AKEP kishte vendosur çmim dysheme 12.5 milionë euro, dy ofertat ishin 3.5 milionë dhe 2.2 milionë euro.
Ofertat e “Eagle” dhe “Plus” nuk e kaluan çmimin dysheme.
Tenderi për dhënien e licencës së tretë 3G, i zhvilluar ditën e djeshme, ka dështuar pasi ofertat e paraqitura në të ishin dukshëm më poshtë nga çmimi dysheme. Kompanitë “Eagle Mobile” dhe “Plus Communication”, të cilat qysh më herët kishin shprehur rezerva për këtë nivel çmimi minimal, kanë vendosur që të bëjnë oferta me vlera dukshëm më ulët se çmimi i përcaktuar. Kështu, kompania “Eagle” ka ofruar 3.5 milionë euro si çmim për licencën e tretë 3G, kurse kompania “Plus” ka ofruar 2.2 milionë euro për të njëjtën licencë. Fakti që të dyja ofertat nuk përmbushin kriterin kryesor, që është çmimi, duket se do ta detyrojë Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare të ribëjë edhe një herë tenderin në një moment të dytë. Automatikisht të dyja kompanitë, sipas rregullave të prokurimit publik, janë të skualifikuara nga gara. I pyetur nga gazeta, kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho, u shpreh se bërja e ofertave është në dorën e kompanive dhe se në këtë pjesë nuk mund të bëhet asgjë. “AKEP do t’i shqyrtojë këto oferta dhe do të bëjë vlerësimin e tij, por fakti që të dyja ishin nën çmimin minimal, i skualifikon. Ne nuk gjykojmë që çmimi minimal 12.5 milionë euro është i shtrenjtë. Shqipëria është një vend dinamik dhe licenca e tretë 3G, e cila po jepet në një afat të afërt duhet të ketë këtë nivel çmimi. Ne e quajmë të realizuar tenderin dhe, nga ana tjetër, edhe konkurrencën në treg, pasi aktualisht kemi dy operatorë që e ofrojnë shërbimin 3G për klientët e tyre. Për operatorët e tjerë është në dorë të tyre nëse e duan këtë shërbim, apo jo”, shprehet Xhixho. Licenca e tretë 3G u vendos që të jepej me çmim minimal 12.5 milionë, por kjo vlerë u cilësua e lartë nga ana e operatorëve të mbetur në treg. Dy licencat e tjera janë dhënë më herët, ku i pari e përfitoi “Vodafone” në muajt e fundit të vitit 2010, me një vlerë prej 31.4 milionë eurosh, kurse licenca e dytë u fitua nga operatori “AMC”, me vlerën 15.1 euro. Pas dhënies së dy licencave, operatorët e tjerë të tregut kërkuan që dy licencat e tjera të jepen në të njëjtën kohë. Ofrimi i shërbimeve 3G nga kompanitë e telefonisë celulare mundëson për klientët internet të shpejtë, telefonata zanore të mundësuara nga interneti “wirless” në hapësira të mëdha gjeografike, video-telefonata, akses në internet përmes telefonit dhe Mobile TV.
“Plus”: Raport i drejtë çmim-barriera
Pas tenderit për licencën 3G, kompania “Plus” ka reaguar dje duke mbrojtur dhe argumentuar ofertën e saj. “Ne konsiderojmë se barrierat për hyrjen në treg duhet të jenë në raport të drejtë me çmimet e mundshme fundore të këtij shërbimi”, u shpreh drejtori Ekzekutiv i “Plus Communication”, Moni Buchnik.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











