Çekët marrin tri pikët e para në Europian pas humbjes me Rusinë në ndeshjen e parë. Pilar dhe Jiraçek, në vetëm 6 minuta lojë nga vërshëllima e parë e arbitrit, rrëzojnë në tapet grekët, të cilët kanë tashme shpresa minimale për t’u kualifikuar për më tej.
Pas barazimit në ndeshjen e parë me Poloninë, helenët jo vetëm që duhet të fitojnë në takimin e fundit me Rusinë, por duhet edhe të presin ndonjë dhuratë nga përballja tjetër mes Polonisë dhe Çekisë. Ndërsa nga ana tjetër, Çekia me këtë fitore ka shanse reale për të shkuar për më tej, paçka se në takimin e fundit i duhet fitorja ndaj të zotëve të shtëpisë. Trajneri Bilek vendos të hedhë në fushë një skuadër me modul 4-2-3-1, me Milan Barosh të vetëm në sulm dhe Jiraçek, Rosicki e Pilar në ndihmë të tij. Ndërsa Greqia e teknikut Santos luan njëlloj si ndaj Polonisë, me një modul 4-3-3, por me dy sulmuesit e krahut: Salpingidis e Fortunis, të cilët kanë edhe detyra mbrojtëse. Vjen vërshëllima e parë e arbitrit dhe Greqia vihet menjëherë në alarm. Janë disa pasime në diagonale të Tomas Rosickit, të cilat bëjnë që mbrojtja helene të mos arrijë dot të organizohet. Minuta e 3-të dhe një pasim i Hubshman gjen të lirë në qendër të mbrojtjes Jiraçek, i cili përballë portierit nuk e ka shumë të vështirë për të kaluar në avantazh çekët. Grekët hutohen dhe jo vetëm kaq, por pas vetëm tri minutave të tjera, Rosicki gjen në fundore Selasie, i cili lëshon në qendër të mbrojtjes greke një top tokazi, aty ku Pilar bën spondën dhe 0-2. Por nuk mbarojnë këtu problemet e Greqisë. Në minutën e 23-të, trajneri Santos duhet të bëjë një zëvendësim të detyruar, pasi portieri Kalkias ka probleme muskulore. Gjithsesi, me kalimin e minutave helenët mundohen të spostojnë lojën në gjysmëfushën e çekëve duke provuar edhe të rrezikojnë. Madje, në minutën e 41-të të pjesës së parë, Fotakis arrin të shënojë edhe një gol me kokë, por anulohet për pozicion jashtë loje. Grekët protestojnë, pasi pozicioni i lojtarit grek ishte goxha i dyshimtë. Në fillim të pjesë së dytë, që të dy trajnerët bëjnë zëvendësime. Bilek largon Rosickin, duke forcuar më shumë mesfushën, në mbrojtje të rezultatit, ndërsa Santos hedh në lojë Gekas. Pas vetëm 2 minutash lojë janë sërish çekët që mund të trefishojnë: Selasie futet bukur në zonë dhe pason për Barossh, por ky i fundit nuk arrin ta devijojë topin në rrjetë. Atë që nuk bën Barosh, e bën Gekas në anën tjetër të fushës, por me ndihmën speciale të Peter Çeh. Ky i fundit del keq nga zona e tij duke i dhënë mundësi sulmuesit grek që të depozitojë topin në fundin e rrjetës, 1-2 dhe tani ndeshja ndizet edhe më shumë. E megjithatë, nuk ndodh asgjë. Çekia mbrohet mirë dhe mundohet të sulmojë me ndonjë kundërsulm, ndërsa grekët luajnë më shumë me topa të gjatë, të cilat nuk kanë rrezikshmërinë e duhur.
Skeda e ndeshjes
Greqi-Çeki 1-2
Shënues: Gekas 53’/ Jiraçek 3’, Pilar 6’
Kartonë të verdhë: Torosidis, Papadopulos, Salpingidis/ Rosicki, Jiraçek, Kolar
Gjyqtarë: Stefan Lanoj/ F.Kano dhe M.Anonier (FRA)
Greqia (4-3-3): Kalkias (Sifakis 23’), Torosidis, Maniatis, K.Papadopulos, Holebas, Fortunis (Mitroglu 71’), Katsuranis, Fotakis (Gekas 46’), Karagunis, Salpingidis, Samaras. Trajner: Fernando Santos
Çekia (4-2-3-1): Çeh, Selasie, Sivok, Kadlec, Limberski, Plasil, Jiraçek, Hubshman, Rosicki (Kolar 46’, Rajtoral 90’), Pilar, Barosh (Pekhart 64’). Trajner: Mikhal BilekANALIZA
Njeriu i ndeshjes – Petr Jariçek është edhe lojtari më i mirë në fushën e lojës.
Më i dobëti – Petr Çeh bëri një gafë të pafalshme te pësimi i golit, ndaj rezultoi edhe më i dobëti në fushën e lojës.
Moviola – Minuta e 40-të dhe grekëve u anulohet një gol. Fotakis është me milimetra mbi linjën e mbrojtësve dhe mund të konsiderohet në pozicion jashtë loje. Ndërkohë edhe nëse do jepej si gol i rregullt, me gjasa anësori nuk do të kritikohej, pasi ishte shumë, shumë e vështirë për të marrë një vendim të menjëhershëm.
Top/Flop – Përveç Jariçek, te Çekia u dallua edhe Tomas Rosicki. Ndërkohë, ndeshje negative për Çeh, si dhe për portierin e parë të grekëve, Kalkias.
Santos: Bëmë gabime, zero shanse kualifikimi
Trajneri i Greqisë ka pranuar se pas kësaj humbjeje skuadra e tij ka shumë pak shanse kualifikimi. “Pësuam dy gola të shpejtë për fajin tonë. Nuk ishim të vendosur si duhet në mbrojtje. Tentuam të kthejmë gjithçka në pjesën e dytë, por nuk arritëm, pasi çekët u mbrojtën me shumë forca. Nuk mjaftoi as grinta dhe as zemra për të marrë të paktën një pikë. Pas këtij rezultati duhet ta pranojmë, kemi shumë pak shanse kualifikimi. Gjithsesi, ju siguroj se ne do të tentojmë që të paktën të marrim një fitore prestigji, pasi gjykoj se do të ishte paksa justifikuese edhe për atë që kemi dhënë më së paku në ndeshjet kualifikuese për në këtë europian”, tha trajneri i Greqisë në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Bilek: E merituam, tani mundim edhe polakët
Trajneri i Çekisë, Mikhail Bilek, nuk e ka fshehur gëzimin pas kësaj fitoreje dhe ka qartësuar edhe fansat për zëvendësimin e Rosickit. “Luajmë një ndeshje të mirë. Shënuan shumë shpejt dhe patëm raste edhe për të trefishuar. Për fatin tonë të keq u dëmtua Rosicki dhe në pjesën e dytë sulmi ynë pësoi një rënie. Gjithsesi, fola me Tomasin (Rosickin) dhe ai më siguroi se nuk kishte të bënim me një dëmtim të rëndë, ndaj do të jetë në ndeshjen tjetër. Duhet të rregullojmë diçka në lojën tonë në mesfushë, pasi shpeshherë lënë goxha hapësira. Të shpresojmë se do të fitojmë dhe kualifikohemi ndaj Polonisë. Çeh? kam besim të verbër te ai futbollist”, ka pohuar Bilek pas ndeshjes.











