Censusi, Berisha: Na sulmojnë mjeranët

Jul 21, 2011 | 11:05

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje ashpër “Aleancën Kuq e Zi”, e cila ka dalë kundër regjistrimit të popullsisë.Duke folur nga mbledhja e qeverisë, kreu i Ekzekutivit mbrojti procesin që do të nisë më 1 tetor, duke e cilësuar atë si një akt madhor të vendit. Sipas Berishës, shtyrja e nisjes së regjistrimit të popullsisë nuk erdhi për shkak të reagimit të “Aleancës”, por për shkak të zgjedhjeve lokale, duke qenë se pushteti vendor është pjesë e rëndësishme e këtij procesi. “Shtyrja e censusit për vjeshtë ju garantoj se nuk ka asnjë lidhje me klithmat mjerane të disa individëve, të cilët për interesa të tyre personale duan të vënë në pikëpyetje identitetin, thelbin, qenien e kësaj shoqërie. Nuk ka asnjë lidhje, lidhja e vetme pse u shty censusi ka qenë fushata zgjedhore, zgjedhjet lokale, sepse qeveritë vendore kanë  përgjegjësinë kryesore në këtë akt madhor”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “këta që derdhin lot krokodili se po na kërcënohet identiteti, janë njerëz me deficencë kongenitale identiteti, këta janë të pashpresë për t’u shëruar në raport me identitetin, por shoqëria i pranon se ajo është shoqëri e lirë. Këta, të cilët na thonë ne, në virtytin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi se të shënosh fenë është diçka negative, këta janë njerëz të pazotë, këta janë mjeranë, ateistë që kanë frikë Zotin, sepse ai që e beson Zotin, e di se pavarësisht besimit, bashkohet tek Zoti me vëllezërit e tij, me motrat e tij”.

Akuzat
Ndonëse nuk përmendi emra konkretë, kreu i qeverisë foli edhe për zyrtarë të lartë të shtetit që po përdorin karrigen duke shkelur Kushtetutën kur dalin kundër procesit të regjistrimit të popullsisë. “Ata të cilët shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin këto karrige, ata përdhosin Kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë  e tyre, sepse çakejtë të paktën lehin, ndërsa ata vetë fshehin fytyrën dhe kanë frikë të dalin dhe kështu shndërrojnë institucionet kushtetuese të vendit në strofulla praktikash, konceptesh dhe qëndrimesh ataviste, primitive. Nuk mund të them antikombëtare, se nuk mund t’i vendos këta në raport me kombin, nuk duhet përdorur fare ky term për ta. Këta njerëz nuk vendosën dot as raport me Zotin, as raport me identitetin”, theksoi më tej kreu i Ekzekutivit. Para mediave, Berisha argumentoi edhe një herë përse u ndryshua ligji për regjistrimin e popullsisë dhe përse i duhen qeverisë këto statistika. Sipas tij, amendimi që iu bë ligjit bën të mundur që listat e zgjedhësve të mos marrin më të dhëna nga regjistrimi i përgjithshëm. “U amendua tjetra, sepse ishte shkruar se regjistrimi i përgjithshëm përdoret për të nxjerrë listat e zgjedhësve. Listat e zgjedhësve nxirren nga gjendja civile, sepse ai është burim më i saktë dhe zgjedhjet e 2009-s dhe të 2011-s faktuan se në listat e zgjedhësve është realizuar standard i shkëlqyer. Kjo gjë u faktua. Atëherë, a mund të mbeteshin në ligjin e regjistrimit këto nene? Këto nuk mund të mbeteshin”, tha Berisha. Ndërsa për qëllimin e këtij procesi, Kryeministri tha se “ato mund të përdoren nga qeveria në të gjitha politikat e shpërndarjeve, pasi ke të dhëna më të sakta për të bërë shpërndarjen e të ardhurave. Çdo qeveri shpërndarjen e të ardhurave kombëtare e bazon në disa tregues, ku njeri prej të cilëve është numri i banorëve, e përdor për të bërë strategji zhvillimi, e përdor për një seri qëllimesh të politikbërjes, por nuk ka asnjë lidhje me gjendjen civile”.

1 tetor
Sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, procesi i regjistrimit të popullsisë në të gjithë vendin do të nisë nga 1 tetori. Ai u shty për në vjeshtë, për shkak të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 8 maj.

Thirrja

“Shqiptarët do të regjistrohen si qytetarë të lirë, të tregojnë pronën apo pasurinë që kanë, të tregojnë fenë dhe besimin që kanë, përkatësinë etnike që kanë natyrisht pa asnjë detyrim, kjo është në vullnetin  e tyre. Ai që i konsideron këto si një çështje private, është i ftuar të mos shënojë asnjërën prej tyre. Personalisht unë do t’i shënoj, pasi jam krenar me identitetin tim, jam krenar me besimin tim fetar”, u shpreh Kryeministri në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Amendimi

“Dhe duhet të pranojmë se për të qartësuar, u bënë disa amendamente të goditura, sepse u vendosën edhe disa penalitete. Gënjeshtrat dënohen. Nuk mund të transpozojmë gënjeshtrën që bëjnë në politikë individë apo forca të caktuara, në gënjeshtrën në statistikë, se pastaj statistika do të thoshte se ka një milion të papunë në Shqipëri, një  milion hajdutë dhe një milion punonjës sigurimi, siç u tha Ramiz Alia në vitin ’90 të huajave dhe këtë e përsëriti Edi Rama pak a shumë në këtë fushatë”, tha Berisha.

Vendimi, si do realizohet regjistrimi i popullsisë

Qeveria miratoi dje vendimin për ngritjen e komisioneve që do të organizojnë dhe monitorojnë nga afër të gjithë procesin e regjistrimit të popullsisë në rang vendi. Sipas këtij vendimi, të propozuar nga Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark kryesohet nga kryetari i Këshillit të Qarkut dhe në përbërje të tij është prefekti si dhe zyrtarë nga Drejtoria Arsimore, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Policia e Shtetit. Në detyrat e përcaktuara për këtë Komision thuhet se ai raporton çdo ditë në INSTAT gjatë periudhës së censusit për ecurinë e procesit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave. “Komisioni organizon dhe bashkërendon punën me zyrën rajonale të INSTAT-it, autoritetet e tjera pjesëmarrëse në këtë proces, në nivel qarku, si dhe me zyrat e censusit në bashkitë dhe komunat që janë në juridiksionin e qarkut për marrjen në dorëzim, magazinimin e pyetësorëve dhe materialeve të tjera shoqëruese, të nevojshme, në mënyrë të sigurt dhe për aq kohë sa është e nevojshme, si dhe transportimin e tyre në mënyrë të sigurt në zyrat e censusit në bashki dhe komuna për realizimin e procesit të censusit në bashki dhe komuna”, thuhet gjithashtu në vendimin e qeverisë. Komisioni i Censusit në qark do ta ushtrojë funksionin e tij në periudhën 15 gusht 2011 – 15 nëntor 2011. Sipas vendimit, mbledhja e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark drejtohet nga kryetari dhe në mungesë apo pamundësi të tij, nga nënkryetari i Komisionit, prefekti i qarkut. Nëse mungon edhe prefekti, mbledhja drejtohet nga nënkryetari tjetër, si dhe është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit. Në fund, parashikohet që masa e shpërblimit të anëtarëve të Komisioni të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, për periudhën e funksionimit të tij, është 5 000 lekë në muaj.

Vendimmarrja e Komisionit

“Vendimet në Komisionin e Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Në rast se votat janë të barabarta, vendos vota e kryesuesit të mbledhjes. Vendimet, si dhe çështjet e tjera të shqyrtuara e të miratuara në mbledhjen e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, nënshkruhen nga kryesuesi i mbledhjes së Komisionit”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura