
Kompania “CEZ Shpërndarje” ka prezantuar një nga shërbimet më të reja për klientët e rinj, kontrollin online të statusit të aplikimit për lidhje të re. Çdo qytetar, pasi ka kryer aplikimin për një kontratë të re pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit, nuk do të jetë më e nevojshme që të paraqitet sërish atje për të marrë informacion në vijim rreth statusit të aplikimit të tij.
Risitë online
Ecuria e aplikimit mund të kontrollohet tashmë vetëm përmes një klikimi. Aplikacioni funksionon shumë thjesht. Mjafton të keni numrin serial të aplikimit, i cili ndodhet në kopjen e formularit me të cilin jeni pajisur nga specialistët në qendrën e Kujdesit ndaj Klientit. Këtë numër serial, e vendoseni te kutiza që shfaqet në linkun e afishuar në faqen e internetit www.cez.al dhe menjëherë do t’ju shfaqet statusi i aplikimit dhe hapat që duhet të ndiqen më tej.
E-banking
Shmangia e radhëve të gjata në periudhat e fluksit dhe lehtësimi i ndjeshëm i procesit të pagesave të faturave, është një realitet prej më shumë se një viti, që nga momenti kur CEZ Shpërndarje ka vënë në përdorim pagesat online nëpërmjet shërbimit e-banking. Falë këtij shërbimi mundësohet që pas kontrollit të faturës online nëpërmjet e-bill, çdo klient mund të bëjë pagesën nga shtëpia, zyra ose kudo ku mund të ketë qasje në internet, pa pasur nevojë të paraqitet në arkat e kompanisë së shpërndarjes ose në bankë. Pagesat bëhen edhe më lehtë nëpërmjet shërbimit “direct debit”, nëpërmjet të cilit fatura mujore paguhet automatikisht çdo muaj nga llogaria juaj rrjedhëse. Mjafton të keni një llogari rrjedhëse dhe mjaftueshëm likuiditet, dhe nuk do të jetë më e nevojshme të mendoni për pagesat, pasi nëpërmjet një urdhri të thjeshtë që i jepni bankës suaj, kurseni kohë të konsiderueshme, pa qenë e nevojshme të përsërisni kërkesën.
Saktësimi i të dhënave
Në rast se ju jeni regjistruar tashmë në shërbimin e-bill, nëpërmjet të cilit mund të gjenerohet fatura e energjisë, bëhet i mundur ndryshimi i të dhënave të kontaktit ose saktësime në emrin e titullarit të kontratës. Kjo kryhet në kuadër të fushatës për saktësimin e të dhënave, e cila synon të përditësojë të dhënat e klientëve dhe të përmirësojë shërbimin ndaj tyre. Përfaqësues të CEZ Shpërndarjes shprehen se fushata e saktësimit të të dhënave nëpërmjet shërbimit e-bill ka bërë që shumë klientë t’i drejtohen këtij shërbimi online për të saktësuar të dhënat e kontratës automatikisht, pa qenë e nevojshme të paraqiten në qendrat e Kujdesit ndaj Klientit.
Informacioni
Në faqen e internetit të CEZ Shpërndarjes është afishuar edhe adresa e postës elektronike [email protected], nëpërmjet së cilës klientët mund të shkruajnë dhe të kërkojnë informacion më të detajuar për praktika të ndryshme, si dhe të ankohen në rast se kanë probleme me matjen apo faturimin. Nëpërmjet këtyre shërbimeve, CEZ Shpërndarje po i afrohet një standardi tashmë të praktikuar kudo nëpër botë, ku kompanitë e mëdha synojnë të rrisin efikasitetin dhe të përmirësojnë shërbimin ndaj klientëve.











