Çmim special për filmin e LGBT në Pogradec

Sep 11, 2012 | 12:05
Nga ndarja e çmimeve në Festivalin e Pogradecit

Dokumentari i parë që flet për jetën e dy çifteve gej në Shqipëri, u shpall fitues i një çmimi special në edicionin e dytë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, gjatë një ceremonie të zhvilluar në kinemanë e këtij qyteti. Ishte anëtarja e jurisë ndërkombëtare, Anne Poulsen nga Danimarka, ajo që i dhuroi kupën, një qyp prej qeramike, bashkautorit të këtij dokumentari, Kristi Pinderi. “Duhet guxim për një qytet të vogël si Pogradeci për të pranuar filma që flasin për tema që ende shkaktojnë protesta në qytete të tjera, por kjo nxjerr në pah një tjetër vlerë të këtij qyteti të mrekullueshëm: atë të tolerancës”, u shpreh Pinderi, i cili vuri në dukje edhe faktin që në Pogradec nuk pati asnjë lloj reagimi negativ apo protestë, si në Lezhë apo në Tiranë. Dokumentari “Të fshehur mes jush”, i realizuar me mbështetjen e fondacionit “Soros”, është dëshmi e një çifti vajzash lezbike dhe një çifti djemsh, të cilët tregojnë vështirësitë e të jetuarit një jetë të fshehur për shkak të diskriminimit, por dëshmitë e tyre janë mbi të gjitha për arsyen se si mund të përballohet një jetë e tillë e që është dashuria e thellë për njëri-tjetrin. Festivali i Pogradecit, ideuar nga Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Gerta Qurku, është një gërshetim traditash kinematografike dhe kulinare. Ashtu si edhe një vit më parë, u shpallën edhe më të mirët. Filmi më i mirë u shpall “No one’s son” i regjisorit kroat Arsen Ostojiç, filmi më i mirë i animuar u shpall filmi “The Room” i regjisores kroate Ivana Juriç. Elton Baxhaku dhe Eriona Cami u shpallën fitues të çmimit Filmi dokumentar më i mirë, me filmin “Book”. Me çmime speciale u vlerësuan filmat “The wall” i regjisorit kosovar Gazmend Nela dhe filmi “Fari” i regjisores bullgare Velislava Gozpodinova.
Në edicionin e dytë të festivalit konkurruan filma të disa zhanreve me metrazh të shkurtër apo të gjatë, të animuar, artistikë, filma eksperimentalë apo dokumentarë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania, etj. Gjithashtu u transmetuan filma dhe nga Franca, Italia, Spanja, Belgjika, Polonia etj., të cilët nuk ishin pjesë e garës zyrtare. Juria ndërkombëtare përbëhej nga Daniele Baldacci, Anne Poulson, Charlie Cockey, Martin Marschke, Mimmo Sammartino, ndërsa juria vendëase vetëm me artistë të njohur pogradecarë përbëhej, nga regjisori Tomi Mato (drejtor i jurisë), skulptori Sofokli Koci, piktori Anastas Kostandini, gazetari dhe poeti Ilir Shyta, dhe poeti Dhimitër Pojanaku. Të binte në sy që artistët nga Shqipëria ishin kryesisht të rinj të cilët kanë eksperimentuar në zhanre të ndryshme. Në këtë mënyrë, ky festival mund të jetë një mundësi e mirë për promovimin e tyre. Festivali u zhvillua nën kujdesin e veçantë dhe mbështetjen e kryetarit të bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi.

© Panorama.al

Te lidhura