
Më shumë se një dëshirë e Duçes, pushtimi i Shqipërisë ishte një ambicie e dhëndrit të tij, ministrit të Jashtëm italian, Galeazzo Ciano. I përdori të gjitha mënyrat, nga diplomacia te dredhitë dhe ryshfetet për të shtënë në dorë shtetin e vogël. Liretat u derdhën lumë për të “blerë” besimin e shqiptarëve. “Galeazzo Ciano, Una Vita” është libri i historianit Giordano Bruno Guerri, botuar në Itali, i cili ofron për lexuesin shumë fakte të panjohura mbi ish-ministrin fashist dhe pushtimin e Shqipërisë. Gazeta “Bota shqiptare” ka botuar pjesë nga libri që tregojnë pikërisht mënyrën e përgatitjes së pushtimit fashist në Shqipëri. Një vend të mirë zë marrëdhënia me oborrin mbretëror, me mbretin Zog dhe motrat e tij. Incidentet diplomatike në dasmën e Zogut dhe përshtypjet personale të Cianos, shkëputur nga ditari i tij.Zogu dëshironte të martohej: edhe dhjetë vjet më parë – duke dashur një sigurim të fronit më shumë se një grua – kishte kërkuar dorën e një prej vajzave të mbretit të Italisë, por Vittorio Emanuele III, në krye të një prej familjeve mbretërore më të lashta të Europës, nuk kishte dashur t’ia dinte për atë mbret të sapozgjedhur të dyshimtë.
Në vitin 1938, Zogu mendon sërish të martohet, përveç çështjeve politike, edhe për t’i dhënë një pasardhës dinastisë së tij. Dyzetepesëvjeçarit Zogu, Ciano i propozon vajza fisnike të aristokracisë italiane, mes të cilave edhe pasardhësen e fundit të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Por ,Zogu, që më shumë se një emër dëshiron një garanci politike dhe është i ndikuar nga rrymat kundër-italiane të vendit të tij, i bën bisht. Me naivitet, Ciano nuk kuptoi dhe u çudit nga refuzimet e tij. Më në fund Zogu martohet me Geraldina Apponyj, hungareze, e lidhur me oborrin mbretëror të vendit të saj, ku kishte shumë elemente filo-gjermane. Vetëm në këtë çast Ciano e kuptoi se kishte humbur një betejë dhe që Reich gjerman kishte hedhur një tjetër hap, edhe pse shumë të vogël, drejt Ballkanit. Megjithatë, pranoi edhe ftesën, që me siguri i është dukur ironike, për të qenë dëshmitar i dhëndrit, por shkoi në dasmë me shpirt të thyer.
Vizita e të ftuarve italianë në dasmë nuk qe aspak e këndshme: përveç faktit që nuk kishin asnjë arsye për të qenë të lumtur, përkundrazi, kreu i paaftë i ceremonialit shqiptar bëri gabime të rënda që fyen italianët (“ceremonia ishte një seri incidentesh të rastësishme ose të qëllimshme”, kujton Jacomoni), pesë motrat e mbretit provokuan e trajtuan si mos më keq Cianon. Gjatë drekës treguan me zhurmë kënaqësinë e tyre për martesën e të vëllait me një hungareze, më pas, ndërsa përshkonin me ministrin e Jashtëm rrugën Tiranë-Durrës, të ndërtuar me paratë dhe mjeshtrit italianë (Ciano shprehte kënaqësinë e tij për bukurinë dhe rehatinë e rrugës), thanë: “Kënaqeni me pak, shkëlqesi. Kjo rrugë na duket mediokre. E keni bërë ndonjëherë rrugën që të çon nga Tirana në Elbasan”? Natyrisht ajo ishte një vepër gjermane. Ansaldo, Baroni e Vergani, shoqërues të Cianos, nuk tregojnë në kronikat e tyre nëse ministri u tregua po aq i sjellshëm me to, por në ditarin e vetë Ciano shkroi: “Princeshat mbretërore janë harbute, qesharake dhe të denja për skenën e një operete”.
Ciano kthehet në Itali me përshtypje shumë të këqija nga situata në Shqipëri dhe “kryekëput i bindur për zgjidhjen rrënjësore”. Siç i shkroi Jacomonit, tashmë e shihte problemin vetëm nga një pikë vështrimi: ai i rrezikut të stabilizimit në Shqipëri, të ndikimit të fortë gjerman. Për të ndaluar këtë të keqe ishte i gatshëm edhe të negocionte me Jugosllavinë për ndarjen e Shqipërisë… Kjo gjendje shpirtërore i ishte krijuar për shkak të shqetësimit që ambienti austro-hungarez, tashmë i pranishëm në oborrin mbretëror, mund të ringjallte prestigjin austriak në Tiranë me të gjitha rreziqet që mund të kishte aneksimi i sapongjarë i Austrisë nga Gjermania.
Akoma më i hapur u tregua me Mussolinin. Deri në këtë çast, Ciano ka vepruar me kokën e tij, brenda kufijve të kompetencës së vetë, duke përgatitur goditjen: Jocomoni, me financimet e Ministrisë dhe nën urdhrat e tij, po korrupton funksionarë dhe po armatos grupe banditësh e malësorësh luftëtarë, të cilëve u takon të dobësojnë edhe më pushtetin tashmë të dobët të Zogut (që mbrohet me paratë që i kalon zyrtarisht qeveria italiane). Por, që të mund të vazhdojë më tej, Ciano tani ka nevojë për miratimin e

Mussolinit. Me t’u kthyer shkruan një raport të gjatë që në të vërtetë qe i panevojshëm pasi akoma para se ta merrte Mussolini, kështu shkruan Ciano në ditarin e tij, “është dakord me nevojën e një zgjidhjeje rrënjësore dhe thotë që, për të pasur Shqipërinë, është i gatshëm edhe të luftojë”.
Megjithatë, ia vlen të shihet me kujdes raporti i Cianos, sepse nga ana teknike është ndër gjërat më të arrira të Cianos, tregon më së miri mënyrën e tij të të vepruarit me Mussolinin dhe shpreh hapur si asnjëherë tjetër qëllimet e tij.
Pjesa e parë e relacionit ka shumë të ngjarë që të jetë përgatitur para udhëtimit dhe ka të bëjë me pasuritë shqiptare. Ciano nuk ka asnjë dyshim: “Vendi është i pasur, me të vërtetë i pasur”. Merr me të mirë Mussolinin duke i treguar mundësitë e pafund (që në të vërtetë të pafund nuk ishin) të zhvillimit. Më pas pak nga pak thotë që “kushtet e bujqësisë janë shumë modeste, pasuritë pyjore nuk janë shfrytëzuar, organizimi i peshkimit nuk po ecën me ritmet e dëshirueshme, eksplorimi i pasurive minerale ende nuk është bërë”. (Lidhur me këtë të fundit, diçka e dinte edhe vetë personalisht, sepse prej kohësh bënte kërkime pa ndonjë sukses të madh.) Me një fjalë; në dorë të administrimit të mirë italian Shqipëria mund të bëhej shumë e begatë brenda një kohe të shkurtër.
Menjëherë më pas nis të pikturojë një kuadër tejet të errët të oborrit shqiptar dhe të kushteve të popullit, duke vënë në dritë ato elemente që e dinte se do të bezdisnin më shumë Mussolinin:
“Populli, kushtet e të cilit janë aq të mjerueshme sa të sjellin ndër mend fshatra të humbur kinezë buzë Yang-Tse-së, mezi e durojnë praninë, zhvillimin dhe mendjemadhësinë e oborrit që është qesharak për llojin dhe zakonet e përbërësve të tij, por që rëndon në mënyrë të padurueshme mbi financat e shtetit. 120 milionë liretat që përbëjnë bilancin shtetëror pësojnë hendeqe të thella për blerje brilantinash, fustanesh, makinash luksoze, me të cilat motrat e Mbretit shesin mend gjithnjë e me më pak skrupuj. Po t’i shtojmë kësaj edhe parehatinë e krijuar nga vendosja e një protokolli të rreptë dhe fodull, siç mund të ketë ekzistuar në oborret e vogla gjermane, por që tashmë është e kotë të kërkohen në çdo familje mbretërore, do të jetë e lehtë të kuptohet mospopullariteti i Dinastisë”.
Duket hapur që luan me ndjenjën e vjetër, por gjithnjë të fortë republikane dhe socialiste të Mussolinit, që pikërisht në atë periudhë duke folur me Cianon sulmonte vazhdimisht familjen mbretërore, “peshë e vdekur”, të cilën dëshironte ta hiqte qafe sa më parë.
Nga ana tjetër, Ciano nxjerr në dritë që populli “i çdo klase shoqërore dhe pa asnjë retiçencë” është filo-italian, duke mos përmendur ama që shqiptarët ishin vërtet të kënaqur për ndihmat ekonomike italiane, por nuk u shkonte as nëpër mend t’i aneksoheshin Italisë.
Nuk lë pas dore asnjë marifet: është periudha kur Mussolini po përgatitet të nisë fushatën raciste kundër çifutëve e ç’i shkruan Ciano?: Në drekën e shtruar për martesën e Zogut, një kushërirë e mbretëreshës tha që në Shqipëri do të ishte më mirë të kishin çifutët sesa italianët.
Ciano e di që Duçe nxehet keq për ato çka gazetat e huaja shkruajnë për fashizmin dhe pa asnjë hezitim i tregon një lajm që padyshim Mussolini kishte lexuar, me një fjalë që Paris-soir kishte shkruar që Zogu po shfrytëzonte Italinë, por që në çastin më të parë do të kërkonte një tjetër fuqi mbrojtëse. E shkon edhe më tej:
Nuk leverdis të harrohet që hungarezët janë shpesh pararoja e gjermanizmit dhe që Reich-u po tregon interes për Shqipërinë. Ministri gjerman kryen veprimtari, tani për tani, jo fitimprurëse, por megjithatë të palodhshme. Hitleri i ofroi Mbretit Zog dhuratën më të bukur për martesë. As nuk duhet harruar ajo çka ishte, përpara luftës, pozita e Austrisë në botën shqiptare.
Një afirmim i Italisë, mundësisht i karakterit përfundimtar e gjithpërmbledhës, do të vlente si kundërpeshë përballë botës ballkanike të rritjes së pamohueshme të peshës së fituar atje nga Riech-u pas realizimit të Anschluss-it.
Prestigji ynë dhe interesat tona, të sotmet dhe të ardhmet, nuk mund të tolerojnë ndërhyrjet e të huajve dhe as nuk do të ishte e udhës të pritet që kërcënimi që tani sapo krijohet të marrë formë të qartë.
Pas këtij parashtrimi gjithnjë në rritje, Ciano i pret rrugën çdo mëdyshjeje: interesi italian “duhet të gjejë në çastin e duhur përmbushjen e tij përmes aneksimit të Shqipërisë me Italinë”.
Menjëherë më pas kalon te projektet e realizimit të aneksimit duke shqyrtuar tre mundësi:
1. bashkimin gjithnjë e më të ngushtë të Shqipërisë me Italinë përmes lidhjeve ekonomike që kanë si përfundim “kushtëzimin edhe në sektorin politik”
2. ndarjen në marrëveshje me Jugosllavinë e ndoshta edhe me Greqinë
3. aneksimin përmes një bashkimi personal.
Alternativa e parë, që ishte dhe ajo e përdorura deri atëherë, quhet “e shkëlqyer por jo përfundimtare”, shkon përshtat deri “në çastin e zgjidhjes rrënjësore të problemit”, me një fjalë “ndërhyrjes përfundimtare”. Zgjidhja e dytë e tërheq shumë, sepse mendon se mund të kënaqë me pak Greqinë e Jugosllavinë dhe sepse i pëlqen edhe më shumë ideja e zgjidhjes së kësaj çështjeje me provë të forcës ushtarake. Të kemi parasysh që jemi në kohën e luftës së Spanjës dhe që tashmë për Cianon bombardimet, betejat, kërditë janë në rend të ditës; për më tepër kjo është periudha kur nëndetëset italiane po fundosin – pa u hyrë gjemb në këmbë – anije të gjysmës së Europës. Prandaj, nëse shqiptarët do të kundërshtonin shpartallimin e shtetit të tyre, asnjë problem:
Ekzistenca e nëntë fushave të aviacionit në të katër anët e Shqipërisë mundësojnë sjelljen e menjëhershme të reparteve të armatosura me armë automatike, nga të cilat shqiptarët thuajse nuk kanë fare, në pikat më të thella e më jetike të vendit. Nëse ndonjë bërthamë rezistence do të organizohet, do të jetë e lehtë të arrihet dhe të shpërndahet.
Nuk besoj as që ndonjë e shtënë mitralozi të humbur në grykët e Mirditës apo të Matit do t’ia vlejë për të prekur shpirtërisht botën që nuk u tund as nga shpërthimi i silurëve mes Maltës dhe Tunizisë. Marrëveshja apo më mirë bashkëpunimi i Jugosllavisë, është kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Por, zgjidhja që Ciano ka më shumë për zemër është absolutisht e treta, më e errëta si ekzekutim dhe ajo që, pak a shumë, do të zbatohet:
“… duhet shfrytëzuar si element bazë përçarja mes oborrit mbretëror dhe popullit, duhen ushqyer me mjetet e përshtatshme dhe përforcuar – gjë aspak e vështirë – kontrastet që duken tashmë në vetë gjirin e familjes mbretërore. Në çastin e duhur duhet mundësuar shpërthimi i krizës me lëvizje popullore në shesh. Nga partia pro-italiane, që tashmë ekziston dhe që ndërkohë duhet të fuqizohet, duhet të bëjmë të mundur që të na vijë një kërkesë (që do ta pranojmë) për të ndërhyrë për rikthimin e rendit publik. E më pas t’i shtyjmë të na ofrojnë formalisht Kurorën e Shqipërisë, ta pranojmë dhe të sanksionojmë gjithë historinë përmes një plebishiti apo diçkaje tjetër të ngjashme. Një procedurë e ngjashme me Anschluss-in”.
Më pas kalon në detaje; të nxirret Shqipëria nga Shoqëria e Kombeve, të mos përforcohet më tej ushtria shqiptare, të shtohen investimet italiane, të sigurohet mbështetja e klasave më të larta me një punë “nxitjesh për interesime të përbashkëta, premtimesh dhe korrupsioni”; ndërsa për popullin sugjeron sistemin tradicional “panem et circenses”: hedh deri edhe idenë e futjes së “skuadrës jo edhe aq të dobët ” të Tiranës në një kategori çfarëdo të kampionatit italian të futbollit, sepse do të fillohet “të duket Shqipëria si pjesë e sistemit kombëtar”.
Shkëputur nga
“Galeazzo Ciano – Una vita 1903-1944”
Giordano Bruno Guerri











