
PRISHTINE- Seanca e Kuvendit të Kosovës që kishte në rend dite interpelancën e ministres së Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari Lila u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për të marrë një vendim të ligjshëm lidhur me shfuqizimin e vendimit të saj të vendosjen e tarifës prej 35 për qind për importimin e çimentos nga Shqipëria. Seanca e ndërprerë do të vazhdojë nesër.
Para kësaj, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë Mimoza Kusari Lila paralajmëroi ndryshimin e vendimit të vet.
Iniciuesi i interpelancës, Emin Gërbeshi, i cili është deputet i AKR-së, njofton KTV, ka thënë se ky vendim është i pafalshëm dhe është antishqiptar dhe kërkoi shfuqizimin e tij menjëherë. “Në shtetet demokratike kur një ministër merr vendim që prodhon efekte negative jep dorëheqje morale. Sot kemi një mundësi para vetes të marrim vendim për shfuqizimin e këtij vendimi që na poshtëron si shqiptarë”, ka thënë Gërbeshi.
Pas tij ka reaguar Kusari-Lila, e cila gjatë fjalimit të saj ka mbrojtur vendimin e ministrisë që ajo udhëheq. Ajo ka thënë se kohëve të fundit debati mbi këtë çështje ka devijuar dhe akuzat kanë zënë pjesën më të madhe të hapësirës politike duke lënë menjane argumentet publike. Ministrja është shprehur se vendimi nuk është i drejtuar kundër Shqipërisë, ai ka bazë të plotë ligjore dhe për këtë ajo ka theksuar se Gjykata Supreme ka nxjerr aktvendimin që thotë se vendimi është në pajtim me kornizën ligjore të Kosovës.
Ndërsa, partitë opozitare, LDK-ja, Vetëvendosje dhe AAK-ja kanë kërkuar që sa më shpejt që është e mundur të shfuqizohet vendimi, ndërsa kanë akuzuar pushtetin se po përfitojnë nga ky vendim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Më e ashpër ka qenë deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, sipas te ciles vendimi është marrë pa kurrfarë analize elementare dhe profesionale nga ministra, por është vendim i pastër politik dhe ka qenë urdhër që të veprohet kështu nga njerëz të afërt të ministres Mimoza Kusari-Lila. Kurse dy partitë e pushtetit, PDK-ja dhe Koalicioni Kosova e Re kanë kërkuar që vendimi të rishikohet sa më shpejt që është e mundur.
Ndërkohë sallën e Kuvendit e kishte braktisur shumica e deputetëve të PDK-së dhe të aleatëve të saj qeveritarë. (Koha Ditore)
© Panorama.al











