‘Centralizohet kujtesa në duart e një institucioni të vetëm’, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë: Ja problemet në 11 rekomandimet e Kuvendit për “Dosjet”

May 29, 2020 | 12:22
SHPËRNDAJE

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), duke vleresuar veprimtarinë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka konstatuar se “rekomandimet e Kuvendit për Autoritetin ndikojnë negativisht në procesin e zbardhjes së të shkuarës”.Jonila_Godole

Duke analizuar projekt-rezoluten e Kuvendit, me 11 rekomandime, IDMC numeron gjithe problematikat e konstatuara.

Sipas Dr. Jonila Godole, drejtore e ketij instituti, rekomandimet e Kuvendit per Autoritetin e Dosjeve, “tentojnë centralizimin e kujtesës në duart e një institucioni të vetëm, duke i dhënë Autoritetit statusin e një “Kombinati Kujtese”, në një institucion centralizues dhe të komanduar, i cili mbledh, ruan dhe përpunon dokumentacione përtej fushëveprimit të saj, ish-Sigurimit të Shtetit, siç ka qenë e përcaktuar me ligj.dosje

DEKLRATA E PLOTE

Mbi rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë për Autoritetin mbi Informimin e Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit Kuvendi i Shqipërisë gjatë muajit maj vlerësoi veprimtarinë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (në vijim: Autoriteti) për vitin 2019 dhe përgatiti një projekt-rezolutë me 11 rekomandime, të cilat janë bërë të njohura për opionionin publik përmes medias.

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) vëren se disa prej rekomandimeve të dhëna për Autoritetin dalin jashtë kufijeve ligjorë të veprimtarisë së atij institucioni e përcaktuar me Ligjin nr. 45/2015, 30 prill 2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Kjo krijon mbivendosje me rregullat dhe objektin e veprimtarisë së institucioneve të tjera publike dhe jopublike që angazhohen prej një kohe të gjatë me problematikat e ballafaqimit të regjimit represiv komunist.

Bazuar në Ligjin nr. 45/2015, neni 10, Autoriteti ka si përgjegjësi kryesore ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit; dhënien e informacioneve e të njoftimeve mbi dokumentet, si dhe garantimin e shqyrtimit dhe dorëzimin e tyre për kërkuesit si dhe mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ishSigurimit të Shtetit, nëpërmjet garantimit të mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve.

Në nenin 10 dhe gjithë të tjerat nuk parashikohet si veprimtari e Autoritetit përmbajtja e rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë në pikat 1, 2, 5, 7 dhe 11 të projekt-rezolutës. Këto rekomandime dalin jashtë kornizës ligjore të atij institucioni. Tejkalimi i përkufizimit të ligjit organik të Autoritetit është, së pari, shkelje ligjore, dhe, së dyti, mbivendosje kompetencash të institucioneve të tjera, shtetërore ose jo, që kanë për objekt studimin dhe analizimin e regjimit komunist.

Veç kësaj, zbatimi i rekomandimeve të Kuvendit nga ana e Autoritetit do të rezultojë në veprimtari që institucionet e kontrollit të ligjshmërisë së institucioneve mund ta vlerësojnë si shkelje ligjore dhe që mund t’ua rekomandojnë për vëmendje institucioneve ligjzbatuese. Autoriteti duhet të jetë intitucioni i parë që duhet të kërkojë ndryshime në rezolutë, me qëllim që rekomandimet e saj të bëhen në përputhje me kornizën ligjore ekzistuese. Megjithatë, Autoriteti duhet të dijë se rezoluta nuk e mbron dot para organeve ligjzbatuese veprimtarinë e tij të kryer jashtë kornizave ligjore, në të shkuarën apo në ardhmen.

Asnjë institucion ligjzbatues nuk do të mund t’u japë përparësi rekomandimeve të Kuvendit mbi Ligjin nr. 45/2015. Edhe po të ishin ligjore, rekomandimet e Kuvendit për Autoritetin ndikojnë negativisht në procesin e zbardhjes së të shkuarës. Ato tentojnë centralizimin e kujtesës në duart e një institucioni të vetëm, duke i dhënë Autoritetit statusin e një “Kombinati Kujtese”, në një institucion centralizues dhe të komanduar, i cili mbledh, ruan dhe përpunon dokumentacione përtej fushëveprimit të saj, ish-Sigurimit të Shtetit, siç ka qenë e përcaktuar me ligj.

Argumentet që provojnë tejkalim të kompetencave të Autoritetit dhe mbivendosje të tyre në raport me aktivitetet e institucioneve të tjera që angazhohen në këtë drejtim, duken konkretisht në pikat si më poshtë:

1) Rekomandimi (pika 1), për të ndërmarrë nisma konkrete për nderimin e Viktimave të Regjimit Totalitar dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme në përkujtim të tyre dhe rekomandimi (pika 11) për organizimin e veprimtarive të rëndësishme, sipas kalendarit të kujtesës, të mbështetura nga bashkëpunëtorë dhe institucione të memories, nuk janë kompetenca të Autoritetit por mbivendosen me veprimtarinë e shoqërisë civile dhe shoqatave të të përndjekurve, ISKK etj. Konkretisht, IDMC në partneritet me Fondacionin Kondrad Adenauer organizon me sukses prej vitit 2016 eventin ndërkombëtar “Ditët e Kujtesës”, ka krijuar prej vitit 2015 “Kalendarin online të Kujtesës”, i cili përdoret gjerësisht edhe nga aktorët e fushës dhe më gjerë (madje siç shihet, citohet edhe në këtë shkresë të Kuvendit). Autoriteti nuk e ka tagrin ligjor të kthehet në institucion që merret me organizime dhe përkujtime datash, përveç atyre që lidhen ngushtësisht me fokusin e punës së tyre: ish-Sigurimin e Shtetit.

2) Rekomandimi (pika 2) për të mbrojtur apo mbikëqyrur në mënyrë të posaçme vendet e internimit, kampet e punës dhe burgjet e regjimit komunist, i kapërcen detyrat e Autoritetit të përcaktuara me ligj. Kujtojmë se mbrojtja e vendeve të kujtesës dhe të vuajtjes duhet të ishte një detyrë primare e shtetit dhe e të gjithë shoqërisë. Siç duhet të ishte përkujtimi i viktimave të diktaturës përmes ngritjes së monumenteve, ditëve zyrtare të kujtesës, dhe natyrisht edhe muzealizimit të vendeve të vuajtjes. Ndërhyrja në vendet e kujtesës duhet të bëhet jo me frymë aksionizmi, por ato duhet të mbeten mbi të gjitha “vende autentike të vuajtjes”.

Kampi i Tepelenës apo ish-Burgu i Spaçit, për të përmendur vetëm dy prej tyre, simbolizojnë dëbimin, dhunën çnjerëzore, burgosjen, torturat dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Prandaj ato duhet të identifikohen si vende të tilla, si vende të represionit të diktaturës për ne sot dhe për brezat që do vijnë nesër, dhe jo të kthehen në parqe, apo në qendra studimore apo muze komercialo-nostalgjikë mbi “të përditshmen” në diktaturë. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar kontributi i rëndësishëm i organizatave lokale dhe atyre ndërkombëtare në rivlerësimin e vendeve të vuajtjes, ndërkohë që shteti i kishte lënë tërësisht në harresë. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe puna e tyre të mbështetet më tej, dhe jo të dublohet nga institucione publike.

3) Rekomandimi (pika 5) për ndërgjegjësimin dhe informimin qytetar për kujtesën e viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, jo vetëm nuk specifikon karakterin represiv të regjimit komunist shqiptar, por tejkalon kompetencat e Autoritetit që ka për detyrë, konkretisht, njohjen e shoqërisë shqiptare me veprimtarinë të ish-Sigurimit, si ka funksionuar ky organ represiv ish-Ministrisë së Brendshme; si ka depërtuar ai në jetën e shqiptarëve; përmes cilave metoda dhe instrumente; kush janë përgjegjësit kryesorë të krimeve të kryera në emër të Sigurimit të Shtetit, etj. Shkurt, nga Autoriteti kërkohet një analizë e thellë dhe e zgjeruar mbi aktivitetin e ishSigurimit në të gjitha aspektet e tij. Kjo është detyra bazë e Autoritetit sipas ligjit. Dhe këtë pret shoqëria shqiptare prej miratimit të ligjit më 2015 dhe kjo, për fat të keq, ende mungon. Vetëm në këtë prizëm duhet parë Autoriteti dhe misioni i tij, si qendër dokumentacioni, ekspozimi dhe edukimi në lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, njërit prej organeve më famëkeqe të përndjekjes gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Deri tani, puna e Autoritetit është fokusuar më shumë te dosjet e “viktimave”, sesa te dosjet e përndjekësve dhe persekutorëve të tyre.

Rekomandimi (pika 5) për të intensifikuar bashkëpunimin në forma të ndryshme me shoqatat e ish të përndjekurve politikë është i respektueshëm. Sidoqoftë, ne e konsiderojmë “përkujtimin dhe vlerësimin e të zhdukurve, nderimin e të mbijetuarve si dhe marrjes së dëshmive dhe fakteve lidhur me vendvarrimeve të mundshme të të pagjeturve” jo domethënës për veprimtarinë e Autoritetit. Nëse vërtet do të donim të kujdeseshim për viktimat, kjo mund të bëhej duke i mbështetur organizatat e tyre me fonde dhe burime njerëzore, në mënyrë që ata të jenë në gjendje t’u shërbejnë në mënyrë efektive interesave të anëtarëve që përfaqësojnë. 4) Rekomandimi (pika 7) që Autoriteti krahas vijimit të aktiviteteve e botimeve të gjejë mundësi dhe rrugë të reja bashkëpunimi me qëllim rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve të komunizmit, nuk specifikon tematikën e botimeve, të përcaktuar qartë në ligj, mbi rolin e Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu, nxitja për forma të reja bashkëpunimi mes Autoritetit dhe institucioneve publike dhe jopublike në fushën e kujtesës mund të krijonte precedentë për konflikt interesi, siç është evidentuar nga bashkëpunimet e deritanishme. Përmes “marrëveshjeve (formale) të bashkëpunimit” me disa institucione, të cilat Autoriteti i konsideron partnere, bëhet një diferencim i padrejtë i mënyrës së aksesit te dokumentet arkivore, si dhe te tarifimet përkatëse të tyre.

Siç kanë treguar edhe shembujt e suksesshëm të ballafaqimit me diktaturat komuniste, në Gjermani, Poloni, Çeki etj, fuqia vepruese në këtë fushë qendron te decentralizimi dhe diversiteti, sa institucional, aq edhe tematik. Sfida është se si të transmetohet ky decentralizim dhe ky diversitet në mënyrë sa më efikase dhe inovative në shoqëri.

Si t’i përgjigjemi mungesës së njohurive për diktaturën nga brezi i ri që nuk ka informacione? Si të mësohet historia e diktaturës shqiptare në shkollë? Si të përballemi në mënyrë ligjore me krimet e komunizmit? Si të arrijmë më në fund një konsensus mbarëshoqëror mbi diktaturën, krimet dhe pasojat e saj në Shqipëri?
Angazhimi publik në vitet e fundit e ish-drejtorëve të burgjeve famëkeqe të regjimit komunist apo i ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit në debate mbi mënyrën si duhet ta kujtojmë diktaturën (?!), tregon qartë se diçka nuk ka shkuar siç duhet në procesin e ballafaqimit tonë me të shkuarën diktatoriale dhe se ai kërkon sot më shumë se kurrë një angazhim gjithpërfshirës.

Përpara se t’i mbivendosim kompetenca shtesë një institucioni, është e nevojshme të analizojmë me transparencë se çfarë është bërë dhe nuk është bërë deri më sot, si dhe të mbështesim punën që kanë kryer institucionet e tjera në këtë drejtim, në mënyrë që të shmangim mbivendosjen dhe krijimin e strukturave paralele.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura