Certifikatë false të kërkuarit, hetim Gjendjes Civile

Jun 2, 2011 | 12:35
Maljan Meçolli

KORÇE – Policia e Korçës ka çuar për ndjekje penale dy punonjës të zyrës së Gjendjes Civile të komunës Pojan, pasi kanë ndihmuar për fshehje të identitetit nëpërmjet dokumenteve false një person të kërkuar për dhunimin e dy turistëve çekë. Theodhoraq Demiri, 64 vjeç nga fshati Rëmbec dhe Naime Rustemi, 53 vjeç, nga fshati Pojan i komunës me të njëjtin emër, janë dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë me akuzën “shpërdorim detyre”. Ky abuzim me detyrën i dy punonjësve të zyrës së Gjendjes Civile të komunës së Pojanit është zbuluar një ditë pas arrestimit të 24-vjeçarit Maljan Meçolli nga fshati Pojan, i shpallur person në kërkim për grabitjen dhe dhunimin e dy turistëve çekë 5 vite më parë, në vendin e quajtur “Qafa e Zvezdës”. Gjatë arrestimit të 24-vjeçarit, me një operacion të kryer në qytetin e Bilishtit, ku edhe po strehohej kohët e fundit, policia i ka gjetur atij një certifikatë të falsifikuar me identitetin e rremë Marjon Kolami, që e përdorte për t’i shpëtuar arrestimit. Sipas hetimeve të policisë, 24-vjeçari në këto vite kur ka qenë person i shpallur në kërkim për grabitjen e dy turistëve çekë dhe përdhunimin e një vajze që kishte ardhur së bashku me të dashurin e saj për vizitë në zonën e Liqenasit, ka qëndruar sa në Greqi me identitet të rremë, por ka hyrë edhe në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, ai ka mundur të manipulojë edhe me dy punonjësit e Zyrës së Gjendjes Civile të komunës Pojan, për t’i lëshuar një certifikatë me identitetin e rremë Marjon Kolami. Sipas policisë, kjo certifikatë i është dashur 24-vjeçarit për t’u pajisur më pas me kartë identiteti dhe me pasaportë biometrike, në mënyrë që të qarkullonte më lirisht për në Greqi dhe anasjellas në drejtim të Shqipërisë. Maljan Meçolli, 24 vjeç, nga fshati Zvezdë i rrethit të Korçës, është arrestuar nga policia për veprat penale të “marrëdhënieve seksuale me dhunë” dhe të “vjedhjes me dhunë”.    g.a

© Panorama.al

Te lidhura