Në zakonin e nisjes së një pune të re do të mjaftonin urimet. Sidomos në rolin
e një kryebashkiaku, do të ishin urimet për të mbajtur premtimet e një fushate. Për ta thënë hapur, pa pasur aspak lidhje me pesimizmin, duhet thënë që në fillim se arritja e të gjitha premtimeve të dhëna nga Basha gjatë fushatës është tejet e vështirë, edhe pse jo e pamundur. Është e vështirë
pasi Tirana është një kryqëzim interesash, ku nuk dihet se ku mbarojnë ato qytetare e ku fillojnë ato politike. Dhe vetë kryebashkiaku aktual e ka të qartë se do të jetë gjatë gjithë mandatit mes betejës si përfaqësues i një force politike, por edhe i kuotimeve të tij politike në të ardhmen. Mjaftojnë komentet e fundit politike, lidhur me votat që mori për në Kryesinë e PD-së, për të parë edhe se, ajo që do të ndërtojë gjatë këtij mandati për Tiranën
mund t’i konvertohet në të ardhmen e tij në PD. Aq më tepër, duke qenë në qendër të vëmendjes për shkak të Bashkisë me më shumë interesa në vend, ai do të jetë edhe në qendër të betejës politike si brenda partisë së tij e ashtu edhe me opozitën, që tashmë do ta shigjetojë për çdo veprim apo vendim.
Kjo edhe për faktin se PS do të tentojë të tregojë në çdo moment se Basha si kryebashiak nuk i afrohet Ramës si kryetar Bashkie. Por cilat janë sfidat reale të kryebashkiakut të ri?
Pikë së pari, Bashës do t’i duhet të plotësojë stafin në Bashkinë e kryeqytetit, duke nisur me të dorëhequrit. Që në këtë moment për Bashën nis një sfidë: do të zgjedhë të ofruarit nga PD apo njerëz të cilëve u njeh aftësinë për të bërë punët që i duhen? Përgjigja që do t’i japë kësaj pyetjeje, do të shënojë
edhe përvijimin e parë të marrëdhënieve të tij në të ardhmen me partinë.
Së dyti, ai vjen në krye të një Bashkie të akuzuar për klientelizëm. Por edhe ai vetë ka detyrime politike ndaj atyre që e kanë mbështetur, ndërkohë që deri më sot, për të njëjtat arsye, paraardhësi i tij ishte akuzuar për mbështetje vetëm të një grupi biznesi afër ideve të tij politike, çka krijoi edhe monopole
në disa fusha. Ndaj, mënyra se si do t’i vërë ai nevojat politike përballë nevojave të qytetit, mund ta kthejnë atë ose në të kundërshtuar nga qytetarët, ose të sulmuar nga ata që kanë pretenduar për të përfunduar iniciativat e tyre. Dhe distancimi ose të qenit i besuar edhe për ata që s’të kanë votuar, nuk është i lehtë, pasi në një vend si yni, ku shumica njihen ose sugjerohen nga të njohur, duhet shumë kurajë për t’i dhënë zgjidhje “në
mbështetje të ligjit dhe në interes të qytetit”. Së treti, Tiranës i duhet krijimi i një infrastrukture me parkingje, parqe publike, shkolla, një trafik i stabilizuar dhe kushte të zhvillimit kulturor. Për modelin e ndërtuar deri më sot, krijimi i këtyre hapësirave duket gati utopi, sidomos përballë shumë qytetarëve, që
pronën e tyre e shohin si mundësi për një ndërtim e jo për fushë lodrash.
Dhe duhet pranuar se të gjitha këto çështje nuk zgjidhen aspak me modelin e takimeve qytetare, për të cilat Basha ka premtuar hapjen e dyerve. Madje, më shumë se sa hapja e derës për qytetarët, kryebashkiaku ka nevojë për këshilltarë të zotë, që t’i thonë hapur atë që u nevojitet qytetarëve (Makiaveli, një nga njohësit më të mirë të logjikës së pushtetit, thotë se “një udhëheqës varet nga stafi që zgjedh”). Ndërkohë që takimi me qytetarët mund të shkojë shpejt drejt shuarjes, për shkak të karakterit vetëm individual
ose për shkak të mënyrës se si ata kërkojnë të ngrenë çështjet e tyre në Bashki. Në botën e sotme ka modele të suksesshme të ndërtimit të jetës së qytetit. Në një jetë të përbashkët, mes shumë banorëve të ardhur nga qytete e fshatra të ndryshme mbetet një mision i vështirë i koordinimit të interesave të përbashkët, duke nisur që nga menaxhimi i hapësirave të përbashkëta.
Të gjitha këto kërkojnë një strukturë të re komunikimi, ku më shumë sesa individët, zgjidhin punë kontaktet me përfaqësues publikë të grupeve të interesit, ku zgjidhja vjen edhe më e pranueshme nga opinioni e me më pak mundësi kundërshtimi individual. Ndërkaq, lidhur me dyert e hapura për
qytetarët që premton Basha, duhet thënë se qytetari, më shumë sesa një pritje nga kryetari, ka nevojë të dijë se ku duhet të drejtohet, se për sa kohë mund ta zgjidhë një çështje, se sa kosto ka zgjidhja e çështjes që ai
ngre, gjëra të cilat deri më sot kanë qenë të vështira për t’u marrë vesh. Ndaj, Basha ka misionin e vështirë të ndërtojë së pari një staf që krijon bindjen dhe sigurinë se zgjidhja mund të vijë nga puna e atyre që paguhen për të shërbyer. Gjithashtu, duke qenë pjesë e maxhorancës qeverisëse, Basha nuk ka asnjë justifikim për pengesa në realizmin e projekteve për qytetin. Por, duke qenë tashmë përfaqësues i qytetarëve të Tiranës, ai nuk është vënë
kurrë përballë maxhorancës, sidomos në raste kundërshtimi të ndonjë projekti qeverisës, siç janë ndërhyrjet në infrastrukturë apo trashëgimi kulturore. Këto pozicione të reja janë sërish një pjesë e pikëpyetjeve se si ai
do të ndërtojë profilin e tij politik brenda partisë së tij dhe përpara qytetarëve.
…Gjithsesi, dy ditë pas betimit, mjaftojnë edhe vetëm urimet- sidomos urimet për të mbajtur premtimet. Fati është se kryebashkiaku i sapobetuar nuk është në prag pensioni politik, por në fillimet e tij politike, ndaj na mbetet të lusim Zotin që ta ndihmojë në punën e tij, për të shpresuar se ai do të shohë më larg se katër vjet…












