Cana: Presim një Bosnjë të frikshme

Jun 5, 2011 | 10:49

Lorik Cana parashikon një sfidë edhe më të vështirë nga sa mendohet. Lideri i Kombëtares e arsyeton këtë bindje me faktin se humbja në Rumani e boshnjakëve i ka bërë këta të fundit më të ndërgjegjshëm për ndeshjen e radhës. Në konferencën për shtyp nga ambientet e hotel “Dyrrah”, Cana deklaroi ndër të tjera se avantazhi i Shqipëri në këto momente është vetëm morali i lartë. “Nuk e prisja një humbje të tillë të Bosnjës, megjithëse unë e mendoja fitoren e Rumanisë. Me këtë që bënë, rumunët treguan se nuk kanë hequr dorë nga synimet e tyre për të shkuar në finalet e Europianit 2012. Ky rezultat është edhe një argument më shumë për të thënë se sa i fortë është grupi ynë, pavarësisht se Franca ka një shkëputje të lehtë,”- tha fillimisht Cana. Më pas, ai foli dhe për atë që parashikon për sfidën e radhës. “E dimë fort mirë se do të jetë një Bosnjë shumë më ndryshe nga Rumania dhe në shtëpinë e tyre thuajse janë të pamposhtur. Dihet që në Zenicë është kryeqendra e tifozërisë boshnjake dhe kjo mbetet një armë e fortë në duart e tyre. Ata do të kërkojnë fitoren, ndërsa ekipi ynë është ngritur në moral me humbjen e Bosnjës me Rumaninë dhe kjo mundësi nuk duhet shpërdoruar. Parashikoj se Bosnja do të futet në fushën e lojës me një mentalitet dhe dëshirë të jashtëzakonshme për ta fituar ndeshjen. Nëse Bosnja kalon në vendin e dytë, diferencat me vendin e pestë janë diku 2-3 pikë dhe me një fitore barazohesh sërish. Kjo është lufta teorike e pikëve, e cila ndikon paksa në psikologji,”- është shprehur Cana.

© Panorama.al

Te lidhura