Koalicioni qeverisës në Serbi duket se është varur në duart e Ivica Daçiç të Partisë Socialiste, forca e tretë më e votuar për Parlamentin e ri të vendit. Në qeverinë e mëparshme ai ishte në koalicion me Partinë Demokratike të Boris Tadiç dhe nuk e ka fshehur dëshirën për të bashkëpunuar sërish me të. Partia Progresive Serbe e Tomisllav Nikoliç u rendit e para në zgjedhjet parlamentare të 6 majit. Daçiç tha dje se është i gatshëm të bëjë përsëri koalicion me Tadiç, me kushtin e marrjes së postit të Kryeministrit. Partia Socialiste e Daçiç (Dikur e Sllobodan Millosheviçit) mori 14.7 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, duke e dyfishuar numrin e deputetëve në Parlamentin e ri serb. Sidoqoftë përgjigjja e Tadiç ishte se “nuk do të lejoj të bëhemi pre e asnjë shantazhi për të marrë mbështetje në zgjedhjet presidenciale”. Dy kandidatët presidencialë, Nikoliç e Tadiç, kanë pranuar që të mbajnë një debat televiziv.











