Cesk Fabregas: U riktheva në shtëpi

Aug 16, 2011 | 11:03

Rikthimi në shtëpi i djaloshit të penduar është pritur nga 25 mijë tifozë mesditën e djeshme në “Kamp Nou”, të cilët nuk mund ta humbitnin shansin për ta riparë Francesk Fabregasin me fanellën katalanase. Nuk mungonin turistët, emigrantët apo familjet katalanase që realizonin një ëndërr (ishte një nga negociatat më të gjata të historisë së futbollit (një vit e gjysmë). “Kam ardhur këtu, sepse jam gati të luftoj për një vend titullari. 3 vjet më parë nuk isha gati, tani po”, – ishin fjalët e ish-kapitenit të Arsenalit pas prezantimit. “Do të jetë një sfidë e vështirë, sepse mesfushorët e Barcelonës janë lojtarët më të mirë në botë, por unë kam besim se do ta gjej hapësirën time në ekip”. Atmosfera që rrethon transferimin e bujshëm prek edhe 24-vjeçarin: “U riktheva në shtëpi. Unë isha i lumtur në Londër, por u riktheva në vendlindje për të punuar, për të triumfuar me skuadrën më të bukur dhe të vështirë në botë. E përsëris, unë kam zgjedhur momentin e duhur për t’u rikthyer”. Në Barcelonë të gjithë ndihen sikur djali i tyre është çliruar nga prangat e Arsen Vengerit, por Cesk nuk mendon kështu: “Të ndahesha me ambientin që për 8 vite ka qenë i mbushur me gëzim dhe trishtim, ishte e vështirë. Nuk do të gjej kurrë fjalët për të përshkruar atë që Venger ka bërë për mua. Ishte një baba i dytë. Nuk do të më kishte shitur as për 50 mln euro. Është një njeri i madh. Më vjen keq që në Barcelonë kanë një mendim të gabuar”. Në 2006-n, madrilenët ishin shumë pranë firmës me lojtarin: Nuk kam ndër mend të komentoj kontaktet e mia me Realin. Rivaliteti me Barçën është i tmerrshëm dhe e di që më presin beteja të vështira. E para do të jetë të mërkurën në Superkupë. Fizikisht ndihem shkëlqyeshëm. Nëse Guardiola më beson, unë do të jem gati për të luajtur. Mezi po pres që të stërvitem me skuadrën e re. Falënderoj Tiagon për numrin 4″.

Ronaldo: Valdez më pengoi, ishte penallti

Për Kristiano Ronaldon, gjyqtari u vodhi fitoren madrilenëve në “Bernabeu” në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës. Asi portugez, i cili duhet të ishte shpërblyer me një 11-metërsh pas ndërhyrjes së gabuar të portierit Viktor Valdez, konfirmoi se mes numrit 1 të Barçës dhe vetë atij kishte pasur një kontakt të pastër. “Viktor më preku këmbën dhe ishte një penallti e pastër. Por, arbitri nuk e pa dhe ne duhet të respektojmë vendimin e tij para së gjithash. Ndeshja e kthimit do të jetë e hapur, por nëse ne luajmë si të dielën, me të njëjtin volum loje, atëherë mund të fitojmë edhe në Barcelonë”.

© Panorama.al

Te lidhura