Çeki, 17 ballkanas në pranga, disa shqiptarë

Sep 2, 2012 | 10:59

Policia çeke në një operacion të realizuar ka vënë në pranga një rrjet ndërkombëtar, kryesisht ballkanas që merrej me falsifikimin e dokumenteve dhe krimin e organizuar.

Autoritetet çeke informuan se janë arrestuar 17 veta, të gjithë pjesë e një rrjeti kriminal, që merrej me falsifikimin e dokumenteve personale, si pasaporta, leje qëndrimi, patent shoferi dhe dokumente tjera. Këto dokumente siguroheshin edhe përmes zyrtarëve çek të policisë, të cilët janë në hetim, ndërsa shuma për pajisjen me këto dokumente shkonte në 1800 euro për copë.

Hetimet rreth këtij operacioni të koduar “Poker” kanë zgjatur mbi 18 muaj, ndërsa grupi i organizuar, mes tyre edhe shqiptarë, maqedonas, çek, bullgar, ukrainas, egjiptianë dhe të tjerë vepronin prej mbi 10 vitesh.

Nga dokumentet e sekuestruara ka rezultuar se anëtarët e këtij grupi ishin të specializuar në ndryshimin e dokumenteve ekzistuese, por edhe në prodhimin e dokumenteve të reja.

Grupi, i cili ishte i stacionuar në Pragë, prodhonte dokumente të falsifikuara dhe për në Slloveni, Bullgari, Belgjikë, Holandë, Finlandë e Danimarkë, të gjitha me një cilësi shumë të lartë dhe të vështirë për t’u dalluar. Seti i dokumenteve që përmbante pasaportë, kartë identiteti dhe patentë, arrinte deri në 1800 euro. Policia Çeke është duke vijuar sërish hetimet për identifikimin dhe ndalimin e të tjerë personave të përfshirë në këtë organizatë, të cilësuar si një prej më të mëdhave e më të rrezikshmeve në Evropë. (Ina)

© Panorama.al

Te lidhura