Cilësia e arsimit të lartë, gati renditja e universiteteve për diplomën

Jul 7, 2011 | 10:46

Javën që vjen, çdo maturant do të dijë se cili nga universitetet në vend është më i miri dhe cili nuk ofron cilësi. Agjencia Publike e Akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë bëjnë me dije se raporti për monitorimin dhe renditjen e institucioneve të arsimit të lartë, në bazë të cilësisë së diplomave që ato ofrojnë, ka përfunduar dhe do të bëhet publike rreth datës 12 korrik. Për herë të parë nga aplikimi i Maturës Shtetërore, nxënësit do të kenë këtë informacion në duar përpara se të  plotësojnë formularin A2. Më anë të tij, ata do të përzgjedhin  degët në të cilat synojnë të studiojnë. “Renditja do t’u japë  mundësi të rinjve që të bëjnë zgjedhjen e duhur. Duke ditur cili fakultet apo universitet ofron diploma cilësore dhe cili jo, ata do të jenë të qartë për objektivat e tyre dhe degët ku do të studiojnë”, shprehen specialistët e Agjencisë Publike të Akreditimit. Listimi i institucioneve të arsimit të lartë i paraprin procesit të akreditimit, për të cilin deri tani nuk ka aplikuar asnjë pranë Agjencisë Publike te Akreditimit, ndërkohë që për momentin i vetmi universitet publik që ka mbaruar në këtë proces është universiteti ushtarak “Skënderbej”. Në procesin e renditjes së shkollave të larta nuk kanë marrë pjesë të gjitha universitetet. Pavarësisht këtij vendimi, ato nuk do të penalizohen, por seleksionimi do të bëhet nga vetë maturantët që do të zgjedhin më të mirin dhe diplomën më të sigurt që ofrohet në tregun e punës. Listimi i institucioneve të arsimit të lartë i paraprin procesit të akreditimit, për të cilin deri tani nuk ka aplikuar asnjë pranë Agjencisë Publike të Akreditimit.

© Panorama.al

Te lidhura