Gjashtë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë arrestuar në Gjilan. Arrestimin e tyre e ka bërë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU), e mbështetur edhe nga njësi të tjera.
Policia ka njoftuar se të gjashtë personat janë arrestuar te shtunen, në disa zona dhe se ata dyshohet se akuzohen për veprën penale sulm ndaj rendit juridik në Kosovë.
Burime të Expressit, të afërta me hetimet që janë bërë, e që kanë rezultuar me arrestimin e gjashtë agjentëve serbë në rajonin e Gjilanit, kanë dhënë detaje shtesë në lidhje me këtë rast.
Sipas këtij burimi, Policia e Kosovës ka kohë që i ka hetuar këta pjesëtarë se janë duke operuar në territorin e shtetit të Kosovës.
Ata të gjithë janë banorë serbë, shtetas të Kosovës, dhe asnjëri nga ta nuk është nga Serbia.
“Të njëjtit dyshohet se krahas organeve legjitime të Kosovës, kanë vepruar duke shantazhuar, kërcënuar e përdorur forma të tjera, personalitete me rëndësi në rajonin e Anamoravës”, shpjegon burimi i gazetës.
Sipas tij, ata disa herë kishin kërcënuar kryetarin e Pasjanit që është nga komuniteti serb.
“Këta pjesëtarë të MUP-it serb kanë kërcënuar e shantazhuar disa herë kryetarin e Pasjanit, që është nga komuniteti serb. Atij disa herë edhe i kanë dërguar shkresa të ndryshme”, rrëfen ky burim.
Ai ka sqaruar më tej se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, ka bastisur edhe disa lokacione në disa fshatra të kësaj komune.
© Panorama.al











