
Investitorët grekë kërkojnë nga qeveria shqiptare Portin e Vlorës, për të zhvilluar në të projekte strategjike për Shqipërinë dhe rajonin. Kryeministri Berisha priti dje në një takim një grup investitorësh të kompanisë greke DEMCO, të kryesuar nga presidenti i saj, Dimitri Contominas. Gjatë këtij takimi, Contominas i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet dhe simpatinë për zhvillimet e mëdha ekonomike te Shqipërisë dhe ndryshimet e shpejta e të gjithanshme të ndodhura në Shqipëri. Një ndër fushat e rëndësishme ku grupi DEMCO mendon të investojë, është fusha e transportit dhe konkretisht portet. Presidenti Contominas veçoi Portin e Vlorës, për të cilin u shpreh se është një projekt me rëndësi strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Gjithashtu, Contominas u shpreh se fusha e energjisë së rinovueshme është shumë tërheqëse dhe e përshtatshme për portofolin e investimeve te kësaj kompanie. “Sjellja e ekonomisë suaj dhe rezultatet e arritura na kanë bërë të drejtohemi për të zhvilluar projektet tona në këto fusha të rëndësishme”, tha ai. Contominas vuri në dukje se edhe situata jo e favorshme në Greqi ka bërë që bizneset greke te hulumtojnë dhe gjejnë vende dhe fusha të reja investimesh. Nga ana e tij Kryeministri u shpreh se energjia e rinovueshme, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i gjelbër, duke qenë në fokus të reformave të ndërmarra gjatë dy mandateve qeverisëse, kanë bërë që numri i projekteve hidrike të realizuara me sukses në këto 5 vitet e fundit të arrijë në 72 dhe të vazhdojë puna në 50 projekte të tjera. Berisha premtoi mbështetje ligjore dhe bashkëpunim të vazhdueshëm të qeverisë për investimet në Shqipëri.











