
Ngjitet nesër në skenën korçare komedia e De Filippos.
“Teatri është një iluzion për ne që merremi me të, një nocion virtual, shpeshherë i dhimbshëm”
Të jetosh me të vërtetën e hidhur, apo me iluzionin e gënjeshtërt, që na e mban zemrën ngrohtë dhe të patrazuar? Kjo është pyetja që ngre komedia “Magjia e madhe” nga Eduardo de Filippo, e cila ngjitet nesër në skenën e Teatrit të Korçës, nën regjinë e regjisorit Hervin Çuli. Pjesa e cila është një copëz jete, ku gjithsecili në një moment të caktuar apo në pjesën më të madhe të jetës gjen vetveten, do të ngjisë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” aktorët më të njohur të skenës, por edhe emra të rinj të talentuarish. Vetë regjisori Hervin Çuli, në një intervistë për gazetën “Panorama”, është shprehur se vepra ka në vetvete një mesazh jetik, një përjetim apo dilemë të secilit prej nesh, ndaj dhe nuk ka sesi të jetë indiferente për publikun korçar.
Na ndan fare pak nga premiera e shfaqjes, cila është lidhja mes jush, veprës dhe Teatrit të Korçës?
Ka tri arsye pse kjo vepër është e rëndësishme për mua. Së pari, Eduardo De Filippo ngjitet për herë të parë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, pra është një premierë për Teatrin e Korçës. Së dyti, bëhet fjalë për një punë që unë po e bëj në këtë qytet, ku kam ëndërruar shumë të punoj, por nuk kam punuar kurrë. Së treti, “Magjia e madhe” është një shfaqje shumë masive, e cila ka rreth 20 aktorë në skenë. Pra, është një punë shumë voluminoze për ndërtimin e një vepre, nga më të mëdhatë që ka shkruar ndonjëherë dramaturgjia botërore. Kam fatin të punoj me një staf shumë të përzgjedhur dhe të talentuar.
Ç’është kjo magji kaq e madhe?

Thelbi i veprës është përgjithësisht këndvështrimi ynë mbi jetën. Është ajo pjesa që ka të bëjë me iluzionin e jetës, që në fund të fundit, jetojmë me të vërtetë një gjë reale apo gjithçka është thjesht një iluzion dhe ne kujtojmë se jetojmë atë që në fakt nuk është e vërtetë. Për ta thënë më thjeshtë, vepra është një pjesë konkrete, realiste, e cila ka një gjetje madhështore. Një magjistar bind një burrë të mjerë, i cili braktiset nga e shoqja, se e ajo nuk e ka braktisur, por është mbyllur brenda në një kuti të vogël. Nëpërmjet sugjestionit ai bën që ky njeri të jetojë në një iluzion të përjetshëm të dashurisë të së shoqes. Por në finale të veprës, kur e shoqja rikthehet, burri preferon të jetojë me kutinë dhe jo me gruan e tij, sepse i pëlqen të jetojë me idenë dhe me ëndrrën që ka dhe dashuri të përjetshme dhe që gruaja e tij e dashuron dhe nuk e ka tradhtuar kurrë. Kjo është me pak fjalë ideja që autori përpiqet të përcjellë. Ai e lidh veprën edhe me teatrin. Teatri në fund të fundit është një iluzion për të gjithë ne që merremi me këtë fushë, ai është një nocion virtual, por shpeshherë i dhimbshëm për ne.
Thatë se gjithnjë kishit ëndërruar të punonit me Teatrin e Korçës, por ndonjëherë ndodh që pritshmëritë të mos plotësohen, si ka qenë për ju eksperienca pranë këtij teatri?
Unë kam pasur një dëshirë të jashtëzakonshme të vij në këtë qytet. Të gjithë aktorët i kam miq, janë shumë të mirë, duke nisur nga drejtoresha e institucionit, kryetari i Bashkisë etj. Jam në një ansambël, ku jam ndier shumë mirë. Kulinaria korçare është e mrekullueshme, as dietë nuk mbaja dot, sepse është e pamundur që në këtë qytet, të mos ushqehesh me këtë kuzhinë të mrekullueshme (qesh). Por të kthehemi te teatri. Përveç stafit të aktorëve, me në krye Albano Prodanin, Marko Bitrakun, Zamira Kitën, Ligoraq Rizën, Kiço Kerrin, Natasha Andonin, Lazarela Detin, Naum Tarovën, Shkëlqim Jaupin, Guri Koçon (shpresoj të mos kem harruar ndonjë), por dhe çunat dhe gocat që janë të rinj, të gjithë bëjnë 20 veta në skenë, një nga shtyllat e kësaj shfaqjeje është skenografi Noset Shijaku, i cili ka bërë një skenografi monumentale. Në varfërinë e teatrit shqiptar është e vështirë të sillet në skenë një vepër e tillë, por falë edhe mbështetjeve që kemi pasur, kemi arritur të bëjmë një gjë të rrallë.
I trembeni publikut korçar? Si mendoni se do t’ju presë ai?
Jam i bindur se i madh e i vogël, nivele të ndryshme shoqërore, do ta shijojnë këtë vepër, sepse është shumë popullore, është si me thënë kronikë e jetës së një qyteti. Jo vetëm sepse Napoli nuk është shumë i largët në kulturë nga ne, por edhe sepse ngjarja është fantastike, është fenomenale. “Magjia e madhe” është një komedi dramatike, por që komunikon në mënyrë të jashtëzakonshme, interaktive me publikun. Do ta presin në mënyrë të shkëlqyer dhe do të kënaqen shumë.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











