Çokokrem me salmonelë në tregun shqiptar! Importi nga Gjermania i “Lengo Group” bllokohet nga AKU: Rrezik për shëndetin!

Apr 20, 2026 | 11:00

Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është sinjalizuar nga sistemi europian RASFF në lidhje me kremin e lajthisë me kakao që rezulton i kontaminuar me Salmonela spp, i importuar nga Gjermania. Sipas alarmit të lëshuar nga sistemi RASFF, ky produkt përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut.

cokokrem me salmonele

Konkretisht bëhet fjalë për produktin Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème (300 g), i importuar në Shqipëri nga kompania “Lengo Group”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer verifikimet përkatëse në subjektin importues “Lengo Group”, ku është konstatuar sasia e importuar e këtij produkti, në total 18.3 kg me destinacion asgjësimin e tij.

Nga verifikimet e kryera rezulton se sasia e shitur te konsumatori fundor është 8.7 kg, për të cilën subjekti ka kryer njoftim në ambientin tregtues.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje konsumatorëve që nëse e kanë në gjendje këtë produkt ta kthejnë në pikat e tregtimit ku e kanë blerë.

NJOFTIMI I PLOTE I AKU

Në vijim të njoftimit të kategorisë njoftim informues për ndjekje, Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) mbi alertin me temë “Salmonella spp në krem lajthie në kakao” me origjinë nga Gjermania, duke përbërë risk serioz për shëndetin e njeriut.
PËRSHKRIMI I PRODUKTIT: 
Emri i produktit: Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème (300 g) mit 36% Haselnüssen ohne Palmöl.
Të dhënat e produktit:
Lot: L 1251838: Data e skadencës  18.09.2026.
Lot: L 1252635: Data e skadencës 26.08.2026.
Emri i subjektit prodhues: “Bartels-Langness Handelsgesellschaft mbH & Co”.
Emri i subjektit importues në Shqipëri: “Lengo Group”.
AKU ka kryer verifikimet përkatëse në subjektin importues ku është konstatuar se sasia e importuar e këtij produkti
– Krem lajthie me kakao”Nudossi Nut Nugat Creme”, me datë skadence .18.09.2026, Lot: L1251838, në sasinë 30 copë me sasi totale 9 kg.
– Krem lajthie me kakao”Nudossi Nut Nugat Creme”, me datë skadece 26.08.2026, Lot: L 1252635, në sasinë 60 copë me sasi totale 18 kg. Sasia totale e importuar për të dyja  lotet është 27 kg.
Në subjekt u bllokua sasia prej:
– Krem lajthie me kakao “Nudossi Nugat Creme”, me datë skadence 18.09.2026, Lot: L1251838, 15 copë ose 4.5 kg.
– Krem lajthie me kakao “Nudossi Nugat Creme”, me datë skadence 26.08.2026, Lot: L 1252635, 46 copë ose13.8 kg.
Sasia totale e bllokuar për të dy lotet 18.3 kg me destinacion asgjësimin e tij.
Nga verifikimet e kryera rezulton se sasia e shitur te konsumatori fundor është 8.7 kg për të cilën subjekti ka kryer njoftim në ambientin tregtues.
AKU i bën thirrje konsumatorit që nëse e kanë në gjendje këtë produkt ta kthejnë në pikat e tregtimit ku e kanë blerë.

 

Lengo Group

© Panorama.al

Te lidhura