TIRANE- Në shtator, tarifat për thirrjet nga telefonia celulare do të pësojnë një tjetër ulje. Vendimi që morri Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për t’i orientuar tarifat drejt kostos përmes modelit BULRAIC, u vu në zbatim në mars, ku për të katërta kompanitë e telefonisë celulare pati ulje të tarifave. Ulja tjetër pritet që të bëhet muajin e ardhshëm, bazuar në modelin që hartoi konsulenti i huaj dhe që u konsultua dhe me grupet e interesit dhe u arrit në një finale. Në këtë vendim u morr parasysh që ulja e tarifave të mos prekë mbijetesën e operatorëve relativisht të rinj në treg, krahasuar me ata operatorë që kanë shumë vite që zhvillojnë aktivitetin e tyre.
TARIFAT
Aktualisht, tarifa e një thirrjeje për dy prej operatorëve më të vjetër në treg do të shkojë nga 8.85 lekë për minutë që është aktualisht, në 7.57 lekë për minutë. Për operatorin e tretë në shtator tarifa do të bëhet 8.85 lekë për minutë, nga 10.89 lekë që është sot, ndërsa për operatorin më të ri në treg tarifa për terminimin e thirrjeve do të jetë 12.92 lekë, nga 15.93 lekë për minutë që është. Fillimisht, nga ana e konsulentit sipas modelit BULRAIC u mendua që ulja të shtrihej në katër faza, por më vonë AKEP, duke vlerësuar faktin që në treg ka ende kompani që sapo kanë hyrë në treg, vendosi që orientimi i tarifave drejt kostos të bëhej në pesë faza. Vetëm gjatë vitit 2011, kompanive të telefonisë celulare u lind detyrimi për të bërë dy ulje, njëra që u krye në mars dhe tjetra që do të përsëritet në shtator, kurse tre fazat e tjera do të shtrihen deri në shtator të vitit 2015. Në këtë kohë, për të gjithë operatorët terminimi i thirrjeve do të kushtojë 4.57 lekë për minutë. Për tre operatorët e parë në vend, arritja në këtë nivel tarife do të bëhet që në shtator të vitit 2013. Tarifat që ka miratuar AKEP për kompanitë e telefonisë celulare marrin parasysh koston e shërbimit të kompanisë dhe një fitim të moderuar për kompanitë, të cilët jo pak herë janë vënë në fokus të diskutimeve për fitimet e tyre. Duke marrë parasysh këtu faktin që ulja maksimale e tarifave do të stopohet në nivelin 4.57 lekë për minutë, AKEP ka lënë në fuqi koeficientin 17.5 për qind, që përfshin në vetvete koston e shërbimit dhe fitimin e arsyeshëm. Ky ishte edhe sugjerimi që dha konsulenti i huaj lidhur me uljen e tarifave të terminimit të thirrjeve. “AKEP gjykon se përdorimi i vlerës 17.5% për WAÇ dhe tarifës respektive 4.57 lekë/minutë është i arsyeshëm për t`u përdorur për rregullimin e tarifës së terminimit të operatorëve celularë në Shqipëri”, thuhet në dokumentin e AKEP.
Në tetor, ulje tarifash edhe për mesazhet nga celulari
Në muajin shtator, AKEP pritet që t’i japë fund konsultimit publik të analizës së tregut për koston e mesazheve të dërguara nga celulari dhe t’i ulë ato në muajin tetor, duke vënë në zbatim modelin BULRAIC. Ky model ka në bazë orientimin drejt kostos, çka do të thotë që kompanitë do të lejohen që të marrin nga qytetari koston e shërbimit dhe një fitim të arsyeshëm. Nëse në shtator AKEP vendos që të zbatojë uljen për terminimin e SMS-ve në rrjetet celulare, sipas projektit të bërë publik për konsultim, atëherë ulja pritet të jetë e ndjeshme, ku nga 4 lekë që është aktualisht kostoja mesatare e një mesazhi, nga tetori do të behet 2.4 lekë. Kjo ulje do të shtrihet në disa faza për të shkuar sërish drejt kostos, e cila është shumë më e ulët sesa tarifa që aplikojnë kompanitë. “Rezultatet e modelit BULRAIC tregojnë se kostoja për terminimin e mesazheve SMS është 0.58 lekë/SMS, e cila është shumë më e ulët se tarifa aktuale e terminimit, prej 4 lekë/ SMS. AKEP gjykon se tarifa aktuale e terminimit të SMS në nivel 7 herë më të lartë se kostoja e ofrimit efiçent, tarifë e cila ka një ndikim negativ në zhvillimin e konkurrencës për këtë segment të tregut dhe minimizon dukshëm përfitimet e konsumatorëve për këtë shërbim. Ndaj, AKEP propozon që tarifa e terminimit te SMS-ve të vijojë reduktimin e saj”, thuhet në dokumentin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
© Panorama.al











