Çiklisti tenton djegien me benzinë

May 10, 2012 | 15:17

Shezai Skëndajt, duke kërcënuar vetëdjegien me benzinë

Ngjarja në mes të Vlorës, ndërhyn policia. Mjekët psikiatër pas akuzave për spitalin: Kurohej me ilaçe.

Kaloi në depresion pasi i vdiq djali 27-vjeçar nga SIDA.

Tenton vetëdjegien me benzinë në mes të Vlorës çiklisti 66- vjeçar. Vdekja e të birit nga virusi HIV ka rënduar gjendjen psikologjike të Shezai Skëndajt.
Ai demonstroi dje para dhjetëra qytetarëve tentativën e vetëflijimit, duke akuzuar spitalin e Vlorës se nuk i kishte dhënë të birit trajtimin e nevojshëm.
Ngjarja ndodhi në orët e paradites në lulishten në zonën e sheshit të Skelës, ku Skëndaj pasi lagu trupin me lëndën djegëse, kërcënonte se do të vetëdigjej me një çakmak që mbante në dorë. I veshur me rroba çiklisti profesionist, 66-vjeçari me banim në lagjen “1 Maji” të qytetit kishte marrë një bidon plastik 1.5 litërsh me benzinë dhe është ndalur me biçikletën e tij në lulishte. Ai ka filluar të bërtasë dhe të kërcënojë se do të digjte veten për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Ngjarja ka vënë në panik banorët të cilët sinjalizuan policinë, por asnjëri nuk guxoi t’i afrohej që të neutralizonte situatën, për shkak se 66-vjeçari mbante një thikë në dorë dhe kërcënonte se do të qëllonte çdokënd që do t’i afrohej. Ndërsa lyhej me benzinë, bërtiste se shteti i kishte vrarë një djalë e, më tej, se policia i kishte arrestuar pa të drejtë bashkë me dy djemtë. Mësohet se djali i tij, Bujar Skëndaj, 27 vjeç, ka ndërruar jetë në muajin shkurt të këtij viti. Që prej moshës 17 vjeç, ai kishte shkuar në Itali si emigrant, ku dyshohet se është infektuar nga virusi HIV, (SIDA). Pasi ka qëndruar për rreth 4 vite në Itali, ai ka emigruar në Angli, por gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar. Rreth një vit më parë, i riu është kthyer në Vlorë për shkak të gjendjes shëndetësore. 66-vjeçari akuzoi dje se spitali nuk i kishte dhënë ndihmë të birit, për shkak se nuk kishte kushtet për trajtimin e personave me HIV. Por ende nuk dihet se pse nuk është bërë transportimi i të sëmurit drejt Tiranës, i vetmi spital ku kryhet trajtimi i pacientëve të prekur nga virusi vdekjeprurës. Policia e Vlorës e sinjalizuar për ngjarjen nga qytetarët, mbërriti për pak minuta në vend, ndërsa u lajmëruan edhe mjetet zjarrfikëse për çdo të papritur. Por Skëndaj, në prani të policisë ka vijuar të spërkatet me benzinë, duke kërcënuar që të mos i afrohej askush se përndryshe do i vinte flakën

Policia në momentin e ndërhyrjes për të neutralizuar ngjarjen

vetes me çakmakun që mbante në dorë. Drejtori i Policisë, Artan Cuku, ka negociuar me Skëndajn që të hiqte dorë nga tentativa e vetëvrasjes, duke i premtuar se do ta ndihmonte për zgjidhjen e problemit të tij. Por Skëndaj deklaronte se kishte vendosur t’i jepte fund jetës duke djegur veten. Në momentin që Cuku po mundohej të bashkëbisedonte më të, Skëndaj është shpërqendruar dhe një punonjës policie i është afruar nga pas duke e neutralizuar. Në ndihmë të tij është ofruar menjëherë edhe kreu i Policisë, si dhe kolegë të tjerë, të cilët e kanë shoqëruar në ambientet e policisë. Blutë e morën në pyetje në prani të një psikologu. Nga bisedat e kryera me të në polici, ai ka vazhduar me të njëjtat akuza për Policinë e spitalin. Por policia deklaroi se nuk rezulton të jetë shoqëruar apo arrestuar ndonjëherë, duke konfirmuar kështu gjendjen mendore të tij të paqëndrueshme. Mjekët psikiatër janë shprehur se 66-vjeçari kishte shfaqur probleme mendore dhe prej disa vitesh ka marrë edhe mjekim.

Kohët e fundit, gjithnjë majë biçikletës
Pas vdekjes së të birit, gjendja mendore e Shezai Skëndajt ishte rënduar. Kohët e fundit ai lëvizte thuajse gjatë gjithë kohës me biçikletë, çka kishte bërë që të njihej nga të gjithë në qytet. Aktualisht ai jeton vetëm me një djalë të tij, i cili gjithashtu është i papunë. Skëndaj njihej thuajse nga të gjithë jo vetëm nga fakti se kohët e fundit bënte xhiro me biçikletë gjithë ditën në rrugët kryesore të qytetit, por edhe për shkakun se në rininë e tij ai ka qenë një çiklist profesionist.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura