Celularët, në shtator ulet çmimi për mesazhet

Jul 10, 2011 | 10:33

Kompanitë celulare në vendin tonë zbatojnë tarifa mesatarisht 7 herë më të larta se kostoja për një mesazh të dërguar nga celulari.AKEP ka nisur konsultimin publik për nismën që do t’i paraprijë uljes së tarifave për dërgimin e SMS-ve në mënyrë të ndjeshme deri në vitin 2013.
Analiza e tregut
AKEP ka bërë së fundi një analizë tregu rreth mënyrës se si operojnë katër kompanitë celulare në vend, si dhe për paketat dhe çmimet që këto të fundit ofrojnë për klientët e tyre për mesazhet me celular. Nga analiza e tregut me pakicë të mesazheve në vendin tonë, sipas AKEP, rezulton që tarifat me pakicë në paketat standarde variojnë nga 8-10-14 lekë/sms (pa TVSH) mesatare apo rreth 12 lekë/SMS. “Niveli i tarifave standarde të SMS-ve është në nivel mestar me vendet e rajonit, përveç Malit të Zi dhe Kroacisë, që kanë tarifa standarde shumë më të lira. Për SMS ka oferta të shumta dhe paketa të veçanta me çmime shumë të ulëta, sidomos për brenda grupeve dhe rrjetit. Këto tarifa mund të jenë edhe 1 lek/sms, apo në disa raste edhe më pak, duke rezultuar në të ardhur mesare të operatorëve celularë në 4-7 lekë/SMS, që është shumë më e vogël se tarifa standarde e SMS-ve”, thuhet në analizën e AKEP. Ndërkaq, ky i fundit thekson se niveli i tarifave standarde të SMS-ve rezulton të jetë shumë më i lartë se kostot e ofrimit eficient të tyre, madje edhe duke përfshirë parashikime për kostot me pakicë të ofrimit të tyre. Në analizën e tregut gjykohet se megjithëse tarifa aktuale e terminimit të SMS-ve e aplikuar nga operatorët celularë është 4 lekë/SMS dhe shumë më e lartë se kostoja e terminimit, tarifat standarde të SMS-ve janë të larta jo vetëm për SMS jashtë rrjetit, por edhe për SMS brenda rrjetit. Në këtë pikë vjen edhe nisma e AKEP, që brenda vitit 2013 të bëhet një ulje drastike e tarifave që kompanitë aplikojnë për mesazhet nga celularët.
Ulja e tarifave
Ulja e tarifave për mesazhet e shkruara të dërguara përmes celularit dhe të mundësuar nga njëri prej operatorëve të telefonisë celulare, do të bëhet në katër faza. Ulja e parë do të bëhet në tetor të këtij viti, ku tarifa e terminimit të mesazheve në rrjetet celulare për orientim në kosto sipas modelit BULRAIC do të ulet nga 4 lekë në 2.4 lekë për SMS, pa përfshirë TVSH-në. Në mars të vitit 2012 do të bëhet edhe ulja tjetër, ku për të katër operatorët tarifa e terminimit do të jetë 1.44 lekë për SMS. Një ulje tjetër do të bëhet në shtator të 2012-s, ku çmimi do të shkojë në nivelin 0.86 lekë për mesazh dhe ulja e fundit në shtator 2013, ku tarifa do të stabilizohet në nivelin 0.58 lekë për mesazh. “Kostoja për terminimin e mesazheve SMS është 0.58  lek/SMS, e cila është shumë më e ulët se tarifa aktuale e terminimit prej 4 lekë/SMS. AKEP gjykon se tarifa aktuale e terminimit të SMS në nivel 7 herë më të lartë se kostoja e ofrimit  eficient,  tarifë e cila ka një ndikim negativ në zhvillimin e konkurrencës për këtë segment të tregut dhe minimizon dukshëm përfitimet e konsumatorëve për këtë shërbim”, thuhet në dokumentin e AKEP.

Nga mesazhet te telefonatat

Shqiptarët, gjatë 2010-s kanë preferuar të kryejnë më shumë telefonata dhe të dërgojnë më shumë mesazhe. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2010 tregojnë një tendencë të kundërt me atë që është parë në vitet e mëparshme. “Nga të dhënat vihet re se përdorimi i mesazheve SMS ka rezultuar me rënie në vitin 2010 (16%), ndërkohë që ka pasur rritje të përdorimit të thirrjeve telefonike me 43%”, thuhet në analizën e AKEP.

4 leke/SMS
është tarifa aktuale e terminimit të SMS-ve, që zbatohet nga operatorët e telefonisë celularë në vend, sipas analizës së tregut të zhvilluar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

0.58 leke/SMS
është kostoja që kompanitë celulare kanë për terminimin e SMS-ve, e cila është plot 7 herë më e ulët sesa tarifa që zbatohet aktualisht. Brenda shtatorit të 2013-s kjo tarifë do të shkojë 0.58 lekë për SMS

Ulja e tarifave

Tarifa e mesatare e mesazheve në celular për të katër operatorët e telefonisë në vend

Aktualisht                4 lekë/SMS
Shtator 2011              2.4 lekë/SMS
Mars 2012                 1.44 lekë/SMS
Shtator 2012          0.86 lekë/SMS
Shtator 2013          0.58 lekë/SMS

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura