Civici: Hapat për bashkimin ekonomik Shqipëri-Kosovë

Jul 8, 2011 | 11:01

Sa më i madh të jetë një treg, aq më i lakmueshëm është. Në një intervistë për gazetën, prof. Ardian Civici tregon për hapat që duhet të ndjekin dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë, për ta bërë funksionale dhe efektive hapësirën e përbashkët ekonomike shqiptare.Civici flet për forumin “Hapësira e Përbashkët Ekonomike Shqiptare” të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës, nën patronazhin e ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Pse ky forum mbi hapësirën e përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan?
Iniciativa e lançimit të një forumi mbi krijimin apo efiçencën e një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan mishëron një kërkesë evidente në periudhën apo stadin ku ndodhen veçanërisht ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo po merr jetë si një nismë e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, aktualisht zv. kryeministër, dhe Universitetit Europian të Tiranës së bashku me Universitetin FAMA të Prishtinës. Tendenca kryesore në shek. XXI, por veçanërisht periudha pas krizës globale, po evidenton si domosdoshmëri krijimin e hapësirave sa më të mëdha të veprimit të aktivitetit ekonomik e financiar, të hapësirave jo vetëm territoriale, por edhe njerëzore, kapitaleve, investimeve, tregtisë, shërbimeve etj. Në këtë këndvështrim, edhe ideja e nxitjes së një hapësire të përbashkët ekonomike shqiptare në Ballkan mund të vlerësohet si një hap prej kërkimit të rritjes së rëndësisë dhe frymëmarrjes së sistemit ekonomik e financiar, të tregjeve e shkëmbimeve të të gjitha llojeve për ekonominë shqiptare, atë kosovare, dhe pse jo edhe për atë maqedonase. Larg ideve apo praktikave të nacionalizmit ekonomik e politik, ajo që synohet nëpërmjet kësaj iniciative janë analizat, studimet dhe propozimet konkrete për masa, politika ekonomike, strategji zhvillimi ekonomik, realizimi i projekteve me impakt të konsiderueshëm, thithje investimesh të huaja direkte, rritja e efiçencës së mjaft investimeve të realizuara deri tani, koordinimi më i mirë i interesave dhe sferës së veprimit të biznesit privat, shfrytëzimi i avantazheve krahasuese të njëri-tjetrit, koordinimin e politikave tregtare dhe tregtinë reciproke, bashkëpunimin e dhomave të tregtisë e industrisë etj.
A mund të përballemi më mirë me integrimin europian, por edhe globalizimin, nëpërmjet hapësirës ekonomike shqiptare?
Zgjerimi dhe mirëfunksionimi i një tregu ballkanik në përgjithësi dhe në këtë kuadër dhe atij mbarëshqiptar në veçanti, do të ishte një hap më shumë drejt integrimit europian. Për më tepër, një nga sfidat e sotme të globalizimit është sfida e integrimit të ekonomive të vendeve të ndryshme me njëra-tjetrën, është shkalla e hapjes së tyre ndaj ekonomisë globale, është përballimi i konkurrencës ndërkombëtare që sa vjen e bëhet më e vështirë, nëse ekonomitë e vendeve të ndryshme apo tregjet janë të vogla e të izoluara. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të kërkojmë dhe të përpiqemi që ta zgjerojmë hapësirën bashkëpunuese e ndërvarësinë e ekonomive tona, jo vetëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por në gjithë hapësirën ballkanike. Duke u ndalur veçanërisht tek “integrimi i sistemeve ekonomike e financiare”, problemi qëndron te mundësitë dhe rrugët që duhet të kërkojnë këto vende për të bashkëpunuar institucionalisht në këtë drejtim. Sa më i qëndrueshëm të jetë stabiliteti financiar dhe ekonomik i rajonit, aq më tërheqës bëhet ai për investimet e huaja direkte dhe përgjithësisht tregjet financiare dhe partneritetin ndërkombëtar. Kapacitetet ekonomike të vendeve të rajonit mbeten ende të nënshfrytëzuara dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe i ekuilibruar kërkon rendiment të lartë të balancimit të faktorëve të prodhimit me kërkesën e brendshme dhe të jashtme të vendeve tona.
Çfarë masash apo politikash shtesë mund të ndërmerren për ta bërë sa më efektive këtë iniciativë?
Masat apo politikat që mund të ndërmerren në këtë drejtim janë të shumta. Si të tilla mund të përmendim thellimin e diapazonit të veprimit dhe efektit të marrëveshjeve tregtare dhe këmbimit të mallrave apo shërbimeve në përgjithësi; hartimi dhe koordinimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me transportin, kryesisht atë rrugor e hekurudhor; koordinimi i politikave dhe investimeve në energjetikë; përfshirjen e përbashkët në programet europiane e ndërkombëtare të naftësjellësve e gazsjellësve; harmonizimi i ofertës dhe produkteve turistike cilësore për t’u bërë një pol i rëndësishëm turistik rajonal; koordinimi i politikave makroekonomike, fiskale e buxhetore për të krijuar një zonë ekonomiko-financiare të përbashkët të stabilizuar e larg krizave; hartimin dhe implementimin e politikave të përbashkëta për përmirësimin e klimës së biznesit dhe stimulimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme; nxitjen e bashkëpunimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë për koordinimin e biznesit privat, që është një faktor fondamental për ekonomitë tona; bashkëveprimi më i mirë i tregjeve financiare dhe bankave; koordinimi ligjor e institucional për luftimin e krimit financiar e ekonomik, pastrimin e parave, eliminimin apo zbulimin e transaksioneve apo pagesave jolegale etj., mund të vlerësohet si një drejtim i rëndësishëm integrimi financiar i rajonit.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura