
Pas sinjaleve të herëpashershme, për herë të parë Kryeministri i ri serb, Ivica Daçiç, ka marrë mesazhin e qartë nga liderët e BE-së, se pa arritur marrëveshje me Kosovën, Serbia nuk mund të hyjë në BE. “Njohja e ndërsjellë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian”, tha dje kreu i Parlamentit Europian, Martin Shulc. “E dimë se keni një rrugë të gjatë, me shumë pengesa, si ajo e fusnotës. Parlamenti Europian nuk do të hyjë në detaje, sepse kjo është çështje e diplomatëve dhe qeverive. Qëllimi ynë është që Serbia në fund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, duke përmbushur të gjitha kriteret dhe duke krijuar marrëdhënie paqësore e të qëndrueshme midis dy vendeve”, tha Shulc. Kryeministri serb e takoi kreun e PE pas takimit me kryetarin e Këshillit të Bashkimit Europian, Herman van Rompuj, i cili deklaroi se në rrugën e saj për në BE, Serbia duhet të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme raportet me Kosovën. “Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën mbetet kërkesa kryesore për hapin e ardhshëm të lëvizjes së negociatave për hyrjen e Serbisë në BE”, theksoi Rompuj. Zyrtari i lartë i BE-së përshëndeti vendimin e qeverisë serbe për fusnotën dhe shtoi se të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, në dialogun mes dy vendeve, duhet të zbatohen. Rompuj trajtoi edhe çështjen e Veriut të Kosovës, për të cilën u shpreh se “duhet të gjenden zgjidhje të reja për situatën e ndjeshme në veri të Kosovës, zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë jetën e njerëzve të atjeshëm”. Kryeministri Daçiç theksoi se Beogradi është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Prishtinën “në rrafshin teknik dhe politik, në nivel shumë të lartë”.











