Çani i vetëm në sulm, kthehemi në origjinë

May 27, 2012 | 12:17

Xhani de Biazi

Shqipëria sonte në miqësoren ndaj Iranit, prova e së vërtetës.

Bakaj luan pas sulmit, Zeqiri e Hyka nga minuta e parë.

Do jetë një Shqipëri tjetër ndaj Iranit. Ndryshimi thelbësor do jetë fakti se do luajmë me vetëm një “pykë”, Çanin dhe me Bakajn në ndihmë të tij.
Ndërkohë Lila do jetë në pozicionin e tij të krahut të djathtë në mbrojtje, në vend të Dallkut. Kështu kërkon të surprizojë trajneri Xhani de Biazi edhe elitarët aziatikë të Iranit. Edhe pse kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë herë më të fortë si në letër, por edhe në fushën e lojës, duke parë përbërjen, tekniku italian i kuqezinjve ka një synim të vetëm: të luajë si i barabartë ndaj një skuadre të tillë dhe mundësisht të marrë edhe një rezultat pozitiv. Faktikisht, kjo konsiderohet dhe si prova e vërtetë e skuadrës sonë në këto miqësore para ndeshjeve zyrtare kualifikuese për Botërorin 2014, pasi edhe takimi i gushtit me Moldavinë nuk shihet në nivelet e kësaj ndeshjeje, kjo normalisht referuar Iranit, ekip ky që renditet në 50 vendet e para në FIFA.
Risitë – Lojë agresive nga krahët dhe pasime në zonë, ku gjendet Edgar Çani, kjo është strategjia që po ndjek De Biazi edhe për ndeshjen e sotme. Tekniku i Kombëtares sonë ka preferuar që të mbrohet disi duke lënë në stol fillimisht Bogdanin dhe duke provuar të vetëm sulmuesin 23-vjeçar të Polonia Varshavës, kjo një provë edhe për këtë të fundit, pa partner në vijën e parë. Në rolin e një mesfushori organizator do jetë Zeqiri, por iniciativa mund të marrë edhe Bakaj, paçka se ky i fundit do luajë më shumë në ndihmë të sulmit. Ndërkohë nuk luan Vila, i cili dje ka pasur disa probleme muskulore dhe me shumë gjasa në vend të tij do të luajë Jahmir Hyka. Ndërsa ndryshon edhe moduli, në krahasim me ndeshjen ndaj Katarit, pasi nga 4-4-2 do kalohet në një 4-4-1-1, ku pesha më e madhe do bjerë te Çani. Formacioni – Porta do t’i besohet për herë të parë Etrit Berishës. Kosovari do debutojë me fanellën kuqezi, ndaj edhe sytë e teknikëve janë pikërisht nga ky i fundit për të parë nëse ai do jetë në lartësinë për të konkurruar Ujkanin apo jo. “Jam shumë i lumtur që po luaj me Kombëtaren, pasi e kam pasur ëndërr. Kam pasur kontakte që më përpara me Federatën dhe tani jam këtu për të dhënë kontributin tim”, pohoi kosovari për mediat. Ndërkohë mbrojtja do jetë e përbërë nga Lila në të djathtë, Cana dhe Mavraj në qendër dhe Agolli në të majtë. Dyshja shkatërruese para mbrojtjes do jetë Bulku-S.Lilaj dhe nga krahët do luajë Hyka në të djathtë dhe Zeqiri në të majtë. Kujtojmë se në skuadër mungojnë edhe disa lojtarë cilësorë, si Salihi, Roshi, Muzaka, Dallku, Vangjeli të cilët e rrisin edhe më shumë konkurrencën në skuadër. Kështu mund të thuhet pa frikë se për herë të parë pas shumë kohësh, Kombëtarja ka pothuajse për çdo rol nga dy lojtarë cilësorë që do luftojnë për një vend titullari.

SHQIPERI-IRAN
Sonte, ora 19:00

Formacionet e mundshme
Shqipëria: E.Berisha, Lila, Cana, Mavraj, Agolli, Bulku, S.Lilaj, Hyka, Zeqiri, Bakaj, Çani. Trajner: Xhani de Biasi
Irani: Rahmati, Hejdari, Hajsafi, Hoseini, Agili, Nekounam, Naizari, Zandi, Karimi, Rezaei, Khalatbari. Trajner: Karlos Keirosh

Hyka: Ky, ekipi më i mirë në vitet e fundit
Jahmir Hyka mendon se kjo është skuadra më e mirë Kombëtare që është grumbulluar në vitet e fundit. “Është Kombëtarja më e fortë që është grumbulluar deri tani. Të gjithëve na takon të japim maksimumin tonë. Më 22 maj fituam ndaj Katarit dhe do të dëshiroja që edhe në tokën turke ndaj Iranit të përsërisim të njëjtën gjendje sportive si në Spanjë. Me Katarin luajta në një minutazh të kufizuar. Me Iranin shpresoj të më jepet më shumë hapësirë, për të treguar angazhimin tim në ndihmë të ekipit përfaqësues. Duke besuar në Zot, kam një parandjenjë që me Kombëtaren e drejtuar nga tekniku italian De Biazi, Shqipëria do të thyejë të gjitha parashikimet”, ka thënë Hyka.

Bulku: Jemi në formë edhe pa Salihin
Mesfushori Ervin Bulku ka theksuar se skuadra është në formën më të mirë e të mendosh se nuk është i grumbulluar edhe Salihi. “Në këtë miqësore është krejt normale të bëhen prova dhe testime të ndryshme, që të arrihet në një përfundim sa më të plotë dhe efikas për ekipin tonë kombëtar. Fitorja na gëzoi, pavarësisht vlerave dhe aftësive të kundërshtarit. Të mos harrojmë që ky formacion ishte unikal, i paprovuar më parë në ndonjë testim të këtij lloji. Në ndeshjen e 22 majit na u krijuan shumë raste për shënim, por nuk u shfrytëzuan. Më ngroh një dukuri: në se në grumbullimet e tjera rroket edhe angazhimi i Salihit, Berishës dhe i ndonjë sulmuesi tjetër race”, ka thënë Bulku.

Erjon Bogdani: Kemi një ekip me të ardhme
Numri 81 i Sienës në futbollin italian pohoi se skuadra që ka në dorë sot për sot De Biazi ka një të ardhme, pasi në të ka shumë lojtarë të rinj cilësorë. “Ndonëse me 14 prill mbusha 35 vjeç, e ndjej veten në formë, me shumë përvojë dhe me shumë mundësi për të dhënë ndihmesën time në prezantimin sa më të mirë të ekipit tonë përfaqësues. Shënova ndaj Katarit dhe do të ndjehesha vërtet i lumtur të vazhdoja të realizoja edhe ndaj përfaqësueses iraniane. Më vjen mirë që trajneri De Biazi provon edhe mjaft futbollistë të rinj. Kjo pa dyshim është e ardhmja e Kombëtares. Është vetëm fillimi. Në këto momente nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të shfaq optimizëm”, ka thënë Bogdani.

Orges Shehi: 35-vjeç kuqezi, jam gati si titullar
Më 25 shtator të këtij viti, portieri durrsak i Skënderbeut, Orges Shehi, mbush 35 vjeç. Në ruajtje të portës korçare, Shehi është kampioni i Superiores. Rrjeta e tij u prek vetëm 15 herë gjatë sezonit të fundit. Për Shehin ishte hera e parë në karrierën e tij që e nis nga minuta e parë në ndeshjen me Katarin. “Me gjithë stazhin e gjatë në karrierën time, përjetova emocione të veçanta kur u vendosa të ruaj portën nga fillimi. Falënderoj pa masë trajnerin De Biazi për besimin që krijoi tek unë në miqësoren e fundit. Më vjen mirë që krahas meje, punojnë dhe stërviten edhe dy portierë të rinj, Koliqi dhe Moçka. Porta në të ardhmen është në dorë të tyre, por kjo nuk më pengon të tregoj performancën time, të cilën besoj se e kam shfaqur mirë në kampionat. Nuk kam pse ta fsheh: ndeshja e 22 majit ndaj Katarit ishte shumë e veçantë për jetën time të gjatë sportive. Për herë të parë mbrojta për 90 minuta kuadratin e portës së ekipit tonë përfaqësues. Jam i gatshëm të përballoj edhe sfida të tjera të radhës, siç është kjo me Iranin. Mbetëm gjithnjë nxënës i kujdesit dhe vëmendjes në portë”, është shprehur Shehi.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura