosur skalionin e dhunës në rreshtin e parë me përfaqësuesit e LSI-së dhe kjo ka ndodhur atje ku LSI ka pasur kandidatët e vet. Kështu që me këtë kategori që ka iniciuar dhe ka organizuar këtë lloj dhune, sigurisht nëse do të mendosh të bashkëpunosh, do të humbasësh vlerat e tua. Por me viktimat e kësaj dhune, sigurisht që kryetarët e rinj të bashkive e kanë për detyrë që t’i afrojnë dhe ne si PS e kemi për detyrë që t’i nxjerrim frikën njerëzve të administratës.
Pra, ju e shikoni të pamundur një koalicion me LSI në zgjedhjet e ardhshme të 2013- s?
Unë e thashë se është ende herët për të përcaktuar koalicionet, por me këtë kategori që është ulur në prehrin e Sali Berishës dhe është bërë mjet për të luftuar të majtën dhe socialistët, nuk mund të bashkëpunosh. Lidhur me koalicionet e PS, padyshim që koalicioni ka qenë i qëndrueshëm. Ka pasur elementë që nuk i rezistuan presionit për në këshillat tona bashkiakë dhe komunarë, siç ishte PDK e Nard Ndokës, ku ndoshta të gjithë ishin të punësuar dhe rezultoi se nuk bashkëpunuan me PS, por unë besoj se edhe për këto koalicione duhet folur shtruar dhe qartë për të ardhmen e këtij koalicioni, i cili duhet të përtërihet nga shoqëria civile.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











