
“Italisë ia dhashë unë Shqipërinë”. Kjo deklaratë e Galeazzo Cianos pas pushtimit të 7 prillit duket disi megalomane. Megjithatë duket se ka jo pak të vërtetë brenda saj. Me të marrë vendin e ministrit të Jashtëm, dhëndri i Mussolinit do t’i kushtohej vërtet me një pasion pushtues Shqipërisë, së pari nëpërmjet politikës së vet nënshtruese, e më pas për një zgjidhje rrënjësore siç qe pushtimi. Cianos dhe Shqipërisë i kushtohet një kapitull i tërë i monografisë më të mirë italiane mbi jetën e ministrit 33-vjeçar fashist në librin “Galeazzo Ciano, Una Vita” e historianit Giordano Bruno Guerri. Gazeta “Bota shqiptare”, e cila botohet në Itali, ka publikuar pjesë nga ky libër, i cili ofron fakte historike, të panjohura më parë mbi lidhjen e Cianos me Shqipërinë dhe komunikimin e tij me Duçen. “Një jetë e re po fillon për kombin shqiptar: ai ndien se me shtysën shpëtimtare të fashizmit do të arrijë më në fund ato kushte begatie e progresi që gjithnjë ka aspiruar, por pa ia dalë mbanë. Tani që populli shqiptar është në rrugën e tij të vërtetë, tani që tringjyrëshi dhe flamuri i shqiponjës valëviten krah njëri-tjetrit, nuk pranohet asnjë dyshim: Shqipëria niset e sigurt drejt asaj të ardhmeje të madhe e të ndritur që Roma perandorake i siguron në emrin e lavdishëm të Duçes”. Kështu do të shprehej Ciano në 15 prill 1939.
Më 28 mars 1939, në Romë mbërrin lajmi i rënies së Madridit. Ciano është në Pallatin Venezia me Mussolinin: “Duçe është i lumtur. Duke treguar atlasin gjeografik të hapur në faqen e Spanjës, thotë: “Ka qenë i hapur këtu për thuajse tre vjet, mjaft më. Por e di që duhet ta hap në një faqe tjetër”. Ka në zemër Shqipërinë. Në të vërtetë, Mussolini “kishte në zemër” Shqipërinë prej të paktën njëzet vjetësh, por fqinji i vogël përtej Adriatikut zinte një vend akoma më të madh në zemrën e ministrit të tij të Jashtëm: asnjë eveniment tjetër i fashizmit nuk i përket Cianos sa ky. Edhe në ditar duket se i është futur punës për t’u përcjellë

brezave sipërmarrjen; Disa episode duken se janë shkruar posaçërisht për t’u futur në librat e historisë së shkollave, si ai i gishtit mbi atlas apo ky tjetri: “Ndërsa i jap një kampion të shkëlqyer minerali bakri të minierave të Lezhës, i them: ‘Ja fiqtë e Kartagjenës'”.
Në paktin e Londrës së vitit 1914 u vendos që shteti i sapolindur shqiptar në fund të luftës do të ndahej mes Italisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Por në vitin 1917, Italia, të cilës edhe para fashizmit i interesonte Shqipëria, me një sulm të befasishëm e kthen në protektorat të vetin. Ndërsa në vitin 1920, për shkak të presionit ndërkombëtar, iu desh t’i kthejë pavarësinë e plotë Shqipërisë dhe të mbështesë hyrjen e saj në Shoqërinë e Kombeve.
Në të njëjtin vit hyri në historinë shqiptare Ahmet Zogolli, asokohe 25-vjeçar. Prej një familjeje të lashtë myslimane dhe mbizotëruese e Matit, Zogolli (i cili nga viti 1928 do t’i heqë prapashtesën otomane mbiemrit të tij duke e lënë në Zog) kish qenë kolonel në ushtrinë austriake. Përfaqësues i interesave myslimane dhe i fisit të tij të fuqishëm, në vitin 1921 bëhet ministër i Brendshëm dhe më pas Kryeministër. I mundur në zgjedhje refuzoi të hiqte dorë nga pushteti, por u detyrua të arratisej në Jugosllavi nga revolta e udhëhequr nga liberali Fan Noli. Por që në dhjetor 1924, falë ndihmës së qeverisë jugosllave mundi të rihyjë në Shqipëri me disa mijëra të armatosur, të përmbysë Fan Nolin dhe të emërohet President i Republikës.
Dyzet vjet më pas Roberto Ducci, ambasador në Beograd, dëgjoi këtë anekdotë mbi çështjen e financimit jugosllav të Zogut: “Plaku i urtë Nicola Pasiç, që ishte kryeministër i Serbisë dhe që kish mbetur në mbretërinë e serbo-kroato-sllovene, numëroi përpara Zogut sterlinat e arit (monedha e vetme me vlerë në Shqipëri), që përbënin çmimin e marrëveshjes dhe, pasi i shtyu nga krahu tjetër i tavolinës, tha: ‘Dhe tani, Zog, më thoni: sa kohë do t’ju duhet për të rënë dakord me italianët?”. Iu desh pak më shumë se një vit.
Shqipëria e vitit 1924 ishte vendi më i varfër e më i prapambetur i Europës. Pa rrugë, shkolla, spitale, industri, rreth një milion shqiptarët e asokohe jetonin në kushte të mjerueshme të rënduara nga mosmarrëveshje fetare e nga ato edhe më të rënda mes fiseve të fuqishme, që përbënin shtete të mirëfillta brenda shtetit. Por, që atëherë flitej për pasuri të shumta nëntokësore në një terren kryesisht kënetor dhe malor. Që me ardhjen e tij në fuqi, siç ishte e natyrshme, Mussolini vëzhgoi me shumë vëmendje atë territor sa një e dhjeta e Italisë, pak kilometra larg Puglias, që mund të kthehej në kreun e urës italiane në Ballkan, duke i siguruar në këtë mënyrë kontrollin përfundimtar në Adriatik dhe një mundësi ekspansioni të punës dhe ekonomisë italiane. Me të përmbyllur shpejt e shpejt dy traktate tregtare, Mussolini pa me sy të mirë marrjen e pushtetit nga Zogu, edhe pse ai u ndihmua nga Jugosllavia, rivale e Italisë në çështjen e Shqipërisë. Mussolini ka besim në lidhjen më të ngushtë mes regjimit diktatorial të Zogut dhe në nevojën e vendit të vogël për mbështetjen në fuqinë italiane që ta garantojë nga qëllimet jugosllave. Por mbi të gjitha, ka besim në paratë për të cilat Shqipëria – dhe Zogu personalisht – ka shumë nevojë. E Mussolini nuk tregohet aspak dorështrënguar. Në Fondin Lancellotti, në një zarf që ka të bëjë me Shqipërinë, gjendet një letër e çuditshme e Duçes, në kartë me kokë të Ministrisë së Jashtme, i drejtohet Costanzo Cianos, ministër i Komunikacioneve, mban datën 21 gusht 1925 e thotë:
I dashur Ciano,
Për ngjarje ndërkombëtare më nevojiten dy milionë menjëherë – hua – që do të t’i kthej kur t’i kem marrë me shtesë në kapitullin tim shpenzime sekrete, që varen nga ngjarje ndërkombëtare.
Me përzemërsi.
Costazo ia derdh të nesërmen me katër urdhër-xhirime nga 500.000 lireta. E veçantë procedura me të cilën ministri i Jashtëm dhe Kryeministri i vendit i kërkon ministrit të Komunikacioneve në rrugë miqësore huan e një shume tejet të madhe për intrigat e tij ndërkombëtare: shenjë paralajmëruese e rrëmujës së jashtëzakonshme që do të mbretërojë në zyrat publike gjatë regjimit. Por, ato dy milionë përbënë vetëm një pjesë të vogël të shumave të mëdha të parave që Italia shpenzoi apo investoi në Shqipëri. Në vitin 1938, Ministria e Cianos përgatiti një relacion, sipas të cilit, nga viti 1925 deri atëherë, Shqipëria i kish kushtuar Italisë 1.256.182.487 lireta e 0,5 qindarka.
Një pjesë e mirë e kësaj shume ishte shpërdoruar, pasi në vitin 1938 situata e Shqipërisë nuk ishte shumë më ndryshe nga ajo e vitit 1925, por nga ana tjetër Italia kish blerë – është pikërisht rasti për ta thënë – miqësinë shqiptare. Në vitin 1926 u nënshkrua një “Pakt i miqësisë dhe i sigurisë”, i pasuar pas një viti nga një traktat aleance mbrojtëse që në thelb e kthente Shqipërinë në një çiflig italian. Për t’i dhënë edhe dorën e fundit kuadrit, në vitin 1928 Zogu e transformon republikën në mbretëri, duke u vetëshpallur mbret dhe duke i dhënë Mussolinit një lloj deklarate vasaliteti.
Një fërkim i rëndë u verifikua vetëm në vitin 1934, kur Zogu duke u përpjekur të fashiste ndikimin italian – ose ndoshta për të ngritur çmimin – nënshkroi një traktat tregtar me Jugosllavinë dhe, në të njëjtën kohë, refuzoi të përtërinte atë të vitit 1926: iu tërhoq veshi menjëherë me dërgimin e një skuadre ushtarake detare në portin e Durrësit. Më pas do të jenë tensionet e provokuara nga ngritja e aksit Romë-Berlin dhe veprimtaria frenetike e Cianos ato që do të shënojnë kthesën përfundimtare në raportet italo-shqiptare. Një kthesë e pashmangshme në logjikën e imperializmit fashist, mjaft të shihet sa karakteristika të përbashkëta kanë Etiopia dhe Shqipëria:
Ashtu si Etiopia, që ishte e vetmja hapësirë “e hapur” e kontinentit afrikan, Shqipëria është në mozaikun ballkanik copëza më e brishtë. Që të dyja vendet janë të lira, por me shtete të dobëta, të ndara në brendësi nga çështje fisnore e ndryshime fetare. Që të dyja këto vende ngacmojnë ëndrrën e fuqisë fashiste, njëri si koloni popullimi e, njëherësh, si bazë për ekspansione të mëtejshme afrikane dhe aziatike; Tjetri si kreu i urës në Ballkan, për të marrë pas krahëve Jugosllavinë e urryer, për të kërcënuar Greqinë, me një fjalë për t’u futur drejtpërdrejt në juglindjen europiane, në kërkim të rasteve të reja, të perspektivave të reja. Të dyja këto vende kanë njohur në të shkuarën një përpjekje italiane për pushtim dhe kanë qenë skena humbjeje për pushtuesin.
Një nga aktet e para të Cianos si ministër i Jashtëm kish qenë emërimi i Francesco Jacomonit si ministër fuqiplotë në Tiranë, ku kish qenë edhe më parë me detyra diplomatike të një rangu më të ulët. Ishte dhjetë vjet më i vjetër se Ciano, por kishte filluar vonë karrierën, në vitin 1923. Diplomat i mprehtë e pa shumë skrupuj kryeneçësi, kish qenë mes mbështetësve të parë më të zjarrtë të Cianos në ngjitjen e tij në Pallatin Chigi dhe ishte njeriu i duhur për politikën që ministri i ri i Jashtëm dëshironte të ndiqte në Shqipëri. Në fakt u tregua një zbatues i shkëlqyer.
Lëvizja e dytë e Cianos qenë klauzolat e fshehta të traktatit të vitit 1937 me Jugosllavinë, që i linin dorë të lirë Italisë në Shqipëri. Edhe pse klauzolat nuk njiheshin, marrëveshja shkaktoi frikë të madhe në Tiranë: nëse armiku i rrezikshëm jugosllav dhe miku edhe më i rrezikshëm italian lidhnin aleancë, ç’mund të ndodhte vallë? Për të qetësuar shqiptarët pasi u kthye nga Jugosllavia i dha detyrë Jacomonit t’i përgatiste një vizitë zyrtare në Tiranë, në prill. Në të vërtetë mbërriti me petkat e mikut dhe të babagjyshit të Vitit të Ri: çoi si dhurata premtime për rrugë, ujësjellës, spitale, shkolla, subvencione. Do të mbajë shumë prej premtimeve, por Zogu nuk do të kish qenë i kënaqur po të kish mësuar ç’i tha Ciano Jacomonit para se të largohej nga Shqipëria që “nevojitej eliminimi i mbretit Zog”, dhe vetëm pak ditë më pas, kur Jacomoni ishte në Romë, i përsëriti urdhrin që “të bënte një politikë të tillë që ta detyronte mbretin të linte fronin brenda vitit”. Ciano ende nuk ka një plan, por e di mirë se çfarë do; në gusht shkruan në ditar:
“Binda Duçen t’i japë 60 milionë në katër vjet Shqipërisë për vepra të ndryshme. Udhëtimi im në Tiranë më bindi se është më se e nevojshme të përkujdesemi për atë sektor. Duhen krijuar qendra të qëndrueshme interesash italiane. Nuk i dihet se ç’mund të sjellë e ardhmja. Duhet të jemi gati të mos lëmë rast të na ikë duarsh. Ne nuk do të tërhiqemi, si në 1920-n. Në jug kemi thithur qindra mijëra shqiptarë. Pse nuk duhet të ndodhë e njëjta gjë edhe nga bregut tjetër i Adriatikut?”.
Ciano kishte shumë për zemër këtë idenë e “thithjes” për të justifikuar një operacion pushtimi dhe shkombëtarizimi e asokohe ishin të shumtë ata që u ndikuan prej tij: u desh të besohej që Shqipëria ishte një entitet krejtësisht i parëndësishëm. Mario Morandi (i komitetit drejtues të revistës “Critica fascista” e nga viti 1939 këshilltar italian në Ministrinë shqiptare të Arsimit), vëzhgues i kujdesshëm i “kolonializimit” italian të Shqipërisë, kujton që me këtë ide ishin bindur, para të gjithëve, ushtarakët, një pjesë jo e vogël e grupit të ekspertëve që ndodheshin në Shqipëri përpara Bashkimit dhe që duhet të drejtonin politikën italiane në atë vend. Ata nuk mbanin fare parasysh elementet që përbëjnë kulturën e një populli, edhe pse kompleks, i patundur, i prapambetur, tejet i varfër, ku mjaftonte të lidheshin kontakte me profesorë, mësues, funksionarë – edhe pse të gjithë ose thuajse të gjithë respektonin Italinë – për të zbuluar që shqiptarët kishin vetëdijen e të qenit një popull me kulturën e vet.
Në fakt, çka do të ndodhë më pas, do të dëshmojë më së miri që Shqipëria e vogël kishte aq shpirt kombëtar, sa për të mos e kapërdirë lehtë humbjen e pavarësisë. Por Ciano që në mars 1938 ka “programin e tij për Shqipërinë”, të cilit i përmbahet pikë për pikë: program depërtimi “gjithnjë e më i theksuar e gjithnjë e më organik”.
Autori i “Galeazzo Ciano – Una vita 1903-1944”
Giordano Bruno Guerri*
© Panorama.al











