Çështja çame si model integrimi

Jun 29, 2012 | 12:25

VJOLLCA BRAHO

Të dish të lexosh të shkuarën do të thotë të dish të ndërtosh të ardhmen. Çamët kanë mundur që t’ua tregojnë këtë çdo bashkëkombësi në këto vite, ashtu thjesht, pa pasur frikë nga asnjë e vërtetë e historisë së tyre.
Kanë kaluar gati 70 vjet nga ai marshim dramatik, por për shumë nga ne, edhe pse të rinj, ajo që ka ndodhur ka mbetur e gjallë, sepse në çdo shtëpi çame është treguar ajo që ka ndodhur, duke bashkudhëtuar në jetët tona që të mos e harrojmë. Është treguar me këngë e valle, që sot i këndon dhe i kërcen e gjithë Shqipëria, si për të thënë që nuk ka dhimbje që mund të na e ulë kokën. Dhe kjo javë na tregoi se çdo bashkëkombës i yni e ka kuptuar atë që kërkojmë dhe është me ne në këtë betejë që duket se ka fituar tashmë bashkë me kohën.
Por unë sot u ula të shkruaj më së shumti e emocionuar për mënyrën se si e gjithë shoqëria, media dhe opinioni publik u kthyen në pjesën e zbukurimit të javës çame që startoi të dielën. Sepse, siç e theksoi edhe kryetari ynë z. Shpëtim Idrizi në fjalën e tij hapëse, ne kemi bashkudhëtuar më të gjithë shqiptarët për të kërkuar një të drejtë të rëndësishme jo më shumë për secilin që e ka prejardhjen nga Çamëria, por për atë që u ka ndodhur çamëve, vetëm e vetëm se ata ishin shqiptarë. Dhe ky bashkudhëtim u pa që me nisjen e kësaj jave, kur shumë prej mediave dhe shqiptarëve ishin aty, në hapat tanë drejt dhënies së të drejtës që kërkojmë.
Unë e kam krenari të theksoj se gjatë kësaj kohe çamët kanë qenë pjesë integrale e jetës së gjithë shqiptarëve, të pranishëm në ekonomi, biznes, kulturë, diplomaci. Por, së bashku, përmes zërit politik, e gjithë kjo e vërtetë mori modelin që duhet të ndjekë kushdo që kërkon të kontribuojë për vete dhe për shoqërinë. Sepse të kërkosh një të drejtë nuk do të thotë thjesht të protestosh, por të bindësh përmes fakteve, të këmbëngulësh me çdo mjet demokratik, së pari bashkëqytetarët e tu e më pas edhe mbarë botën. Dhe tashmë, ne e dimë që të gjitha bashkëqytetarët tanë janë me ne në këtë betejë, e cila ka vetëm një fund: zgjidhjen e drejtë!
Si një femër, kam parasysh ato nëna çame, të cilat kanë mundur t’i rrisin me këngë bijtë e tyre edhe pas atij eksodi që i dëboi nga shtëpitë e tyre, nga tokat e tyre. Dhe të gjithë e dinë që çamët nuk mbetën duke u përlotur me të shkuarën e tyre, por u bënë qytetarë model në shoqëri, duke kontribuar në çdo fushë. Natyrisht që ndryshimi i sistemit rihapi edhe njëherë plagën për të zgjidhur të shkuarën. Disa prej çamëve nisën betejën, por në mënyrë personale apo të organizuar jo në mënyrën e duhur. Deri kur më në fund u vendos që zëri i të gjithë çamëve të institucionalizohej, të përdorte mjetet demokratike, me hyrjen në Parlament të të zgjedhurve nga votat e amëve, për të zgjuar çdo shqiptar se kjo e drejtë duhet të përkrahet nga të gjithë, sepse ndëshkimi i vetëm i shqiptarëve ishte thjesht se ata ishin shqiptarë, se ishim një nga bashkëkombësit tanë.
Dhe ne e dimë që rruga për të vërtetën është e gjatë, por që është edhe e mundshme. E mbështetur nga çdo shqiptar, në veri apo në jug, e mbështetur nga media, që ka mundur të përçojë mesazhin çam në çdo shtëpi, ne ndihemi sot më afër asaj që kemi kërkuar. Ndaj, faleminderit të gjithëve ju që na keni bërë të ndihemi më pranë ëndrrës sonë për të kryer amanetin e të parëve tanë.
*Autorja është drejtore e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore

© Panorama.al

Te lidhura