Çohen në gjyq 4 këshilltarë bashkiakë, “abuzuan me strehimin”

Jul 8, 2011 | 10:27

SHKODER – Prokuroria e Shkodrës heton komisionin e strehimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës të mandatit të kaluar për shpërdorim detyre. Paraditen e djeshme është shënuar seanca e parë gjyqësore ndaj 4 anëtarëve të komisionit të shpërndarjes së banesave për të pastrehët. Të akuzuarit nuk ishin në sallë, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme u morën në pyetje 20 këshilltarë që kanë qenë pjesë në mandatin 2007-2011. Kjo çështje nisi në vitin 2009, vit në të cilin komisioni i ngritur nga Këshilli Bashkiak i asaj kohe u mor me shpërndarjen e 39 banesave për të pastrehët, në një kohë që numri i familjeve që gëzonin statusin e të pastrehëve dhe që kërkonin sigurimin e një banese në qytetin e Shkodrës ishte 1500. Pas një votimi të fshehtë Këshilli Bashkiak i mandatit të kaluar shpalli edhe emrat e familjeve. Shtëpitë u dhanë në bazë të pikëkrediteve të mbledhura për çdo familje të pastrehë, të vendosura nga vetë Këshilli Bashkiak. Menjëherë pas publikimit nisën dhe ankesat dhe pak kohë më vonë u mësua se kishin nisur hetimet për këtë çështje, nisur dhe nga fakti që mes personave që nuk përfituan ishte dhe një nga prokurorët e Shkodrës. Në këtë mënyrë pas përfundimit të mandatit të këshilltarëve të mëparshëm, ka qenë vetë prokurorja Manjola Trungu, ajo që ka hapur çështjen penale në adresë të komisionit të shpërndarjes së banesave për të pastrehët.                                               r.d

© Panorama.al

Te lidhura