
Intervista/ Flet rektori i akademisë “Marubi”, Kujtim Çashku.
“I deformuar koncepti i ‘publikes’ për arsimin”
Çashku: Për universitetet private shteti është partner, jo pronari që paguan pagat siç ndodh sot me “publikët”
Universitet publik apo privat? Paragjykime që nisin nga precedentë të cilët nuk janë shembuj të mirë për arsimin. Në kulmin e debatit në lidhje me këtë çështje, rektori i akademisë së filmit e multimedias “MARUBI”, Kujtim Çashku, bën një analizë të mirëfilltë për konceptet “publike” dhe “private”, tashmë që peizazhi i arsimit ka ndryshuar.
Në intervistën e tij për gazetën, ai ndalet edhe në skandalin e fundit me abuzimet e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Në këndvështrimin e Çashkut, media e ka bërë punën e vet, institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë me mekanizmat e tyre në lidhje me situatën e krijuar. Sa i përket godinës së ish-konviktit të “Gjuhëve të Huaja”, e cila është kërkuar për t’u marrë me qira nga universiteti “Luarasi”, Çashku shprehet se nuk është shteti që i bën nder këtij universiteti, përkundrazi është ky universitet që, i themeluar nga akademiku i njohur Aleks Luarasi, i bën nder shtetit me çdo hap që hedh për t’u zhvilluar në funksion të cilësisë së arsimit.
Muajt e fundit, universitetet private duket se po “kryqëzohen”. Një hije e fortë dyshimi është ngritur mbi cilësinë e diplomave që prodhojnë. Në gjykimin tuaj, si drejtues i njërit prej këtyre institucioneve arsimore, a duhet të përgjithësojmë gjithë këtë sistem, nisur nga precedentë të shënuar e të denoncuar dhe ne media?
Mendoj së pari, të përcaktojmë qartë kuptimet e termave që përdorim, mbasi disa keqkuptime lindin si pasojë e përdorimit të fjalëve të njëjta, por që kanë kuptime të ndryshme për individë të ndryshëm. Një universitet “privat” jo fitimprurës në kuptimin tim është një universitet publik, ashtu sikurse një universitet i quajtur “publik”, që mbahet 100% me paratë e shtetit, është një universitet shtetëror. Në rastin e parë, të privatit jo fitimprurës, shteti konsiderohet partner si të gjithë partnerët e tjerë që kontribuojnë në zhvillimin e universitetit dhe që kanë të drejtën mbikëqyrëse dhe të visibilitetit mbi aktivitetin që universiteti kryen.
Shteti partner d.m.th, jo shteti pronar, kontribuon te privati jo fitimprurës, përmes pushtetit qendror apo lokal, financiarisht, materialisht ose me lehtësira fiskale.
Shteti koordinon aktivitete të përbashkëta me këto universitete në fusha të caktuara kërkimore shkencore e kulturore, harton projekte. Duke qenë i vetëdijshëm se përfitimi final i këtij partneriteti me privaten shkon në dobi të publikes.
Ka eksperienca të huaja ku universitetet janë krijuar sipas kësaj filozofie?
Shumë kolegje dhe universitete në Angli e Amerikë janë ngritur e krijuar nga kontribute shtetërore, si me “Land Grant” dhënie tokash për shkolla ose objekte e vepra historike që janë shndërruar e kanë mbetur në shekuj pronë publike, pavarësisht formës private të menaxhimit të tyre, me “Trust Committee” komitete të besimit, borde këshillimore e vendimmarrëse, si dhe alumnet e karrierës. Në universitet private jofitimprurëse, të cilat unë i quaj publike, burimet e të ardhurave të siguruara nga fee-të studentore, institucionet lokale apo qendrore, fondacionet, bankat, korporatat, individët filantropë, partnerë ndërkombëtarë etj., shkojnë për investimet në rritje të pronës universitare dhe askush s’ka të drejtë t’i tjetërsojë apo përvetësojë ato.
Ju thatë që universitetet që ne sot quajmë “publike”, tashmë pas 22 vitesh vlerësohen me një pse e mendoni këtë?
Ato që ne quajmë sot universitete “publike” që mbahen 100% nga paratë e shtetit, ku shteti mbetet pronar dhe është ai që u siguron rrogat dhe dijen, situata ndryshon.
Nuk kuptoj se përse këto universitete kemi frikë t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë, universitet shtetërore të cilat mund dhe duhet të mbahen si të tillë në fusha krejt specifike me karakter strategjik. Dhënia e atributeve publike këtyre universiteteve mendoj se e ka deformuar e dëmtuar kuptimin e publikes. Ndjesia që dilnim nga një sistem ku shteti ish pronar i gjithçkaje, kompleksoheshim t’i quanim universitetet shtetërore me emrin e tyre dhe gjetëm si strehë të shpëtimit të tyre termin e publikes. Flasim pas 22 vjetësh, ku peizazhi i arsimit ka ndryshuar krejtësisht. Struktura të tilla me karakter thellësisht etatist, qofshin tek ne apo dhe në disa vende të tjera europiane, po përballen me vështirësi të mëdha që diktohen nga dinamika e re e informimit, formimit e komunikimit. Lidhja treg pune-universitete është bërë kapilare.
Atëherë, cilat janë universitet e mirëfillta private?
Duhet pranuar që njëherësh me universitetet shtetërore dhe universitetet publike do të ekzistojnë dhe universitetet e mirëfillta private, të cilat nuk krijojnë partneritet me shtetin apo me partnerë të tjerë, por e mbështesin tërësisht aktivitetin e tyre në aktivitet fitimprurës.
Në rast se një korporatë e caktuar hap universitetin e vet për të siguruar e kualifikuar punonjësit e saj në specifika programesh që asaj i interesojnë, është e drejtë legjitime e saj që ta ushtrojë këtë aktivitet privat e fitimprurës.
Në këtë kuptim, kryqëzimi apo dyshimi ndaj universiteteve private, së pari vjen nga përcaktimi që këto universitete i japin vetes, si dhe perceptimi që kanë institucionet shtetërore të cilat i licencojnë, i ndjekin dhe gjykojnë në aktivitetin e tyre. Kuptohet se po shkelim në rrugë të pashkelura, por që janë shkelur më parë nga të tjerë, të cilët po përpiqen t’i korrigjojnë gabimet e tyre. Merita jonë është që të përfitojmë nga gabime dhe jo të biem viktima të gjurmëve të gabuara.
Nuk flas për gabime që korrigjohen me vija masash e forma populizmash, por për efikasitetin e bërthamave elitare të universiteteve që garantojnë balanca shoqërore e sigurojnë perspektiva edukimi. Krimet më të mëdha sot në botë ndodhin përmes bombardimit dhe kontrollit të trurit të masave. Natyrisht nuk ka ende statistika të dëmit të krijuar, mbasi efekti rrezatues ka shtrirje në vite, madje në dekada. Tendenca për t’u humbur gravitetin dhe kuptimin universiteteve është një tendencë që lidhet me botën e krimit.
Pra, ju thoni se bota e krimit dikton paragjykimin e shoqërisë sonë për iniciativa e sipërmarrje të cilat i shërbejnë zhvillimit të vendit?
Bota e krimit ka më shumë frikë nga mendja akademike dhe dija sesa nga ligji. Ligjin jo rrallë ajo e bën siç dëshiron vetë. Madje, kur do e shkel edhe hapur me pushtetin e të gjitha pushteteve që ajo zotëron, që është pushteti i parasë.
Ne si shoqëri “fragile” virusohemi lehtë si për të mirë, ashtu dhe për të keq. Një diplomë false hedh dyshime mbi gjithë universitetet. Ne ia përjashtojmë vetes reflektimin dhe selektimin. Më kujtohet një bisedë me të ndjerin Sandër Prosi, kur u kthye nga Parisi në vitet e regjimit komunist, kur një gazetar e kish pyetur se përse nuk ndryshoni një nen të Kushtetutës; Sandri i ish përgjigjur me humor, se ne për një plesht e djegim jorganin dhe gazetari, i cili kish rastësisht një spray në çantë, iu drejtua: “Jepua atyre këtë spray që të ngordhin pleshtin që të shpëtojë jorgani.”
Dua të them se, nëse është konstatuar një diplomë false në privat apo publik, rasti nuk duhet të na shërbejë për të djegur të njomë e të thatë, siç vepruam me mendësinë tonë kriminale duke shkatërruar gjithë pasurinë e trashëguar nga regjimi i mëparshëm, rrëmbyem gurët e kështjellave për të ndërtuar kasollet tona.
Personalisht, betejën kryesore të këtij debati e shoh tek konflikti mes sistemit politiko-shoqëror qe kemi zgjedhur dhe formës neototalitare të të menduarit. Ne prodhojmë helme e armiq pa pushim, jetojmë me moton e ditës me mua ose kundër meje, shtetin e pushtetin e mbajmë të njësuar, pronarë e të pasur nuk na bën dija, por përkatësitë e bipolaritetit të partive që përfaqësojmë.
Debati këto kohë është përqendruar në atë çka përfaqësojnë institucionet private të arsimit të lartë në vendin tonë. A mund të themi se kemi të bëjmë me sipërmarrje të cilat ngrihen për qëllime përfitimi, apo interesi publik është i njëjtë me ato universitete të cilat e kanë statusin ligjor “publik”? Cila është vija ndarëse sipas jush?
Pa dyshim, kur flasim për produktin final, ai është vetëm publik: si për universitetet shtetërore, publike apo private. Madje nuk mendoj se ka një prerje me thikë mes privates dhe publikes. Unë shoh te çdo gjë private dhe përmasën publike. Në rast se dikush do të jetë i diplomuar nesër tek njëri apo tjetri universitet dhe do të punësohet si mjek, arkitekt, gjyqtar apo financier, askush s’do ta gjykojë atë nga diploma që ka marrë, por nga kualifikimi dhe kapaciteti për të përballuar atë çka ai pretendon se zotëron. Me këtë dua të them se vija ndarëse shtetëror-publik-privat tek universitetet është kualiteti i produktit që ai universitet nxjerr.
Pjesa më e madhe e tregut të punës sot është sektori privat. Kam droje se administrata shtetërore e këtyre 20 vjetëve me ndjeshmëri militanteske do shërbejë ende si strofull e njerëzve, të cilët do rendin më shumë të marrin një diplomë të aksh partie dhe jo të ndonjë aksh universiteti.
Kjo për mua përbën dëshpërim të madh, sepse tek e fundit janë ata, pjesa vendimmarrëse e shoqërisë dhe e universiteteve tona që po i ngremë me mund e përkushtim.
Shpesh në karrigen e shtetit ulen njerëz që e identifikojnë veten me vetë shtetin, ligjin dhe të drejtën. Madje kjo kategori ka një lloj përçmimi për pjesën tjetër të shoqërisë dhe sheh me armiqësi atë duke ia absolutizuar të drejtat e pushtetit fuqiplotë vetes. Kjo kategori e fshehur në lëkurën e shtetit i sjell dëme të mëdha zhvillimit të shoqërisë sonë. Unë nuk flas thjesht e vetëm në aspektin e korrupsionit apo përfitimit që u sjell karrigia e shtetit ku kanë hipur, por për dëmin që sjellin nga energjia negative që rrezatojnë dhe inkompetenca e mosveprimit. Ata ndodhen në ato zyra që të çlirojnë dhe jo të mbajnë peng energjitë e njerëzve. Kush ia kalkulon dëmin dhe krimin që ata kryejnë duke mbajtur qëllimshëm të ndrydhura energjitë e të tjerëve? Lidhur me debatin e universiteteve, mendoj se prirja duhet të jetë konvergjente. Universitet shtetërore duhet të shkojnë drejt publikes dhe privatet e deklaruara jo fitimprurëse duhet të cilësohen e perceptohen si publike. Ky rol duhet të luhet në partneritet me administratën shtetërore, e cila po e ndien se çarja e dyerve të universiteteve është një tregues statistikor pozitiv, por kuptohet se jo çdo tregues sasior është njëherësh dhe tregues cilësorë.
Mendoni se duhet të rritet monitorimi dhe kontrolli për institucionet private të arsimit të lartë në mënyrë që studentët të dinë se cilin të përzgjedhin? Si mund të arrihet kjo?
Unë besoj te teza e hedhur “Shqipëria në moshën dixhitale”. Besoj që në këtë fushë po bëhet jo pak. Hedhja në database e një sërë të dhënash të universiteteve tona do sigurojë një transparencë dhe konkurrencë pozitive. Kjo mund të shtrihet dhe në të gjithë sistemin parauniversitar, që do të thotë që në një kohë fare të shkurtër çdo i ri mund të marrë informacionin e nevojshëm për fushën dhe programin universitar që mund të jetë i interesuar të ndjekë. Krijimi i lidhjeve dhe navigimeve të përbashkëta (netëork) të një trekëndëshi parauniversitete-treg pune-universitete do sigurojë një dinamikë të re komunikimi dhe efikasiteti.
Nisma e kontrolleve që po bëhen nga ana e shtetit mendoj se është diçka pozitive nëse ajo nuk udhëhiqet nga paragjykime, politika diskriminuese apo dublo standarde. Një pjesë e këtyre universiteteve janë frute njerëzish idealistë, që kanë vetinë e forcën të ngrenë institucione arsimore e kulturore të vlefshme për të tjerët dhe brezat që vijnë.
Shteti, kur them shteti kam parasysh të katra pushtetet dhe rolin e shtetasit në to, duhet të çlirohen nga fobia dhe paranoja e të parit të universiteteve si vatra armiqësore e të rrezikshme. Universitetet tek e fundit janë fabrika ëndrrash dhe dijesh që kanë forcën dhe vetinë të emancipojnë vetë shtetin.
Sot jemi perballë një sistemi arsimor konfuz, universitetet private janë më shumë se dyfishi i atyre publike. Ne një vend të vogël si yni, a duhen kaq shumë shkolla të larta? Cila do të ishte zgjidhja për ta stabilizuar këtë sistem? Ku duhet të ndërhyhet?
U shpreha dhe më lart duke përdorur termin shqyerje dyersh universitetesh, pra në konceptin tim universiteti si institucion mbetet elitar dhe jo populist. Mendoj se dyndja pa fre mund të dëmtojë edhe tregun e punës. Ka disa sektorë vitalë të ekonomisë, si bujqësia, industria e lehtë, sektori i shërbimeve etj., të cilat do vazhdojnë të mbeten të zbrazura. Nga ana tjetër, do të kemi njerëz të diplomuar madje dhe mastera të papunësh. Natyrisht kjo s’është e lehtë të planifikohet kur flasim për iniciativë të lirë dhe konkurrencë tregu, por miratimet e universiteteve dhe licencat e hapjes së tyre bëhen nga shteti. Shteti mbetet arbitër edhe në ekonominë e tregut, duke deleguar gjithnjë e më shumë kompetencat e veta.
Të ndalemi pak në një çëshje që ditët e fundit është diskutuar gjerësisht në media. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, akuzohet nga KLSH për një sërë shkeljesh flagrante. Po kështu, nga të dhënat e deklarimit të pasurisë rezultoi se ishte anëtar në 7 borde që nuk kane lidhje me sferën akdemike. Si e keni parë këtë çështje? Ju duket normale që rektori i UT i quan të gjitha shpifje, ndërkohë që ka një page 2 herë më të larte se presidenti?
Duke respektuar institucionet, mendoj se media ka bërë detyrën e vet, por institucionet shtetërore kanë mekanizmat e tyre të ndjekjes së çështjeve që ju shtroni.
Rektori, z. Dhori Kule, është i zgjedhur dhe në rastin konkret janë zgjedhësit e tij që mbase do shqyrtojnë akuzat e ngritura. Gjykimi i kësaj çështjeje lidhet direkt me integritetin e Universitetit të Tiranës.
Z. Kule është pjesë e konferencës së rektorëve, konferencë e cila e ka humbur rolin e saj në debatin publik që po zhvillohet për reformat në arsimin e lartë. Pozicionet e z.Kule në një shumatore detyrash sigurisht janë vendimmarrje personale, por për sa u përket shifrave dhe fakteve që ju rendisni, më lejoni t’ju them se unë nuk kam të drejtë të bëj kompetentin për çështje që nuk i njoh.
Kam parë me shqetësim mungesën e entuziazmit të z.Kule ndaj universiteteve private, mbase duhej punuar nga ana e tij më shumë në fusha të përbashkëta konvergjente dhe jo divergjente.
Sipas jush, a duhet që figura e rektorit të Universitetit më të madh në vend të jetë e lidhur ngushtësisht me politikën e përfitimet prej saj, apo në krye të këtij institucioni që prodhon dije duhet të qëndrojë një figurë e pastër akademike?
Lidhja politike dhe figura e pastër akademike sigurisht që janë të vështira të qëndrojnë bashkë. Bota akademike mendoj se duhet të bëjë diferencimin mes preferencës dhe principit. Çdokush ka preferencën e vet politike, madje s’ka pse ta fshehë atë. Çështja është kur preferenca sundon mbi principin e një akademiku. Bota akademike, shkencore e kulturore kanë si principe vitale të tyre ligje dhe kategori universale të botës dhe kjo nuk i përjashton ato nga preferenca politike.
Me z.Dhori Kule kemi bërë pjesë në iniciativën për Tiranën. Të them të vërtetën, nuk e kam ndier atë në diskutimet e bëra në pozicionin e ndonjë militanti të thekur politik. Nuk di dhe nuk njoh lidhje të tjera apo përfitime të tij.
Një tjetër çështje ka qenë ajo e godinës së ish-konviktit të Gjuhëve të Huaja. Sipas rektorit Kule, universiteti “Luarasi” nuk mund të pretendoje të marrë në pronësi këtë godinë, pasi është institucion arsimor privat dhe kjo godinë duhet t’i kalojë Universitetit të Tiranës si një institucion publik. Nisur edhe nga eksperienca juaj për një problem të ngjashëm vite më parë, a është normale kjo logjikë, kur po trumbetohet fort mbështetja e arsimit si një nga prioritetet për zhvillimin e vendit?
Po nisem nga fraza e fundit që lidhet me çështjen “Marubi”. Çështja “Luarasi”, edhe pse bëjmë pjesë si universitete në të njëjtin konsorcium së bashku me “Polis” dhe “Europianin”, çështja “Marubi” është çështje krejt tjetër.
Akademia e filmit dhe multimedias “Marubi” u hap në vitin 2004 në Kinostudio nga shtëpia filmike “ORAFILM” në bazë të ligjit të kinematografisë dhe ligjit të arsimit të lartë. Shtëpitë filmike janë subjekte jo përfituese, ndaj kanë të drejtën me ligj të përdorimit të fondeve publike dhe kanë statusin e një televizioni publik, edhe pse menaxhimi i tyre është privat. Ligjvënësi i ka përjashtuar shtëpitë filmike nga taksa e tatimfitimit. Nga ana tjetër, akademia “Marubi”, si shkolla e parë filmime, është ngritur në mjedisin kinematografik si vazhdim i traditës sonë kinematografike. Numri i studentëve në shkollat filmike kudo në botë është mjaft i kufizuar. Tek Marubi studiojnë 20-30 studentë për të tri vitet akademike të marra së bashku. Studentët krijojnë dhe realizojnë çdo vit veprat e tyre filmike.
Për sa i përket çështjes “Luarasi”, unë jam dakord që sipas procedurave ligjore godina e konviktit pronë shtetërore t’i jepet universitetit “Luarasi”.
Pra, i qëndroni argumentit se pretendimet e rektorit Dhori Kule janë të pabazuara?
Tani mund t’u rikthehem sërish argumenteve të çështjes së universiteteve shtetërore, publike dhe private. Pasuria e universiteteve shtetërore duhet të kalojë me ligj dhe të regjistrohet si një pronë publike universitare dhe jo më pronë shteti.
Në rast se këto prona universitare do regjistrohen si prona publike universitetesh, atëherë ato do mbeten si të tilla, pasuri të patjetërsueshme publike dhe do ekzistojnë në shekuj.
Askush nuk do këtë të drejtë, madje as vetë shteti, që të bëjë ç’të dojë me këto prona. Shteti ynë ka dhënë prona për kisha e xhami dhe unë nuk arrij të kuptoj se përse duhet të hezitojë të japë dhe për universitete.
Në rastin konkret, shteti ia dha godinën e konviktit të studentëve universitetit “Luarasi”, sepse shteti e konsideroi atë objekt si pronë të shtetit.
Pretendimet e z. Dhori Kule, për të refuzuar kalimin e godinës në funksion të universitetit “Luarasi”, unë i shoh më shumë si një paragjykim që z.Kule ka ndaj universiteteve “private”.
Ndaj universiteteve s’duhet të ketë diskriminime. Së pari, mendoj se universiteti “Luarasi” dëshmoi qartë në këto vite prove integritetin e vet të plotë. Shteti nuk mund të bëjë politika përjashtuese ndaj vlerave të pakta të botës akademike. Ajo shkollë është themeluar nga personaliteti ynë i shquar i jurisprudencës, z. Aleks Luarasi. Njerëzit tanë të mendjes që po punojnë në atë shkollë nuk mund të barazohen as me tulla, e as me gurë e çimento të cilat mund të prodhohen në çdo lloj fabrike.
Mendoj se nuk është godina e konviktit që do i bëjë nder universitetit “Luarasi”, por është emri i universitetit që do i jap vlerë godinës. Për sa i përket Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, mendoj se gjuha angleze po bëhet një gjuhë e dytë në vendin tonë dhe katedra të veçanta kanë përfshirë në programet e mësimdhënies gjuhën angleze.
Z. Dhori Kule deklaroi kohë më parë që disa lëndë në universitet do t’i bëjmë në gjuhën angleze.
Personalisht, do dëshiroja që kjo çështje e debatueshme në media të mos futej në skemën e lojërave politike dhe viktima të këtyre skemave të ishin pedagogët, njerëzit e dijes dhe mendjes. Besoj se me një vullnet politik do gjenden hapësirat e nevojshme që universiteti “Luarasi” të vendoset në vendin që i takon dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja t’i gjendet hapësira e nevojshme.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











