Capital T humb koncertin, Ambasada Gjermane nuk ia jep vizën

Jul 8, 2012 | 10:11

Gjithkush mendon se për një djalë biznesmeni çdo gjë është e mundur. Jemi mësuar të shohim, lexojmë dhe dëgjojmë gjithmonë gjëra të bukura për të. I ri, i suksesshëm dhe shumë i pasur, është fjala për Trim Ademin (Capital T), djaloshin i cili po bën shumë bujë viteve të fundit me hite dhe suksese. Pas një turi me koncerte dhe udhëtime jashtë vendit, reperit të njohur kosovar Capital T si duket i kishte skaduar afati i vizës për qëndrim jashtë Kosovës, gjë që e ka detyruar të kthehet në vendlindje për të vazhduar vizën, pasi e njëjta i duhej për të vazhduar koncertet e verës.
Edhe pse kishte deklaruar se nuk do të mbajë asnjë koncert këtë verë por do të fokusohet në realizimin e projekteve muzikore, Capital T gjatë javës që kaloi ka humbur shansin për të mbajtur një koncert në një diskotekë shqiptare në Gjermani, së bashku me Sinan Vllasaliun.
Pasi Sinani kishte qenë i pranishëm në mbrëmje, organizatorët e koncertit ishin munduar që menjëherë të gjejnë zëvendësim për reperin e ri, ndërsa kishin njoftuar edhe publikun që Capital T nuk do të mund të jetë i pranishëm në mbrëmje, për shkak se nuk e kishte marrë vizën në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, por duke mos dhënë më shumë detaje pse i është refuzuar viza reperit të njohur.

© Panorama.al

Te lidhura