Ceka: Meta dhe Rama, presion maxhorancës

May 13, 2012 | 10:55

Neritan Ceka

Kandidati i PAD-së për President të Republikës.

Ceka: Kandidatura ime, modeli si duhet të jetë Presidenti.

“Shkrirja e shpejtë e raporteve Rama-Meta, japin përshtypjen e presionit ndaj maxhorancës”

Ish-presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Berisha, shprehet se Presidenti i ri duhet të jetë një figurë e konsoliduar politike. Sipas tij, politika duhet të gjejë konsensus për çdo rast, si mes palëve, ashtu dhe brenda koalicionit qeverisës. Ceka komenton dhe takimin privat mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilin e cilëson si një lëvizje të shpejtë që jep mesazhe presioni ndaj maxhorancës.
Ju jeni propozuar nga strukturat e PAD-së si kandidat për President të Republikës. Pritet të zyrtarizohet ky propozim përmes një mbështetjeje parlamentare?
Duhet të them se është një propozim i PAD-së më tepër në kuptimin honorifik, sesa konkret. Për PAD, ashtu si dhe për partitë e tjera të koalicionit, është e qartë se vetëm PD i ka numrat për të bërë propozimin konkret përmes firmave të deputetëve në Parlament. Ky është një propozim më shumë për të përcaktuar disa kritere, se sa një kandidaturë konkrete. Kjo do të thotë që për të qenë President i Republikës duhet të kesh një karrierë të gjatë politike, duhet të jesh profesionit, pra duhet të kesh qenë deputet i lidhur me procesin ligjor, politikbërjen dhe natyrisht të kesh një background historik, të vish nga diku dhe të kesh vënë disa tulla në ndërtesën e shtetit. Synimi i kësaj është që të hiqet dorë nga improvizimet për kandidaturën e Presidentit, të futet kjo procedurë në kanale kushtetuese, por dhe politike.
Keni zhvilluar ndonjë konsultë apo bisedë me Kryeministrin Berisha rreth një kandidimi tuaj?
Absolutisht nuk ka asnjë bisedë me Kryeministrin. Mendoj se nuk ka ardhur koha që të bëhet kjo bisedë, por mendoj se i takon Kryeministrit që të gjejë formën e listimit të kandidaturave në momentin e duhur.
Përveç emrit tuaj, zoti Nano është vetëshpallur, ka bërë një cikël konsultash dhe takimesh, zonja Topalli gjithashtu është propozuar nga demokristianët. Si i vlerësoni këta emra?
Kam kënaqësinë të them se janë të gjithë në lartësinë e kritereve që përmenda më sipër. Për fat të mirë, politika shqiptare është futur në këtë hulli, pra të propozimit të emrave që vijnë nga politika dhe mund të japin për politikën. Natyrisht me këtë rast dua të them se përveç kritereve thjesht politike, ka dhe kritere që janë kushtetuese. Siç dihet, Presidenti është kreu i shtetit, por është njëkohësisht dhe personi që përfaqëson unitetin e kombit. Si rrjedhim, në përcaktimin e personit që do të jetë Presidenti i ardhshëm nuk është vetëm maxhoranca që do të thotë fjalën e fundit. Natyrisht që votat i ka maxhoranca, por janë dhe dy faktorë të tjerë; është faktori opozitë, që duhet dëgjuar në kuptimin që Presidenti i Republikës është njëkohësisht sipas Kushtetutës një mekanizëm shumë i rëndësishëm në ekuilibrimin e pushteteve. Në këtë kuptim, opozita që është pjesë e mekanizmit të balancave, është edhe ajo që duhet të thotë fjalën e vet. Së dyti, është edhe faktori ndërkombëtar, në kuptimin e një “chec and balance” të stabilitetit në Ballkan. Për fat të keq ka një konflikt të vazhdueshëm pozitë-opozitë, që ka krijuar te partnerët tanë euroatlantikë ndjesinë e një paqëndrueshmërie politike, veçanërisht sot kur kjo paqëndrueshmëri pulson edhe në Maqedoni, edhe në Mitrovicë. Prandaj, ne e kuptojmë këtë ndërhyrje anësore të partnerëve tanë, në kërkesën për të mos acaruar marrëdhëniet pozitë-opozitë për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Një profil i fortë politik apo një zyrtar i lartë i PD-së si kandidat për President, do ta cenonte këtë balancë mes pushteteve?
Unë do të them se përvoja e deritanishme ka treguar se të paktën tre presidentët e fundit pas miratimit të Kushtetutës në 1998, pavarësisht se kanë dalë nga funksionarë të lartë të partisë apo janë përzgjedhur nga një rreth i afërt i një partie të caktuar, në të gjitha rastet nuk janë bërë pjesë e linjës politike të partisë që i ka propozuar. Dua të kujtoj se Presidenti i Republikës, megjithëse zgjidhet tashmë dhe me 71 vota, ai mund të largohet vetëm me 94 vota, praktikisht është i paprekshëm. Edhe nëse mund të bëheshin 94 vota për të shkarkuar Presidentin, kërkesa duhej të kalonte nga Gjykata Kushtetuese. Kështu që ky element e bën President krejtësisht të pavarur, të futet të personalitetin e tij, të futet në kanalet e ligjit dhe të luajë shpeshherë dhe një politikë personale, nisur nga këto dy faktorë që përmenda. Kjo është arsyeja që nuk i trembem shumë profilit të tij politik. Rëndësi ka që të ketë integritet, të respektohet ndjesia e popullit që është në pritje të një figure dhe që s’duhet të befasohet nga personalitete të panjohura dhe në këtë rast është një akt i dinjitetit të politikës shqiptare për figurën më të lartë të shtetit.
Ju keni qenë në garën presidenciale dhe në 2007-n. Mendoni se po hyjmë në një ripërsëritje të atyre procedurave, sa i ngjashëm ju duket dhe çfarë nuk duhet përsëritur prej atij procesi?
Mendoj se në 2007-n u zgjidh ndryshe, nën presionin e frikës nga zgjedhjet e parakohshme, u zgjidh në momentet e fundit, pavarësisht se hyri në një hulli të mirë në fillim. Opozita propozoi një listë me 10 figura dinjitoze që vinin nga politika, ku dhe unë isha pjesë. Por, procesi nisi mbarë dhe u prish nga improvizimet absurde, duke përfshirë një kandidaturë të linjës ushtarake dhe ishte kjo përzgjedhje që prishi rregullin dhe futi menjëherë në garë tre persona, Topin, mua dhe Nanon. Natyrisht që gjeti një zgjidhje që ishte krejt e improvizuar dhe la mjaft dyshime. Unë mendoj se tani ka mjaft kohë që të përgatiten dy variante: një variant me rekomandimin e ndërkombëtarëve si procedurë, jo si emër, për një President konsensual, që është i mundur, por shumë i vështirë që të gjendet në radhët e politikës dhe rrezikon të bjerë në banalitetin e figurave të panjohura; i dyti është që të përgatitet finalja e 71 votave, që natyrisht kërkon një kompromis mes PD-së dhe aleatëve të saj parlamentarë.
Ditët e fundit ka pasur disa takime private dhe publike mes zotit Rama dhe zotit Meta. Mendoni se këto lëvizje të papritura e bëjnë konsensusin më të mundshëm, apo më të vështirë për një President konsensual?
Përshtypja ime e parë është që lëvizje të tilla, qoftë dhe private, nuk kanë asgjë të keqe, sepse në fund të fundit duhet kaluar “ngrirja” dhe kjo besoj i bën mirë në radhë të parë PS-së, e cila me largimet nga Parlamenti, me presionet e vazhdueshme, me daljet në rrugë, ka krijuar përshtypjen e një partie ekstra-parlamentare. Kështu që nuk do kishte asgjë të keqe që nesër ky takim mund të bëhej edhe në nivelin Rama-Berisha, e është mirë që njerëzit t’i shohin politikanët tanë të ulen dhe të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të mos krijohet përshtypja se kjo Shqipëri është ndarë në copa. Nga ana tjetër, kalimi kaq i shpejtë nga një situatë e “akullt” në një situatë të “avulluar” do të thosha, të lë edhe mjaft dyshime prapa. Kalime të tilla lënë përshtypjen e një presioni që bëhet brenda koalicionit, apo përshtypjen e një përgatitjeje të një koalicioni tjetër, por këto janë gjithmonë në nivelin e analistëve. Si përfaqësues i PAD-së, ajo që është pozitive dhe që pritet nga populli dhe ndërkombëtarët, është ç’tensionimi dhe dialogu.
Mund të rrezikohet maxhoranca me zgjedhjen e Presidentit dhe nga këto lëvizje?
Mendoj se politika pasionante dhe e përfitimit nga situata për të nxjerrë favore të rastit, do ta dëmtonte politikën shqiptare edhe në sensin e zhgënjimit që do të kenë njerëzit nga pragmatizmi i tepruar. Mbetem në aspektin pozitiv, që nesër do të ketë dhe mundësi të tjera kontaktesh mes politikanësh që janë zgjedhur nga i njëjti popull dhe për të pasur një politikë që bëhet më largpamëse, që synon mbulimin e një të kaluare që ka qenë dramatike dhe tronditëse për popullin tonë.
Mendoni se politikanët tanë, pas një periudhe të ashpër qëndrimesh, akuzash të ndërsjella dhe veprimesh të forta edhe me pasoja, në ndryshimin e qëndrimit duhet të kërkojnë një ndjesë publike për atë që është bërë për shkak të pasojave të atyre qëndrimeve?
Kjo nuk është pjesë e kulturës shqiptare dhe për fat të keq nuk është pjesë dhe e reagimit të publikut shqiptar. Nuk është krijuar akoma ideja që lëvizje të tilla mund të kenë kosto politike. Unë mendoj se në përgjithësi publiku shqiptar harron shpejt, kjo dhe për shkakun se akuzat e shpeshta të politikës nuk i merr seriozisht për shkak të propagandës. Besoj se do shikohet në të ardhmen nëse në të vërtetë elektorati gjykon se këto lëvizje shikojnë nga e ardhmja, apo nga e shkuara.

Ceka eliminoi Nanon në 2007, favorizoi Topin
Hyri në garë në raundin e tretë të votimit

Kryetari i atëhershëm i PAD-së, Neritan Ceka, në zgjedhjen e Presidentit në 2007-n, hyri në garë në raundin e tretë të votimit. Ceka iu bashkua garës së Bamir Topit dhe Fatos Nanos, duke nxjerrë nga gara Nanon, i cili kishte hyrë në garë me votat e 20 deputetëve socialistë, por i papropozuar nga Partia Socialiste. Ceka u përfshi si kandidaturë në momentet e fundit, pikërisht kur nisi seanca plenare, ku do të zhvillohej dhe votimi i tretë për zgjedhjen e Presidentit. Duke marrë votat e LSI-së, PAD-së dhe disa deputetëve të Partisë Demokratike, Ceka mori në raundin e tretë 32 vota, Bamir Topi 50, ndërsa Fatos Nano doli jashtë gare, pasi mori vetëm 3 vota, duke çuar në raundin e katërt zgjedhjen mes tij dhe Bamir Topit. Me shumicë të cilësuar, Topi mori mandatin e Presidentit, i ndihmuar dhe nga 6 vota të PS, mbështetës të Fatos Nanos, përndryshe, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura