Çfarë e shënjoi arsimimin në një vit

Feb 21, 2024 | 10:33
SHPËRNDAJE

Viti i kaluar nuk ka qenë fort i lehtë për arsimin në tërësi, specifikisht për parauniversitarin dhe atë universitar.

mesimi ne klasa

2023-shi nisi me protesta nga pedagogët për trajtim dinjitoz dhe vijoi me protesta edhe në mes të verës me miratimin e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, për t’u mbyllur me bojkotin e auditorëve dhe rezulatet aspak premtuese të testit ndërkombëtar të PISA-s ku nxënësit shqiptarë u renditën pas atyre të Palestinës dhe Uzbekistanit.

Të gjitha këto zhvillime kyçe, prof. asoc. Dr. Lili Sula, pjesë e Departamentit të GjuhëLetërsisë në Universitetin e Tiranës i ka përmbledhur.

******

Nga Lili Sula/ Është e vështirë të stabilizojmë një këndvështrim të qëndrueshëm dhe përfundimtar mbi arsimin në Shqipëri për shkak të ndërlikueshmërisë së dukurisë, kompleksitetit dhe dendurisë së zhvillimeve ndër këto vite.

Po përcaktojmë më së pari disa prej ngjarjeve shënjuese të sistemit arsimor gjatë vitit të kaluar, ngjarje, që sigurisht vijnë si rrjedhë e proceseve paraprijëse.

SHKURT

” Protesta e sindikatës së punonjësve universitarë të Shqipërisë në mbështetje të misionit të arsimit të lartë si e mirë publike. Kërkesa për financimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, për investimin e mjediseve të punës, zhbllokimin e pengesave arbitrare që nuk lejojnë kualifikimin me grada e tituj të pedagogëve, për trajtimin me dinjitet të stafeve akademike e ndihmësakademike, politika mbështetëse për mëkëmbjen e universiteteve publike etj.

PRILL

” Kandidati për kryetar Bashkie, E. Veliaj gjatë fushatës elektorale mashtron publikisht se karta e studentit ka 2000 shërbime, ndërsa kandidatja e bashkisë së Durrësit, znj. E. Sako nënshkruan marrëveshje për kartën e studentit me ministren e arsimit, e njëjta marrëveshje që u nënshkrua edhe më 2019 në kuadër të Paktit të Universitetit.

Vijojnë edhe kësaj dite të nënshkruhen marrëveshje në mbështetje të studentëve që pretendojnë të lehtësojnë pak shërbime të natyrës argëtuese të studentëve, duke lënë mënjanë aspekte rrënjësore të jetës së tyre.

QERSHOR

Testet e Maturës Shtetërore, si edhe vitet e mëparshme, dalin para se të fillojë provimi – duke dëmtuar rëndë vlerësimin e maturantëve, sidomos të atyre që kanë siguruar vlerësime shumë të larta në tre vitet e shkollës së mesme.

” Protesta e studentëve të mjekësisë kundër draftligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme”, që i detyron ata të punojnë 5 vjet pa ndërprerje në vend ose të paguajnë tarifa marramendëse studimi: 5.000 euro për vit akademik. (Në Universitetin e Mynihut tarifa vjetore është 250 euro, ndërsa në Francë vetëm 128 euro.)

– Miratohet VKM nr. 397, 29 qershor 2023, (shtojcë e KVM 386, 1 qershor 2022), sipas të cilit ndryshojnë kushtet e përfitimit të pagës minimale për studentët e degëve me prioritet kombëtar, duke rritur mesataren që duhet të kenë studentët nga 7.5 në 9.5, ndërkohë që znj. Kushi (29 qershor) shprehej publikisht për heqjen e kriterit të mesatares dhe për heqjen e kriterit të ruajtjes së mesatares gjatë viteve të studimeve për përfitimin e pagës minimale.

– Ri penalizohen studentët pasi në VKM e 2023-it shprehet se diplomat duhet të tërhiqen pas 6 vitesh nëse nuk je punësuar – ndërkohë që VKM e 2022-it përcakton 3 vjet punësim të detyruar.

– Kufizohet ndjeshëm numri i studentëve që përfitojnë pagën minimale- tashmë e përftojnë vetëm studentët e ekselencës: Për vitin akademik aktual 2023-`24, janë akorduar shumë pak bursa krahasuar me numrin e studentëve të degëve prioritare që përmbushin kriteret për përfitimin ne tyre, një proces i centralizuar që menaxhohet nga ministria e cila shpall fituesit, për shembull:

Universiteti i Tiranës: vetëm 25 bursa nga 262 studentë të miratuar për bursë

Universiteti i Korçës: 24

Universiteti i Shkodrës: 14 Universiteti i Gjirokastrës: 5

– Kushtet nuk u bënë të ditura në kohën e duhur, por pasi studentët ishin regjistruar e pasi filloi mësimi. Ende sot nuk është akorduar asnjë fond financiar për bursat e studentëve të degëve prioritare, madje as për studentët me nevoja ekonomike.

KORRIK

” Miratohet Ligji Nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”, pa marrë parasysh mendimin e faktorëve kryesorë të interesit- duke i detyruar studentët e mjekësisë të punojnë 5 vjet në vend, përndryshe i kushtëzon ato të paguajnë taksë vjetore 5000 euro për vit akademik.

” Studentët e mjekësisë protestojnë kundër ligjit.

” Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon me tenderimin për investimin me vlera marramendëse të 216 laboratorëve smart, ndërkohë që 100 smart lab-ët e parë nuk kanë gjurmë kund.

– Për vitin 2023, 100 laboratorë. Kosto totale: 3.2 milionë euro

– Kosto për laborator: 32,000 euro

– Për vitin 2024, 216 laboratorë. Kosto totale: 16.5 milionë euro

– Kosto për laborator: 76,389 euro Kostoja për laborator për 2024 është shumë më e lartë se një vit më parë dhe konkretisht rritet rreth 138.72% në koston për laborator kur krahasohen me 2023.

Me Urdhrin nr.203, datë 25.04.2023, të ministres E. Kushi, lënda TIK është hequr nga plani mësimor i arsimit bazë. Kjo lëndë u vendos në korrik të vitit 2022 dhe u hoq pas më pak se 8 muaj, me shumë gjasa për mungesë të infrastrukturës dhe burimeve njerëzore.

GUSHT

” 40 % me pak maturantë aplikojnë për mjekësi

– rezultat i drejtpërdrejtë i VKM-së që shkel të drejtat njerëzore e profesionale të studentëve.

– viti akademik 2022-2023: rreth 3000 aplikantë

– viti akademik 2023-2024: 1800 aplikantë

” Rënie drastike e numrit të maturantëve që aplikojnë për studime të larta. Rënia e numrit të maturantëve që aplikojnë në universitete nga viti 2021- 2023

grafik

SHTATOR

” Rënie drastike e numrit të nxënësve që ndjekin arsimin e detyruar 9- vjeçar, arsimin e mesëm dhe shkollat e mesme profesionale, krahasuar me vitin shkollor 2022-`23; vijon mësimi në klasa kolektive e në shkolla të bashkuara; rritet numri i shkollave të braktisura, shtohet presioni ndaj mësuesve që do të humbin vendin e punës sepse nuk kanë nxënës.

” Rreth 67 000 nxënës më pak në arsimin e detyruar 9-vjeçar publik; rreth 27 000 nxënës më pak në arsimin e mesëm publik; afro 9 000 mësues më pak në arsimin parauniversitar (të detyruar e të mesëm) – krahasuar me 6 vjet më parë.

” Sot, atdheut tonë i mungojnë afro 100.000 nxënës në arsimin parauniversitar (për harkun kohor të vëzhguar), që flasin për refuzimin masiv të familjeve tona ndaj shërbimit arsimor që ofron Rilindja.

” Në këto 10-11 vite të qeverisjes së Rilindjes, arsimit shqiptar i mungojnë rreth 250.000 nxënës e studentë, fakt që lidhet drejtpërdrejt me politikat mosmbështetëse të kësaj qeveria për arsimin, me gjendjen e vështirë ekonomike të familjeve shqiptare, të cilat, duke mos gjetur mundësi ekonomike në atdhe emigrojnë jashtë vendi

TETOR

Viti i ri akademik fillon me:

” Bojkotin e auditorëve nga studentët e mjekësisë, për shkak të Ligjit 60/ 2023 të miratuar në korrik, që shkel të drejtat themelore njerëzore dhe profesionale të mjekëve të ardhshëm. Së fundmi Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesat e studentëve -duke pohuar se nuk mund te lidhet asnjë kontratë mes universitetit dhe studentëve për t`i detyruar të punojnë në Shqipëri 2, 3, 5 vjet. Ligji kaloi sërish në kuvend për të rishikuar afatet kufizuese ndaj studentëve, sepse ato shkelin te drejtat themelore të individit (janar ’24).

” Protestën e studentëve të vitit të parë të degëve prioritare kundër kufizimeve të përftimit të pagës minimale;

” Thuajse 100 degë studimi në universitete rajonale gjenden në prag të mbylljes, prej të cilave, 80 degë janë prioritare. Disa degë prioritare nuk kanë asnjë student në vitin e parë, të tjera 5 ose 8 studentë; ka edhe degë studimi që, pasi kanë pushuar 2-3 vjet, rifillojnë këtë vit akademik me rreth 10 studentë.

” Uljen e ndjeshme të numrit të studentëve që regjistrohen në vit të parë në universitetet e vendit.

Vërejmë se:

” degët e mësuesisë i zgjodhën 15 % e maturantëve më të dobët;

” rreth 28% e gjithë studentëve ndjekin: mjekësi, infermieri, mami (degë 2-vjeçare) për të siguruar punë jashtë vendit;

” 40-60% e maturantëve për universitete rajonale kanë shkuar për mjekësi, infermieri, mami etj. me synimin për të emigruar.

” Në këto 10 vite kemi 54 000 studentë më pak, e, me këto ritme, brenda pak vitesh, sipas të gjitha gjasave, një pjesë e rinisë do të studiojë jashtë shtetit, një pjesë do të shkojë në arsimin jopublik pasi ai ofron më shumë se arsimi publik dhe pjesa tjetër, mjerisht, do të emigrojë për kushte ekonomike, sepse një diplomë e studimeve të larta nuk mjafton për sigurimin e një vendi pune, nëse nuk militon në partinë në pushtet apo nëse nuk ke bërë patronazh për të.

Numri i përgjithshëm i regjistrimeve për secilin universitet në këto programe:

grafik1

grafik2

Programi i studimit Arsim fillor në universitete rajonale

grafik3

Vërehet se mbështetja e studentëve me pagë minimale ka ndikuar në rritjen e numrit të studentëve këto dy vite, (një pjesë e konsiderueshme e tyre shprehen se janë regjistruar në Mësuesi për shkak të mbështetjes financiare për të përballuar studimet), siç, nga ana tjetër, është e kuptueshme që kufizimi i përftuesve të bursës vetëm për studentët e ekselencës, do të ndikojë që nga viti ardhshëm akademik në uljen e numrit të studentëve që do të ndjekin këto degë.

NËNTOR

Miratohet për 5 minuta buxheti i arsimit për vitin 2024 në shifrat: 2.3% të PBB.

” Financimi i arsimit publik 2,3 % e PBB është shumë larg premtimit të qeverise për 5% të PBB e thuajse 2 herë më pak se mesatarja e vendeve  europiane. Financimi i qeverisë për arsimin rezulton të jetë shumë më pak se buxheti i periudhës së qeverisjes së PD që ka qenë 3,4% e PBB. Me një logjikë të thjeshtë, sikur të ishte ruajtur 3.4% i PBB sot, të paktën, do të ishin rritur pagat e mësuesve dhe pedagogëve, të cilat janë në gjendje mjeruese, gjithkaq, do të ishin mbështetur realisht studentët dhe kërkimi shkencor.

” Parashikohet investim në Universitetin e Durrësit – ndërkohë që është i vetmi universitet pa godina fjetore.

” Parashikohen investime për ndërtimin e godinave të reja arsimore- gjë që nuk është në përputhje me realitetin e sotëm arsimor të vendit ku institucionet arsimore janë shndërruar në fantazma, pa fëmijë e pa mësues.

” Planifikohet që 90% e stafeve me kohë të plotë të departamenteve të jenë me grada/tituj në 2025, në përputhje me parimet e barazisë gjinore- një absurditet që shkel autonominë universitare. Nuk është detyra e MAS-it të merret me masivizimin e gradave dhe titujve, ndërkohë që për 10 vjet u hoqi universiteteve ciklin e tretë të studimeve, studimet doktorale.

” Planifikohet që arrihet standardi 7 kërkues për çdo 1000 të punësuar në vitin 2026. (ky zë i buxhetit është krejt i njëjti me atë të vitit 2023. Gjithsesi lind pyetja 7 kërkues në raport me 1000 të punësuar, ku, në cilën fushë? ¢ Premtohet një rritje e numrit të studentëve, ndërkohë që 10 vitet e fundit, universitetet po njohin si asnjëherë më parë në historinë e tyre rënie të thellë të numrit të studentëve. Ndërkaq, arsimi bazë dhe ai i mesëm po braktiset me shifra të frikshme prej shpopullimit për motive mbijetese. Mosmbështetja e qeverisë për arsimin e lartë duket sikur synon dobësimin e statusit të universiteteve për t`i kthyer një pjesë të tyre thuajse në shkolla të mesme në nivel gjimnazesh.

DHJETOR

Ngjarje e rëndë për arsimin tonë, testimi PISA vlerëson se aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë kanë rënë 47 pikë, 69 dhe 50 pikë, krahasuar me testimin e vitit 2018, duke i renditur nxënësit tanë pas Palestinës dhe Uzbekistanit. Jemi vendi me rënien më të madhe nga të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse në PISA.

¢ Aftësitë e nxënësve në lexim kanë shkuar mbrapa në vitet 2000, është thelluar niveli i analfabetizmit funksional në vend, diferenca e aftësive të nxënësve midis zonave rurale e urbane. Është rritur numri i nxënësve të dobët e shumë të dobët në masën mbi 65% dhe, nga ana tjetër, nxënësit e shkëlqyer janë shumë të rrallë (për të mos thënë se nuk ekzistojnë); janë në sajë të punës e vullnetit të tyre dhe kurseve të ndryshme që ndjekin. Raporti tregon se përkeqësohet edhe:

– Klima shkollore (diskriminimi, bulizmi),

– Mirëqenia e nxënësve,

– Ndjesia e përkatësisë së nxënësve në shkollore,

– Performanca dhe statusi socio-ekonomik,

– Performanca dhe diversiteti,

– Burimet për edukimin -gjë që ekspertët e PISA-s e përkufizojnë si: “the strongest decreases among PISA-participating countries”.

Capture

Sipas të dhënave të shprehura grafikisht në raportin e PISA-s, aftësitë e matshme të nxënësve në Matematikë sipas statusit socio-ekonomik e rendisin Shqipërinë pas Palestinës dhe Uzbekistanit.

grafik 4

Aftësitë e nxënësve nga viti 2020 sipas fushave të testimit

grafik5

Në tri kurbat e grafikut të mësipërm janë pikat fundore që tregojnë rezultatet e nxënësve tanë në fushat e testimit: lexim, matematikë, shkencë.

grafik56

Gjithnjë e më tepër në arsimin parauniversitar po shënohen dukuri të karakterit social, të mos shoqërizimit të fëmijëve apo të ndjerët keq në komunitetin shkollor, që në realitetin shqiptar të arsimit parauniversitar janë thelluar, siç rithekson grafiku më sipër në raportin e PISA-s.

¢ Ministria e Arsimit dhe Sportit ende nuk ka dalë të shprehë përgjegjësi publike. Për rezultatet që dëshmojnë dështimin e radhës shigjeta drejtohet tek mësuesit, të cilët janë të keqtrajtuar profesionalisht, të keqpaguar. Ata detyrohen të plotësojnë sistemin SMIP edhe pse nuk kanë pajisjet e nevojshme, detyrohen të plotësojnë pirgje me formularë e shkresurina duke ia devijuar misionin e mësimdhënies në atë të burokratit. Nuk është fajtor mësuesi se laboratorët smart nuk ekzistojnë as në mes të Tiranës apo se lëndën e TIK-ut detyrohen ta japin mësues të lëndëve të tjera dhe kësisoj mësimdhënia e saj është e pamundur.

¢ Adoleshentet e vendeve të tjera humbën 10 pikë në lexim, 15 në matematikë- që ndryshe, siç shprehen ekspertët e huaj të arsimit,- do të thotë se kanë humbur 9 muaj shkolle (1 vit shkollor). Sipas kësaj përllogaritjeje, fëmijët tanë kanë humbur më shumë se 5 vjet shkollë.

¢ Pretendimin se rënia erdhi për shkak të pandemisë dhe ka prekur edhe vende të tjera, e kundërshtojnë faktet se pandemia ishte globale e preku të gjitha vendet, por asnjë vend tjetër nuk pësoi rënie në një nivel kaq të ulët sa nxënësit tanë Në këtë këndvështrim, 53% e nxënësve që morën pjesë në testet e PISA-s në Gjermani nuk ishin gjermanë, por emigrantë. Megjithatë, ministrat e landeve morën menjëherë përgjegjësi institucionale dhe brenda dy ditëve u mblodhën dhe deklaruan kosto të mëdha financiare për rikuperimin e situatës. Vendet e OECD shpenzojnë 10 herë më shumë se Shqipëria për një nxënës ose student në vit. Ne shpenzojmë 1000 euro në vit për çdo nxënës ose student.

PROPAGANDA PËRBALLË FAKTEVE

¢ Faktet tregojnë se qeveria nuk ka ndërmarrë reforma reale, por vetëm propagandë. Qeveria nuk e ka prioritet arsimin, çka duket qartë me financimin më të ulët në rajon, madje të ngjashëm me vendet më të pazhvilluara të botës së tretë. Financimi i arsimit publik me 2,3% e PBB-së është tregues i degradimit të shpejtë të arsimit në të gjitha nivelet. ¢ Arsimi është skajshmërish i politizuar. Sot qeveria i kontrollon politikisht mësuesit me shumë se në vitet e fundit para përmbysjes së diktaturës. Madje, deri tek rrjetet sociale, facebook, instagram etj. Liria e mësuesve thuajse nuk ekziston më, liria akademike e pedagogëve është në letër, ajo është shumë pak e materializuar.

¢ Universiteti është e qartë se nuk përbën prioritet për qeverinë, madje, as ka qenë ndonjëherë gjatë këtyre 11 viteve; universiteti nuk trajtohet si e mirë publike dhe as si qendër graviteti për të rinjtë që ata të mos braktisin vendin por përkundrazi, trajtohet nga qeveria si fond monetar për rikonstruksione, ngritje ngrehinash të reja në vend të investimit në infrastruktura laboratorike e teknologjike për stafet akademike dhe studentët për të mos përmendur që në këto ditë dimri ka edhe auditorë pa ngrohje. Fondet për kërkim shkencor mbeten në nivel lëmoshe.

¢ Universitetet tona renditen në fund të tabelës së cilësisë nga entet e vlerësimit ndërkombëtar, madje shpesh nuk plotësojnë as kriteret për t`u përfshirë në këto vlerësime.

¢ Shqipëria ka një buxhet shtetëror tejet të kufizuar për kërkimin shkencor në krahasim me vendet e tjera europiane, ballkanike dhe mesdhetare, me laboratorë 30-40 vjeçare, çka ua vështirëson studiuesve rezultatet cilësore. Universitetet tona rrezikojnë të braktisen edhe më shumë nga studentët më të mirë dhe nga kërkuesit e rinj, të cilët, gjithmonë e më shumë po synojnë formim profesional në nivele ndërkombëtare jashtë vendit.

¢ Dështimi i Paktit me Universitetin shpreh qartësisht si i ka braktisur qeveria studentët.

¢ Gjatë 10 viteve të fundit, universitetit i mungojnë jo pak, por 54 000 studentë dhe po vazhdoi kjo situatë do të boshatisen edhe auditorët e universiteteve më me traditë të vendit. Prej disa vitesh, një pjesë e konsiderueshme e degëve të studimit, veçanërisht e universiteteve rajonale, po mbijetojnë duke i regjistruar studentët e vitit të parë në mënyrë fiktive, për të arritur numrin minimal të hapjes së degës. Nga viti në vit po bie numri i studentëve që regjistrohen në degë të mësuesisë, gjë që do të na përballë së shpejti jo vetëm me mungesën e mësuesve për lëndët e shkencave ekzakte, por edhe për ato humane, si dhe me mungesën e mësuesve të ciklit të ulët etj.

Degë si Fizika, Kimia kanë këtë vit akademik 8 e 5 studentë, ndërkohë që në universitetet rajonale, gjatë këtyre viteve, kanë edhe më pak të regjistruar në vitin e parë ose nuk kanë asnjë. ¢ Po rritet nga viti në vit numri i maturantëve që parapëlqejnë të studiojnë në universitete jopublike. Nga sondazhi që organizoi ASCAL-i (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë) raportohet se studentët i vlerësojnë ato me kushte më të mira, me shërbime më efikase dhe me cilësi të lartë.

Për pak vite rrezikohet që arsimi publik të mos ketë më epërsi ndaj atij jopublik si në nivelin e parapëlqimit të maturantëve për t’u regjistruar në vitin e parë, ashtu dhe në atë të shërbimeve që ofron për studentët. Konkretisht, këtë vit akademik regjistrimet në universitete jo  publike shënuan mbi 34% pranime, ndërkohë që përgjatë viteve kanë qenë në shifrat 8-10%.

¢ Në Maturën 2023, numri i maturantëve që shprehën vullnetin për të studiuar jashtë vendit (në Formularin A2), ishte 11.000, nga 25.774 maturantë gjithsej, shifër që tregon se afro 43% e maturantëve refuzojnë arsimin e lartë të vendit tonë. Jemi 1 ndër 10 vendet në botë me emigrim më të lartë të trurit dhe intelektualëve -ngjashëm me vendet e Afrikës.

¢ Drejtimi i arsimit parauniversitar mbetet në dorë të militantëve dhe funksionarëve të strukturave të partisë socialiste- përzgjedhja e tyre nuk bazohet në meritokraci.

¢ Mësuesit tanë kanë pagën më të ulët në rajon e të pakrahasueshme me vendet e BE-së.

¢ Sistemi i trajnimit dhe i kualifikimit të mësuesve nuk mbështet nevojat e tyre reale. Kompanitë e trajnimit akreditohen nga MAS vetëm mbi baza korruptive.

¢ Edhe arsimi profesional, tejet i propaganduar prej qeverisë, gjendet sot pa nxënës e pa laboratorë, por dhe ai me ngrehina luksoze të investuara nga taksat publike disa herë më shumë se kostoja reale e ndërtimit të tyre. Kostoja e investimit për godinat e shkollave është rreth 3.5 milionë euro, ndërkohë që, ato të ndërtuara nga institucionet ndërkombëtare shkojnë disa herë më pak.

¢ Rënia e thellë e numrit të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional në masën thuajse 40%, (siç tregohet në grafikun më poshtë) është paraprirë nga rënia e numrit të nxënësve. Nga vit 2018-2019 me 21289 nxënës, këtë vit shkollor kemi 14373 nxënës, pra, 6916 nxënës më pak ose, shprehur ndryshe, gjatë 5 viteve të fundit arsimi ynë profesional ka afro 30% më pak nxënës. Faktet flasin për regjistrime fiktive, për nxënës që regjistrohen në fillim të vitit shkollor e që largohen në tremujorin e dytë- për t’i zgjatur kështu jetën sa të jetë e mundur më shumë institucioneve arsimore profesionale.

¢ Institucionet e arsimit dhe formimit profesional janë menaxhuar këto vite në mënyrë absurde e të pakrahasueshme me vendet e tjera: me një këmbë në MAS dhe këmbën tjetër në ministri të tjetra, për shembull tek Ministria e Financave e tashmë, prej disa ditësh kanë kaluar nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

¢ Fakti që 40% e të diplomuarve në Mësuesi nuk e kalojnë Provimin e shtetit për ushtrimin e profesionit të mësuesit është domethënës për greminën ku gjendet sistemi edukativ sot.

¢ Arsimi i të gjitha niveleve po degradon me shpejtësi dhe kjo po ndodh për shumë shkaqe, mes të cilave shënojmë:

– Braktisja e arsimit nga ana e shtetit,

– Mungesa e vizionit,

– Mosgarantimi (ose, më së paku, ulja) e cilësisë,

– Kostot e larta të jetesës dhe të studimeve;

– Degradimi i statusit të mësuesve (kontrolli i rreptë politik mbi të);

– Degradimi i figurës së pedagogëve;

– Shpërdorimi dhe përvetësimi i taksave të qytetarëve

– Investimet propaganduese abuzive;

– Mosmbështetja e studentëve (një pjesë e të cilëve janë mësuesit e nesërm);

– Mungesa e tregut të punës;

– Degradimi i testimeve kombëtare;

– Përhapja masive e drogës, madje edhe në shkollat 9-vjeçare, si dhe e dukurive të diskriminimit, veçimit, bulizmit, mospërfshirjes, konflikteve etj.

– Katrahura e kurrikulave të arsimit parauniversitar;

– Degradimi i infrastrukturës mësimore dhe teknologjike etj.

grafik7

Rrënimin e cilësisë së arsimit e venë re prindërit që po tmerrohen çdo ditë me ndodhitë në shkolla, ndaj ata që kanë pak mundësi financiare po i largojnë fëmijët në shkolla jopublike.

¢ Strategjia e arsimit 2022-2027 ka mbetur në letër dhe ende nuk ka filluar të implementohet. Ndërmarrja e reformave është urgjente dhe ato duhet të bëhen në mënyrë konsensuale. Sistemi i Arsimit të lartë ka nevojë për reformë të thellë modernizuese, që garanton autonomi institucionale e liri akademike, performancë të studentëve e pedagogëve, zhvillim të burimeve njerëzore, transparencë, dhe në tërësi: shkollim cilësor të studentëve, kërkim shkencor dhe inovacion të nivelit ndërkombëtar. Ligji i Arsimit të Lartë dhe i Kërkimit Shkencor nuk u përgjigjet më sfidave të një reforme të thellë për dekadën e tretë dhe të katërt të këtij shekulli.

¢ Vlerësimi i cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit është formal dhe burokratik por i tillë që nuk krijon besueshmëri për nxënësit, studentët, prindërit e punëdhënësit.

¢ Akreditimi ne Arsimin e lartë: mbi 60% e programeve të studimeve në universitete publike janë të pa akredituara, çka do të thotë sipas ligjit, nuk plotësojnë kërkesat ligjore për cilësinë. Koha ka ardhur për vlerësimin e IAL dhe programeve të tyre mbi bazën e rankimit ndërkombëtar, gjë që do të çonte në sigurimin e cilësisë së vërtetë të standardeve ndërkombëtare. Së fundmi, gjendjes së zymtë të sistemit tonë arsimor do të duhet t`i shtojmë edhe një lajm që na vjen nga ekspertët e huaj:

¢ OECD ka shpallur kornizën për testin PISA 2025, që do të përqendrohet në fushën inovative të të mësuarit në botën digjitale, duke synuar matjen e aftësive të nxënësve për t`u përfshirë në mësim të vetërregulluar përmes përdorimit të mjeteve digjitale. Ekspertët e huaj të arsimit për PISA-2025, shprehen se “Shqipëria rrezikon përkeqësimin e rezultateve të nxënësve për shkak të dobësisë së kërkimit shkencor dhe mungesës së plotë të mësimit digjital në arsimin parauniversitar”. Do doja shumë të mos ndodhë kështu – sistemi edukativ sot, tregon Shqipërinë e nesërme.

*Pedagoge, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura