Claudia Cardinale në Festivalin e Durrësit

Aug 12, 2011 | 11:56
Claudia Cardinale

Pas lajmit se një nga regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë botërore, Francis Ford Coppola, do të vijë në Shqipëri në datën 1 shtator, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës bën me dije se në tapetin e kuq të këtij edicioni do të shkelë një tjetër yll i kinemasë botërore. Bëhet fjalë për një nga ikonat e kinematografisë italiane, Claudia Cardinale. Ndonëse ende nuk është bërë me dije se kur do të jetë Cardinale në Durrës, fotografia dhe jetëshkrimi i saj tashmë janë vënë në ballinën e faqes zyrtare të festivalit, i cili do të zhvillohet nga 27 gusht në 2 shtator. Cardinale ka lindur në vitin 1939 në Tunis, Tunizi, nga prindër sicilianë. Planet e saj për t’u bërë mësuese “u hodhën në erë”, kur në vitin 1957 ajo shpallet “Vajza më e bukur italiane” në Tunizi. Çmimi ishte një udhëtim në Venecia, ku nuk u shpëtoi syve të menaxherëve italianë të filmit. Karriera e saj u rrit shpejt. Qysh në fillimet e saj kryemjeshtrit e kinemasë italiane, si Luchino Visconti, Federico Fellini, i besuan kryerole, të cilat i interpretoi në krah të aktorëve të mëdhenj të kohës, si Marcello Mastroianni, që do të ishte një nga partnerët e saj më të shpeshtë apo Burt Lancaster e Alain Delon. Për Fellinin ajo ishte përfaqësuesja e bukurisë femërore dhe simboli i gruas ideale. Ndonëse jo shumë e gjatë, jehona e saj u përçua edhe në Hollywood.

© Panorama.al

Te lidhura