
Qysh kur hapi ekspozitën e tij në Firence “Passepartout, “fabula e së cilës rrotullohej rreth një personazhi-simbol, që ishte çelësi, u duk se Alfred Mirashi Miloti, me artin e tij do të hapte shumë porta. Dhe kështu ndodhi. Në ekspozitën kolektive ndërkombëtare të organizuar në Barbican Centre të Londrës me rastin e Olimpiadave, Alfred Mirashi Miloti u vlerësua me medaljen e artë. Dhe këtë medalje (të cilën nuk e fituan dot sportistët shqiptarë që morën pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012) e meritoi pikërisht me triptikun “Këndi Mesdhetar 2011”, e ekspozuar më parë në ekspozitën e Firences, e cila u hap gjatë muajve prill-maj. Mësohet se kjo ekspozitë u organizua nga Ministria e Kulturës e Kinës, Ministria e Kulturës e Britanisë së Madhe dhe Komiteti Olimpik. Në të u përfshinë punime të artistëve nga rreth 80 vende të ndryshme të botës. Alfred Mirashi Miloti, ndonëse prej vitesh e zhvillon karrierën e tij në vendin fqinj, Itali, përfaqësonte atje Shqipërinë, i përzgjedhur nga Vincenzo Sanfo, president i Qendrës Italiane për Artet dhe Kulturën dhe nënpresident i Komitetit Olimpik për Artet në Londër 2012. Ditën e inaugurimit, dy ministritë dhe ekspertë të artit nga të gjitha kontinentet vlerësuan me medalje të artë pesë artistë nga Maroku, Italia, Gjermania, Australia dhe Alfred Miloti nga Shqipëria. “Jam shumë i kënaqur për çmimin. Në njëfarë mënyre, Shqipëria nuk del duarbosh nga Olimpiada e Londrës, është shprehur Miloti për “Shqiptari i Italisë”. Vepra ime “Këndi Mesdhetar” u vlerësua aq shumë, sa Muzeu i Artit Modern të Pekinit e ka blerë atë. Do ta çojnë nga Londra drejt e në Kinë, sapo të mbyllet ekspozita”.
Artisti
Alfred Mirashi, tashmë 42 vjeç, jeton në Itali prej 21 vjetësh. Ai është një ndër mijëra shqiptarë që u larguan në vitin 1991 me anije drejt Brindisit, duke marrë me vete një valixhe me ëndrra dhe pasionin për artin. Në fillim, asnjë galeri nuk do të hapte dyert kanatë për të, ndaj dhe i është dashur të përpiqet shumë. Vlerat e artistit do të zbuloheshin që në vitet e para të akademisë së Brerës në Milano. Në vitin 1997 fiton një bursë studimi Socrates Erasmus në Universitetin e Art & Design Loughborough, Angli. Mbas shumë çmimeve dhe ekspozitave, në vitin 1999 fiton çmimin e parë mes pesë mijë studentëve, duke marrë pjesë me pikturat e tij në Muzeun Permanente të Milanos, për të vijuar në vitin 2003 në Muzeun Maschio Angionino të Napolit, me ekspozitën personale “Le Veneri di Milot”, në vitin 2005 në Romë, 2006 në Catania, 2008 në Berlin e New York, 2009 në Bienalen e Pragës etj.











