Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Cannon, përkrah Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ne si një prej vendeve të BE-së, jemi të interesuar që Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë këtë vit ose në të ardhmen e afërt. Ajo që ka të bëjë me çështjen e drejtësisë këtu, korruspionin dhe rastet specifike që gjykohen, gjithashtu edhe çështjet e krimit të organizuar, hyjnë mes 12 kritereve të cilat duhet të plotësohen për marrjen e statusit kandidat. Ne mendojmë që këto kritere të vendosura nga Komisioni Europian, kanë nevojë akoma të plotësohen.
Këto deklarata, përfaqësuesi diplomatik në vendin tonë i Mbretërisë së Bashkuar, i ka bërë një ditë më parë gjatë një feste të organizuar në Komunën Lunxhëri në Gjirokastër. Zoti Cannon, thekson se mes kritereve më të rëndësishme, mund të nënvizohet reforma zgjedhore pasi është një pikë kyce së bashku me çështjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve.
Ndërsa situatën politike në vend, Cannon e ka vlerësuar si mjaft dinamike ndonëse ka vetëm katër muaj qëndrimi në vendin tonë. Sfida më e madhe që duhet të përballet vendi ynë në raport me statusin, për ambasadorin britanik është integrimi në BE, çka për të duhet të jetë objektiv kombëtar.
Piro Nase
© Panorama.al











