
Java e pushtimit në ditarin e ministrit fashist.
“Musolini urdhëroi të mos qëllohej mbi civilët”
Përpjekjet e fundit të Mbretit Zog për t’i rezistuar pushtimit.
Jugosllavët mbështesin pushtimin italian në Shqipëri, por kërkojnë siguri.
Ndërsa trupat italianë përparojnë drejt Shqipërisë, opinioni ndërkombëtar hesht. Kjo ia bën edhe më të lehtë rrugën Italisë drejt pushtimit të vendit përballë. Është prill i vitit 1939. Plani për pushtimin e Shqipërisë nuk ka më kthim mbrapa. Duçja i ka dhënë ultimatumin Mbretit Zog, ose do të pranojë kapitullimin, ose përdorimi i forcës është i pashmangshëm. Orë pas ore, ministri i Jashtëm fashist Galeazzo Ciano tregon në ditarin e tij përparimin drejt vendit aq shumë të lakmuar. Në këtë pjesë ditari, i cili fillimisht u botua në Londër, për të bërë xhiron e botës, tregohen me detaje të gjitha veprimet që janë marrë në Romë e më pas në Durrës e Tiranë. Telefonatat e vazhdueshme me Duçen dhe gjendja e rënduar nervore e këtij të fundit për shkak të vonesave në veprime. al.mi
1 prill 1939

Duçja u kthye dhe pata një takim paraprak me të, në praninë e Jacomonit. Ai miratoi planin e traktatit me disa modifikime të vogla, të cilat kishin të bënin më shumë me detajet sesa substancën, por që do të shpëtonin Mbretin nga turpi. Për një oriental, kjo do të thotë shumë. Ne planifikuam këtë linjë veprimi: Nesër Jacomoni do të paraqitet para mbretit me një skicë të re të traktatit dhe do t’i bëjë të qartë se tani situata është serioze. Ose ai do të pranojë, dhe në këtë rast unë do të shkoj në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të nënshkrimit të traktatit, natyrisht shoqëruar nga një skuadron i fortë avionësh, që do të jetë simbol i faktit që Shqipëria tashmë është italiane. Nëse ai refuzon, të enjten trazirat do të shpërthejnë në të gjithë Shqipërinë, duke e bërë ndërhyrjen e armatosur nga ana jonë një domosdoshmëri imediate. Në këtë rast, ne do zbarkojmë të premten në mëngjes.
Gjatë pasdites, Sereqi, ministri i ri shqiptar, erdhi të më takonte. Ai fillon misionin e tij në një kohë të stuhishme. Teksa kalonte nga Bari, pa përqendrimin e trupave dhe kuptoi se muzika ishte gati për të filluar. Fola sinqerisht me të – me një ton miqësor, por me mjaft vendosmëri. Ai tha se ishte dakord me ne. Ai më kërkoi të ruaja aparencën në një mënyrë të tillë, që ta bëja zgjidhjen më të pranueshme për të, mbretin dhe popullin. E shoqërova atë në Palazzo Venezia, ku Duçja përsëriti paralajmërimin me terma më të saktë. Ai shtoi se, në qoftë se mbreti do të refuzojë të nënshkruajë paktin, kriza do të jetë e pashmangshme. Sereqi vendosi të niset për në Tiranë me Jacomonin, në mënyrë që të bindë mbretin. Pastaj, me pretekstin se nuk ishte në gjendje të shkëmbente paratë e tij shqiptare, i kërkoi Jacomonit t’i jepte hua 15.000 lireta, si kësti i parë i një ryshfeti!
2 prill 1939

Muti arriti në Romë dhe unë u bëra gati ta nisja në Tiranë me një grup të vogël njerëzish me iniciativë dhe mendjemëdhenj si ai vetë, në mënyrë që të krijojë incidente, të cilat duhet të ndodhin të enjten mbrëma, në qoftë se Mbreti, ndërkohë, nuk do të ketë mirësinë që të dorëzohet. I dhashë atij liri veprimi, por ai ka marrë urdhra të caktuar: të respektojë Mbretëreshën dhe fëmijën, në qoftë se ajo ka lindur tashmë; për të krijuar terror gjatë natës; në agim të fshihen në pyll dhe të presin ardhjen e trupave tanë, duke u përpjekur, ndërkohë, të pengojë tërheqjen e Zogut drejt Matit, ku mund të tentojë të bëjë rezistencë.
Reagimet në kryeqytete të ndryshme, duke përfshirë Beogradin, janë të lehta. Christic, nga ana tjetër, është më i alarmuar, por në përgjigje të një pyetjeje, ai u deklarua i bindur se çështja shqiptare nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet, që për fat të mirë ekzistojnë midis Romës dhe Beogradit. Ai rekomandoi që asnjë veprim të mos merret pa informuar më parë Beogradin, dhe në një farë mënyre ekzistenca e shtetit shqiptar duhet të ruhet si një çështje forme.
Shumë lajme kontradiktore qarkullojnë gjatë mëngjesit. Jacomoni telegrafoi një kundërqëndrim shqiptar, paraqitur para ultimatumit të Duçes, por ne nuk e morëm në konsideratë. Sereqi telegrafoi për të dhënë dorëheqjen e tij. Prej Durrësit dhe Vlorës arritën lajmet se zbarkimi i refugjatëve italianë po ecën normalisht. Fortuzi dhe aviatori Tesei, i cili arriti në mesditë nga Tirana, thanë se eksodi i italianëve ka shkaktuar terror mes popullatës. Ata populluan rrugët duke qarë dhe duke akuzuar Mbretin Zog që solli këtë kiamet mbi ta. Duçja i telefonoi Rendit për zbarkimin, duke thënë se urdhri për nisjen do të vijë gjatë mbrëmjes. Sipas sugjerimit tim, ai vendosi të kryejë një fluturim demonstrues nga disa qindra avionë mbi Durrës, Tiranë dhe Vlorë këtë pasdite.
16:00 Një telegram mbërriti nga Jacomoni. Duket se Mbreti nuk dëshiron që të marrë mbi vete përgjegjësinë për një kapitullim të plotë, dhe synon të mbledhë Këshillin e Ministrave për të marrë vendimin përfundimtar për të rezistuar apo për të hequr dorë. Me të drejtë, Jacomoni vëren se në këtë mënyrë Mbreti vë veten jashtë kushteve të ultimatumit, por ai ra dakord të transmetojë informacionin.
Duçja, të cilin e kam informuar, dha urdhër të nisim ekspeditat, duke rezervuar të drejtën për të bërë publik lajmin e përparimit të saj, nëse ka.
Nga zyrat telegrafike mësojmë se mesazhet e gjata janë duke shkuar nga Tirana në Zyrën e Jashtme Britanike. Nuk mund t’i ndalim ato. Dhashë urdhër, megjithatë, që të vonohen, dhe të përsëriten shumë gabime në grupet e kodit. Ia vlen të fitojmë kohë, edhe pse Chamberlain i ka dhënë një raport Dhomës së Komuneve mbi atë çka ka ndodhur, çka është në favorin tonë dhe ka deklaruar gjithashtu se Britania e Madhe nuk ka interesa të veçantë mbi Shqipërinë.
07:00 Jacomoni telegrafoi duke na thënë se po digjte kodin sekret, se u kishte thënë zyrtarëve të misionit detar të largohen dhe se e gjithë legata mund shkojë në nëndetëse e cila është në Durrës. Duçja përsëriti urdhrin për të sulmuar, duke specifikuar se Forcat Ajrore duhet t’i kursejnë qytetet dhe popullsinë civile.
Badoglio i ka shkruar një letër Duçes, ku kritikon planin e veprimeve. Duçja nuk i kushtoi fare vëmendje. Në një letër Mbreti merr parasysh komunikimin e bërë dje nga Duçja, por shpreh dyshimet e tij lidhur me mundësinë e vendosjes së qëndrueshme në Shqipëri, duke e mbështetur mendimin e tij në kujtimet historike të venedikasve dhe aragonasve. Me siguri ai nuk e mban mend se romakët u instaluan aty mjaft mirë.
09:00 I komunikova Vilanit dhe Fon Mackensenit vendimin tonë për të vazhduar me pushtimin ushtarak. Mora garancinë e të dyve për solidaritetin dhe mirëkuptimin e tyre absolut, mbi motivet e veprimeve tona. Më pas takova Christicin. E njoha atë me manovrat për të krijuar një krizë mes nesh dhe Beogradit. I dhashë atij sigurinë e plotë në lidhje me shkallën e veprimeve dhe angazhimeve tona. Si doli, ai tha: “Pra, Zogu po shkon drejt të njëjtit fund si Benes”.
Më në fund propozimet shqiptare mbërritën. Ata do të donin që të binin në ujdi me Parianin. Kjo nuk është e mundur, aq më tepër që Pariani është në Gjermani. Ne u përgjigjëm se momentalisht do të dërgojmë një të plotfuqishëm.
U ktheva në shtëpi rreth orës 10:30. Jam i lodhur dhe nuk ndihen mirë. Do të doja të pushoja, veçanërisht sepse nesër duhet të bëj një fluturim në mënyrë që të vëzhgoj zbarkimin e forcave tona. Nuk bëhet asgjë në lidhje me të.
Në të gdhirë lindi djali i Zogut. Sa kohë do t’i duhet për t’u bërë trashëgimtar i fronit shqiptar?
5 prill 1939
Dy anije do të shkojnë në Vlorë dhe Durrës të evakuojnë italianët, të cilët janë kërcënuar seriozisht nga banditët, të cilëve Zogu u ka dhënë urdhër për të filluar një valë terrori. Për momentin opinioni publik ndërkombëtar është i qetë, aq i qetë saqë unë dyshoj që nuk i kuptojnë tensionet mes nesh dhe Zogut dhe mendoj se Zogu do të kërkojë ndihmë. Gjermania, ndërkohë, po sillet mirë. Von Ribbentrop i ka komunikuar Atolikos se Berlini i sheh me mirëkuptim veprimet tona në Tiranë dhe se çdo fitore italiane përfaqëson forcimin e pushtetit të Boshtit. Budapesti gjithashtu ka reaguar mirë. Vilani më informon se gjashtë divizione hungareze, të mobilizuara tashmë, janë gati për të shkuar drejt kufirit jugosllav në dyzet e tetë orë nga njoftimi, nëse do të jetë e nevojshme të ushtrohet presion mbi serbët.
E takova Duçen disa herë. Ai është i qetë, frikshëm i qetë dhe më shumë se kurrë i bindur se askush nuk do të dojë të ndërhyjë në punët tona me Shqipërinë. Megjithatë, ai ka vendosur të marshojë dhe ai do të marshojë, edhe pse e gjithë bota mund të jetë vënë kundër tij. Ai ia përsëriti këtë me zë të lartë Muti-t, i cili ka nxituar për në Tiranë dhe konfirmoi përshtypjen tonë që Zogu do të rezistojë me forca të vogla, të cilat i ka në dispozicion të tij. Përmes një telegrami personal, Duçja i vendosi Zogut skadimin e ultimatumit, i cili do të jetë në orën 12 të datës 6 prill.
6 prill 1939
Christici kërkoi një tjetër takim. Dukej se donte të më thoshte diçka urgjente dhe serioze. Unë kisha frikë se bëhej fjalë për një ndryshim në politikën e Jugosllavisë. Në vend të kësaj, bëhej fjalë për kërkesa të reja për sqarim dhe për detaje rreth veprimit tonë dhe programit tonë të ardhshëm. Unë i ofrova degën e ullirit. Christici vetë, duke më telefonuar nga Beogradi, tregoi kënaqësinë mbi atë që i kisha thënë atij.
7 prill 1939
U zgjova në orën 04:00. Starace po më priste në hyrje të hollit me shumë njoftime, ndër të cilat ishte një telegram nga Zogu për Duçen. Ai konfirmonte vendimin e tij për të arritur një mirëkuptim ushtarak dhe kërkonte negociata. Ne iu përgjigjën se duhet të dërgojë negociatorët e tij tek Guzzoni. Duçja, pasi u ngrit gjatë natës, çka është një gjë shumë e pazakontë, donte të kishte lajme dhe shpjegime, të cilat unë nuk mund t’jua jap, pasi nuk kam asnjë.
Atasheu ushtarak, Gabrielli, i cili në ditët e fundit është sjellë në mënyrë shumë të çuditshme, telegrafoi se Zogu ka në dispozicionin e tij 45.000 njerëz. Kam përshtypjen se ai po ekzagjeron.
Në orën 6 në mëngjes u nisa me aeroplan. Moti është i qetë dhe i ngrohtë. Buti, Vitetti dhe Pavolini erdhën me mua. Ishim në Durrës në orën 07:45. Ishte një pamje shumë e bukur. Në gji, të palëvizshme dhe solemne, ishin luftanijet, kurse motorvarkat, lundrat lëviznin në port, duke transportuar forcat tokësore. Deti ishte si pasqyrë. Fshatrat janë të gjelbëruar dhe malet, të cilat janë të larta dhe masive, janë të mbushura me dëborë. Pamë vetëm disa njerëz në Durrës. Por atje duhet të ketë pasur rezistencë, pasi pashë grupe të Bersaglierëve, strukur prapa pirgjeve të qymyrit, duke mbrojtur portin, ndërsa të tjerët duke shkuar lart kodrës në rresht indian për të rrethuar qytetin.
Nga disa prej dritareve kishte të shtëna sporadike. Vazhdova për në Tiranë. Rrugët ishin të shkreta dhe të pambrojtura. Në kryeqytet turma lëvizte nëpër rrugë mjaft qetë. Legata ishte rrethuar. Në çati ishte një flamur i madh italian trengjyrësh dhe në oborr shumë automjete. Isha i bindur se në rast rreziku do të ishte e lehtë për ta mbrojtur atë nga lart dhe dhashë urdhër për këtë qëllim.
I raportova Duçes, i cili ishte mjaft i kënaqur, veçanërisht për shkak se reagimi ndërkombëtar ishte pothuajse inekzistent. Memorandumi që lord Perthi më la gjatë një vizite kortezie, mund të ketë qenë përgatitur në zyrat tona.
Gjatë pasdites gjithçka ndryshoi. Guzzoni priti negociatorët e Zogut dhe në vend të procedimit, ashtu si Duçja kishte urdhëruar, u pezullua gjithçka për gjashtë orë. Duçja ishte i zemëruar, sepse kjo vonesë mund të kishte pasoja serioze. Është e domosdoshme për ne që të mbërrijë në kryeqytet, për të kryer manovrat tona politike. Nëpërmjet Valle-s, Duçja urdhëroi rifillimin e marshimit, por ndërkohë një ditë kishte humbur dhe kjo do i jepte mundësi shtypit baltëhedhës francez të thotë se italianët u mundën nga shqiptarët. Lajmet për përparimin e kolonave mungonin. I vetmi që telegrafoi ishte Jacomoni, i cili është fshehur me italianët e tjerë në Legatë. Informacionet që dërgon, krijojnë gjithnjë e më shumë shqetësime për fatin e tij; banditët po grabisin pallatin mbretëror dhe kërcënojnë Legatën. Duçja është në një gjendje të rëndë nervore, telefonon vazhdimisht gjatë natës, duke kërkuar informacione, të cilat unë nuk jam në gjendje t’ia jap. Vetëm në orët e para të mëngjesit Jacomoni njofton se qyteti është qetësuar, por nuk dimë asgjë rreth përparimit të Guzzonit.
8 prill 1939
D’Aieta telefonoi në orën tetë të mëngjesit, duke thënë se Jacomoni jep çdo siguri se fusha e aviacionit në Tiranë është e përdorshme. Vendosa të largohesha menjëherë dhe informova Duçen, i cili e miratoi. Mbërrita në Tiranë në orën 10:30, pasi fluturova mbi kolonën e blinduar, e po marshon drejt kryeqytetit shqiptar. Elementet e përparuar janë tashmë në portat e qytetit. Gjeta Vallen, Guzzonin dhe Jacomonin në fushë, së bashku me shumë njësi të granatierëve ajrorë. Duhet ta pranoj se një emocion i dhunshëm më ka pushtuar mua dhe të gjithë të tjerët. Pashë Guzzonin, i cili shpjegoi arsyet për vonesën: vështirësi në ulje, karburanti i paadaptueshëm dhe, së fundi, mungesa e komunikimit, për shkak se operatorët radiofonikë nuk janë në lartësinë e duhur. Situata tani është e shkëlqyer. Kam pritur shumë delegacione shqiptare, të cilët më bënë urimet e tyre. Si përgjigje, u thashë se Italia do të respektojë pavarësinë e Shqipërisë, duke siguruar zhvillimin e saj politik, si dhe të drejtat shoqërore dhe qytetare të popullit. Me lajmin e fluturimit Zogut në Greqi zhduken të gjitha frikërat tona për rezistencë në male. Në fakt, ushtarët janë duke u kthyer në kazermat e tyre, pasi kanë depozituar armët e tyre në oborrin e Legatës. Dhashë urdhër që ushtarët të trajtohen mirë dhe sidomos oficerët. Unë ndërmora disa hapa për të rivendosur rendin dhe ritmin normal në jetën qytetare.
Dhashë urdhër që të gjithë të burgosurit politikë të Zogut të lirohen. Këta të burgosur ishin dënuar me njëqind vjet burgim. Shpërndava para për të varfrit. Bisedova me qytetarët kryesorë të Tiranës, në mënyrë që të merrnim një ide të qartë mbi dëshirat e shqiptarëve dhe gjithashtu për të marrë vendime në lidhje me formën e re të qeverisjes së vendit. Duke komunikuar me trupat dhe oficerët e tyre, kam parë se ata janë të gjithë shumë krenarë mbi marrëveshjen.
ALMA MILE
© Panorama.al











