FATOS ÇOÇOLI
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi prej 28,8 kilometrash. Ajo është e ndarë në katër segmente: Unaza Veriore, e cila fillon tek ish-Sheshi “Shqiponja” dhe përfundon te Mbikalimi në Shkozë, Unaza Perëndimore, e cila fillon tek ish-Sheshi “Shqiponja” dhe përfundon tek Mbikalimi tek Pallati me Shigjeta, Unaza Jugore, që nis tek Mbikalimi tek Pallati me Shigjeta dhe përfundon tek Rrethrrotullimi i TEG, si dhe Unaza Lindore, e cila nis te Rreth-rrotullimi i TEG-ut dhe përfundon te Mbikalimi i Shkozës, duke përfshirë segmentin nga Mbikalimi i Shkozës e deri te Materniteti i Ri.
Projekti i Unazës së Madhe e ka zanafillën që në vitin 2009, por gjatë një dhjetëvjeçari shumë pak u investua për ndërtimin e saj. Puna kryesore për ndërtimin e Unazës ka nisur që nga viti 2019. Deri tani kanë përfunduar tri lote (segmente ndërtimi) të saj, kurse pesë lotet e tjera janë në mbi 70- 95 për qind të punës së përfunduar. Unaza e Madhe e Tiranës përfaqëson një vepër madhore infrastrukturore të vendit, me vlerë 433 milionë euro.
Ajo i ofron shërbim infrastrukturor jo vetëm kryeqytetit, por të gjitha autostradave kryesore të vendit, që janë të lidhura me të, si ajo Durrësit që shkon drejt Jugut, apo e Elbasanit, që shkon drejt Juglindjes. Të gjitha arteriet kryesore rrugore të vendit, ku qarkullon më shumë se 80 për qind e tregtisë dhe e biznesit të Shqipërisë, lidhen me Unazën e Madhe të Tiranës. Ky projekt ka dhe një veçanti tjetër. Krahas fondeve të Buxhetit tonë të Shtetit, kjo vepër, e cila ndryshe thirret edhe si “By-Pass-i i Tiranës”, po ndërtohet edhe me kontributin e fondeve të Axhendës së Konektivitetit të Procesit të Berlinit. Janë 152 milionë euro të këtyre fondeve. Me fjalë të tjera, Bashkimi Evropian ka konsideruar që kjo vepër ka rëndësi rajonale, edhe për vendet rreth Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, krahas ndihmës për ekonominë e Shqipërisë. Veprat e artit të Unazës së Madhe të Tiranës, pra veprat kryesore inxhinierike, mbikalimet, mbikalimet për këmbësorët, urat, rrugët dytësore etj., janë drejt përfundimit. Të gjitha kilometrat e shtruara të japin të kuptosh se kjo vepër po shkon drejt përfundimit të saj. Që të gjithë kantierët ku ende punohet, po ecin me ritme të kënaqshëm. Qeveria është kujdesur për strehimin e banorëve, në shtëpitë e të cilëve kalon rruga, për të gjithë periudhën e akomodimit të tyre, përmes bonusit të qirasë, si dhe për legalizimin e shtëpive, për të pasur mundësi që banorët e prekur ta marrin të plotë vlerën e shpronësimit.
Në pjesën Verilindore të Unazës, qeveria ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me banorët, pavarësisht se këtu ishin 133 njësi, apartamente, njësi tregtare etj., të cilat duhej të spostoheshin, për t’u krijuar shtrati i rrugës. Në të gjitha zonat ku Unaza e Madhe kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe ka shtuar me një mesatare dy deri trefish në pesë vitet e fundit, vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve që jetojnë shumë pranë saj dhe në zonat përreth saj. Për shembull, vlera e një apartamenti banimi 100 m2 në Astir ka shkuar, nga 400 euro metri katror në periudhën përpara përfundimit të segmentit të Unazës në Astir, në 1 mijë euro metri katror sot, ose rritur me 2.5 herë! Njerëzit janë sistemuar me bonus qiraje. Unaza e Madhe është e qarkuar e gjitha me rrugë dytësore, që aksesi i banore përreth saj të jetë i plotë në Unazë. Në projektet e mëparshme të trashëguara për Unazën, përveç punës së paktë të bërë, ka pasur një problematikë shumë të madhe. Këto projekte nuk parashikonin shumë rrugë dytësore dhe rrezikonin izolimin e zonave dhe banorëve të komuniteteve përreth Unazës, të cilëve, me segmentet e para të realizuara deri në vitin 2019, u duhen të ecnin shumë gjatë, për të arritur në shtëpitë e tyre. Projekti përfundimtar i Unazës ka ndërhyrë edhe në segmentet e përfunduara më parë, duke shtuar rrugët dytësore të domosdoshme. Unaza ka shumë nyje, ku bëhet lidhja e të gjitha rrugëve dytësore.
Të gjitha këto vepra, pavarësisht se Unaza e Madhe e Tiranës është një rrugë e Kategorisë A, me një gjerësi 28 metra, kanë një të përbashkët. Pavarësisht se ka karakteristikat e një autostrade, Unaza nuk është trajtuar si një autostradë, por si një rrugë urbane, ku gjelbërimi, ndriçimi dhe akseset për kalimtarët janë të siguruara. Kjo vepër nuk mund të vijohej të realizohej, me rrugë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim dhe pa ndriçimet e duhura. Unaza është një projekt i madh, i cili, në bashkëpunim me bashkitë e Tiranës dhe të Kamzës, ka sjellë me dhjetëra rrugë dytësore, me elementë lehtësues për të gjithë banorët e zonave përreth. Dhe, nga ç’duket, këta banorë do të shtohen shumë këtë vit dhe në vitet që vijnë. Unaza ka mundur të nxjerrë në dritë edhe Lumin e Tiranës, i cili kishte humbur shkurreve deri tani. Rehabilitimi i pjesës së lumit është shumë i rëndësishëm.
Dikur ai ishte i mbuluar nga plehrat dhe nga bimësia e egër. Me ndërtimin e Unazës së Madhe, ky lumë ka dalë në pah dhe po kthehet në tërheqje turistike. Ai do të ketë një shëtitore që do ta ndjekë, me një rrugë biçikletash. Lumi, me infrastrukturën e re të prurë nga Unaza, do t’u shërbejë bindshëm banorëve të zonës apo vizitorëve, pasi do t’ia vlejë më tepër një shëtitje apo vrapim pasditeve buzë tij, apo herët në mëngjes. Unaza e Madhe e Tiranës, me pjesët e saj të përfunduara, që tani ka shtuar rritjen ekonomike të kryeqytetit dhe të gjithë vendit, duke shlyer përgjysmë paratë e hedhura në ndërtimin e saj, kryesisht përmes rritjes së shpejtë të vlerës së apartamenteve dhe ndërtimeve të biznesit buzë dhe përreth saj. Parashikohet që e kompletuar, Unaza e Madhe e Tiranës të kontribuojë me të paktën 0.5 për qind të prodhimit kombëtar, ose mbi 110 milionë euro çdo vit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al