Çelsi siguron fitoren brenda 5 minutave

Aug 20, 2012 | 14:34

Debutimi i Çelsit në 2012-2013 të Premier Ligës është fantastik, magjepsës, sepse bluve të Londrës u mjaftojnë vetëm 5 minuta për të rrumbullakosur shifrat e takimit në 2-0.

Branislav Ivanoviç në minutën e 2-të dhe Frenk Lampard në të 7-ën janë protagonistët e suksesit në transfertën kundër Uiganit, por ai që ka “pilotuar” golat e dy kampionëve të trajnerit Roberto di Mateo ka qenë asi belg, Eden Hazard, që në 60 minuta lojë ka bërë diferencën në fushë. Ndryshe nga dita e parë e Premier Ligës, Çelsi nuk bën të njëjtin gabim me të mëdhatë e tjera si Arsenali dhe Liverpuli që ndalen në sfidat respektive, por kampionët e Europës e mbyllin takimin ende pa filluar mirë dhe marrin një fitore të rëndësishme në transfertën e parë sezonale. Uigani bën një nisje të tmerrshme, të mbushur me gabime dhe frikë, ndërsa nga ana tjetër Eden Hazard vishet menjëherë me rrobat e liderit të ekipit dhe frymëzon golin e parë të Branislav Ivanoviç, vetëm pas 100 sekondash lojë. Talenti 21-vjeçar i mbërritur në Londër për diçka më pak se 40 milionë euro sajon një magji në mesfushë duke dribluar kundërshtarët dhe menjëherë ofron një asist në thellësi për Ivanoviç, që ishte i projektuar drejt portës. Mbrojtësi serb ka një hapësirë të madhe përpara tij dhe me një të djathtë të fuqishme kalon në avantazh të tijtë. 1-0 dhe Çelsi nuk kërkon të qetësohet, por e shfrytëzon në maksimum panikun që ka pushtuar ekipin e drejtuar nga Martinez dhe sërish Hazard në minutën e 7 flirton në zonë, deh me një driblim mbrojtësin rival Ramis, që mund ta ndalojë belgun vetëm duke e shtrirë në zonë. Nuk ka dyshime, penallti dhe Lampard nga pika e bardhë godet saktë në qendër. 2-0 dhe tashmë gjithçka është në dishezë për djemtë e Di Mateos, që në pjesën e parë kanë rastet për të shënuar edhe golin e tretë, por kënaqen edhe me kaq. Në pjesën e dytë, Çelsi e merr disi me lehtë takimin dhe menjëherë nis të vuajë driblimet dhe fantazinë e nigerianit Moses (një objektiv i klubit të Abramoviç), por fatmirësisht portieri Çeh është i gatshëm, ndonëse në pjesën e parë ishte më shumë një spektator. Duke parë që ekipi ka rënë disi në gjumë, Di Mateo zëvendëson xholin Hazard dhe një tjetër yll të talentuar, brazilianin Oskar, i cili sapo zbret në fushë tërheq vëmendjen e të gjithëve, duke shkuar dy herë pranë golit. Por në fund, rezultati mbetet i palëvizur, 2-0, që mjafton për 3 pikët e parë të Çelsit. Londinezët e nisin mirë, Di Mateo është i lumtur, sepse e kupton që tashmë ka shumë talent në grup, i cili thjesht duhet administruar dhe vënë në punë sa më mirë.

© Panorama.al

Te lidhura