Raporti i AKEP: 166 mijë familje me internet. Telefonia fikse larg BE, vetëm 12% e familjeve me telefon.
Në 2011, çdo shqiptar me 2 numra, në treg 5.2 milionë karta SIM.
Çdo qytetar që ka një telefon celular harxhon mesatarisht 70 euro për çdo numër që ka, pasi shifrat tregojnë se shumica kanë më shumë se një celular. Raporti vjetor për vitin 2011 i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare nxjerr të dhënat e fundit mbi ecurinë e tregut të telefonisë celulare në vend apo edhe penetrimin e internetit. “E ardhura mesatare për përdorues, e matur si raport i të ardhurve totale të operatorëve me numrin mestar të përdoruesve gjatë një viti, për Shqipërinë në 2010-n ishte 70 euro, çka rezulton të jetë më i ulët se mesatarja e vendeve të BE”-së, thuhet në raportin e AKEP. Gjatë vitit të kaluar, sërish telefonia celulare pësoi rritje në numrin e pajtimtarëve. Në fund të 2011-s, numri i tyre u rrit me 15 për qind krahasuar me 2010 dhe arriti afërsisht në 5.2 milionë. Norma e penetrimit për 100 banorë rezulton të jetë 185 për qind, dukshëm më lart se një vit më parë, kur ishte 140 për qind dhe po kështu edhe krahasuar me BE-në, mesatarja e së cilës ishte 124 për qind në vitin 2010. Kompanitë që operojnë në tregun e telefonisë celulare kanë pasur të ardhura në nivelin 419 milionë dollarë, çka përbën ulje krahasuar me një vit më parë. Ulja e të ardhurve ka ecur në kah të kundërt me kohën e shpenzuar për të komunikuar. “Konsumi mestar është rritur me 4-5 për qind, ndërsa përdorimi i DMS-ve është rritur ndjeshëm me 21 për qind. Në vitin 2011, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 83 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 94 minuta thirrje hyrëse, duke rezultuar në 177 minuta komunikim në muaj dhe me 12 mesazhe të dërguar”, thuhet në raportin e AKEP-it. Ashtu sikurse ka qenë edhe më herët, tendenca për pajtimtarët me parapagesë vijon të përbëjë më shumë se 90 për qind të përdoruesve.
Telefonia fikse dhe interneti
Rritje për vitin 2011 ka pësuar edhe telefonia fikse dhe përdorimi i internetit. Raporti i AKEP detajon se përgjatë 2011-s pajtimtarët e telefonisë fikse kapën numrin 339 mijë, çka krahasuar me një vit më parë përbën 7 mijë pajtimtarë më shumë. Përkundër kësaj rritjeje, norma e penetrimit të kësaj telefonie në vend vijon të mbetet e ulët. “Norma e penetrimit të telefonisë fikse arrti në 12 për qind krahasuar me 10 për qind në vitin 2010, megjithatë ky nivel është ende shumë i ulët krahasuar me vendet e BE-së( me mesare prej 45 për qind) dhe vendet e rajonit” thuhet në raportin e AKEP-it. Ashtu sikurse telefonia fikse, i ulët vijon të mbetet edhe penetrimi i internetit në vend. AKEP vlerëson se “numri i familjeve që kanë akses në internet me bandë të gjerë është rreth 161 mijë apo afërsisht 22 për qind e familjeve, ndërsa vlerësohet të jenë mbi 13 mijë pajtimtarë biznesi. Bazuar në këto të dhëna, numri i lidhjeve me akses boadband për 100 banorë është rreth 6.2 për qind, krahasuar me 3.7 për qind që ishte në fund të vitit 2010”.
Shifrat e AKEP per 2011
. 70 euro për numër celular që ka në diskonim harxhon një qytetar në Shqipëri. 5.2 milionë arriti në 2011-n numri i pajtimtarëve të telefonisë celulare
. 419 milionë dollarë ishin të ardhurat e katër operatorëve të telefonisë celulare në fund të 2010-s
. 5 për qind është rritur mesatarisht konsumi mestar i thirrjeve për 2011
. 21 për qind është rritur përdorimi i SMS-ve për vitin 2011, krahasuar me 2010
. 83 minuta thirrje dalëse është mesatarja e një përdoruesi celular për 2011
. 94 minuta hyrëse është mesatarja e një përdoruesi celular për 2011
. 185 për qind vlerësohet se është penetrimi i telefonisë celulare për 100 banorë
. 339 mijë arriti numri i pajtimtarëve në telefonisë fikse për vitin 2011
. 12 për qind arriti norma e penetrimit të telefonisë fikse në fund të 2011
. 161 mijë është numri i familjeve që kanë akes në internet me bandë të gjerë në 2011
. 6.2 për qind është norma e penetrimit të internetit për 100 banorë
NERTILA MAHO
© Panorama.al











