Çmimet “Oscar”, 5 trofe për filmin francez

Feb 28, 2012 | 13:10

Meryl Streep dhe Jean Dujardin, fitues të çmimit “Oscar” si aktorët më të mirë

U mbyll edicioni i 84-t i çmimeve kinematografike.

“The Artist” vlerësohet në kategoritë më të mëdha, 5 trofe merr edhe filmi i Scorseses.

Nostalgji për filmat bardhë e zi, për kohërat e filmit pa zë apo mjeshtërinë që dëshmon se kinemaja mund të japë shumë edhe pa e ngritur zërin, pa efekte marrame-ndëse. Si rrallë ndonjëherë kinematografia franceze ka sfiduar Hollywood-in. Me 5 trofe në kategoritë kryesore, “The Artist” është triumfatori i vërtetë i edicionit të 84-t të çmimeve “Oscar”. Po pesë trofe ka rrëmbyer edhe filmi i Martin Scorsese-s “Hugo Cabret”, por statuetat e tij “peshojnë” më pak se ato të produksionit francez pa zë dhe bardhë e zi. Një “rastësi” e këndshme. Filmi amerikan, i vendosur në Paris, ka fituar trofetë për fotografinë, skenografinë, montazhin, miksazhin sonor dhe efektet speciale. Ndërsa filmi francez i vendosur në Hollywood ka fituar trofetë si filmi më i mirë, për regjisorin, aktorin, kolonën zanore dhe kostumografinë.
Rast i paprecedentë
Një triumf i vërtetë i Francës, e cila nuk kishte njohur asnjëherë një vlerësim kaq të madh për ndonjë aktor, regjisor e aq më pak për një film. Megjithatë, edhe pse “The Artist” e theu “mallkimin” mbi kinematografinë franceze, nata e çmimeve, zhvilluar mes shkëlqimit në Los Angeles, nuk solli ndonjë surprizë të jashtëzakonshme, përderisa ky film i kishte marrë të gjitha çmimet e mëdha, në të gjitha garat e rëndësishme në SHBA dhe Europë. Që kur francezët morën në duar “Golden Globe”-t, pasuan BAFTA-t, “Cesar”-ët etj. Pra, fati i tyre ishte shënjuar. Ndryshimi ishte vetëm tek numri i statuetave. Çuditërisht vetëm në vendin e origjinës, në Festivalin e Kanës, ku edhe u shfaq si premierë botërore, nuk u vlerësua maksimalisht, por asokohe qarkullonin zërat se ishte pikërisht “The Artist” filmi i preferuar i kryetarit të jurisë Robert de Niro, i cili u detyrua të hiqte dorë nga preferencat e tij, nën ndikim edhe të anëtarëve të tjerë të jurisë (“Palmën e artë” e fitoi “The Tree of Life” i Malick, i cili në këtë edicion “Oscar”-ësh doli pa asnjë trofe)
Zonja e hekurt
Në një atmosferë të mbushur me deklarata të vazhdueshme dashurie për kinemanë, me batuta të prezantuesit Billy Cristal, u nda edhe çmimi për aktoren më të mirë. E kandiduar plot 17 herë, Meryl Streep pa më të voglin dyshim fiton trofeun e tretë “Oscar”, për interpretimin në rolin e Margaret Thatcher, në filmin “The Iron Lady”. Për të njëjtën kategori garonin edhe aktoret Glenn Close, Viola Davis, Rooney Mara dhe Michelle Williams. Por qysh prej ndarjes së çmimeve “Golden Globe” ishte e qartë se fitorja ishte e së mrekullueshmes Meryl Streep, e cila ashtu si dhe “The Artist” triumfoi në të gjitha garat kinematografike të fillimvitit.
Të tjerë trofe
Nga ky edicion, edhe pse prisnin më shumë, janë vlerësuar me trofe filmat “Millenium-Burrat që urrejnë gratë” për montazhin më të mirë, “Rango” si filmi më i mirë i animuar, “The Descendants” i Alexander Payne për skenarin më të mirë jo origjinal dhe “Midnight in Paris” i Woody Allen për skenarin origjinal. Ashtu siç dhe pritej, në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj u vlerësua si më i miri ai iranian, “A separation”, me regji të Ashgar Farhadi. Kjo fitore është komentuar jo pak nga mediat e huaja, jo në rrafshin e vlerave artistike, por të origjinës së tij. Ka tërhequr vëmendjen ngjitja në skenë e Farhadit dhe fjala e tij e shkurtër gjatë marrjes së trofeut, si dhe vlerësimi i dokumentarit “Saving Face” mbi një kirurg pakistanez, që rindërtonte fytyrat e grave të shpërfytyruara nga acidi, janë konsideruar si pikat më kulmore dhe më mallëngjyese të mbrëmjes.

Trofetë e të mëdhenjve
Filmi më i mirë: “The Artist”
Regjisori më i mirë: Michel Hazanavicius, “The Artist”
Aktori më i mirë: Jean Dujardin, “The Artist”
Aktorja më e mirë: Meryl Streep, “The Iron Lady”
Aktori më e mirë mbështetës: Christopher Plummer,
“Beginners”
Aktorja më e mirë mbështetëse: Octavia Spencer,
“The Help”
Skenari më i mirë origjinal: “Midnight in Paris” –
Woody Allen
Skenari më i mirë, joorigjinal: “The Descendants”
Filmi më i mirë i animuar: “Rango”
Filmi më i mirë i huaj: “A Separation” (Iran)
Dokumentari më i mirë: “Undefeated”

Pse “Falja e gjakut” duhej të vlerësohej nga “Oscar”
Kritika amerikane vlerëson pozitivisht filmin shqiptar

Nga filmi “Falja e gjakut”

Në të njëjtën kohë kur në Los Angeles priteshin të ndaheshin trofetë më të rëndësishëm kinematografike, në ekranet e mëdha të kinemave amerikane nisi të shfaqet filmi shqiptar me regji të Joshua Marston dhe skenar të Marston dhe Andamion Muratajt, “Falja e gjakut”. Qysh se posteri i filmit nisi të shfaqej pranë kinemave amerikane, mediat filluan t’i kushtonin vëmendje në faqet e tyre filmit që sillte një dramë nga një vend i vogël i Europës. Një film, që në fakt kishte bërë “zhurmë” që prej kohës së kandidimit për “Oscar”, kur Academy Award e skualifikoi atë për shkak se regjisori nuk ishte shqiptar, por amerikan. Asokohe pati nga ata që e quajtën të padrejtë vendimin e Akademisë, në kushtet e globalizmit dhe shembjes së mureve. Por tashmë që filmi ka shkuar tek publiku, kjo bindje është bërë edhe më e fortë. Eric Kohn (Indiewire) i kushton një shkrim të gjatë faktit “Pse ‘Falja e gjakut’ duhet të merrej në konsideratë nga “Oscar”, po aq sa the “A separation”. “Ashtu si subjekti i Marstonit dhe “Oscar”-ët kanë rënë në kurthin e traditës”, shkruan ai, teksa shpjegon arsyen pse Academy Awards skualifikoi filmin e zgjedhur fillimisht si përfaqësues i kinemasë shqiptare, në garën e madhe. Sipas tij, filmi fitues iranian “A separation” kishte shumë të përbashkëta me filmin e Marstonit. Ashtu si edhe “The New York Times”, Kohn vlerëson mjeshtërinë e regjisorit, i cili e lë jashtë filmit momentin e vrasjes dhe flet për pasojat e saj. Sipas NY Times, duke u mbështetur në aktorë kryesisht joprofesionistë, vende reale, pak muzikë dhe dritë natyrale, Marston i ka mëshuar fortë autenticitetit, ndërsa ka bërë zgjedhje mjaft të mira kinematografike. Nga ana tjetër, Kohn në “Indiewire” thotë se ka ardhur koha që Akademia e çmimeve “Oscar” të zgjohet dhe të heqë dorë nga kriteret e vjetruara mbi të cilat klasifikohen filmat. Sipas tij, “Falja e gjakut” e meriton audiencën.

© Panorama.al

Te lidhura