Lorik Cana është prezantuar dje zyrtarisht si lojtar i Lacios dhe të pranishëm në konferencën për shtyp kanë qenë edhe blerjet e reja Klose, Cise, Marketi dhe Stankevicius, si edhe presidenti i klubit bardhekaltër, Klaudio Lotito. Duke folur para medias, shqiptari ka qenë fare i drejtpërdrejtë, kur e kanë provokuar nëse ishte vërtetë një i fortë në fushë apo më shumë kishte famën si i tillë. “Po, unë jam një i fortë në fushë. I fortë në sensin pozitiv, sepse luftoj pa kurrfarë frike ndaj çdo kundërshtari që kam para. Mendoj se do të ishte më mirë termi “i ashpër”, por meqë ju po përdorni termin “i fortë”, atëherë po ua konfirmoj se jam një i tillë. Kështu kam qenë në Francë, në Angli dhe në Turqi. Kjo është ajo që unë di të bëj më mirë, pra të luftoj. Të luftosh do të thotë të kesh edhe forcë, edhe të mos kesh frikë”, ka deklaruar ylli i përfaqësueses shqiptare dje në mediat italiane. Më tej, mesfushori shkatërrues ka deklaruar se ndihet krenar që do të luajë në një nga kampionatet më të fortë në botë dhe premton gjithashtu se do të bëjë gjithçka me skuadrën e Lacios. “Seria A është kampionati më i fortë në botë dhe kjo është një sfidë e madhe për mua. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre dhe e një projekti ambicioz. Unë mendoj se Lacio është në gjendje të luftojë në të gjitha kompeticionet ku do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm”, ka thënë mesfushori.
lotito
Presidenti i klubit bardhekaltër, Klaudio Lotito, i cili njihet si një njeri që i ka batutat në majë të gjuhës, ka ngacmuar pak Canën në konferencë. “I kisha thënë të rrinte i qetë sepse do të vinte patjetër në skuadrën tonë. Nëse Lacio të vë në shënjestër, nuk mund të shpëtosh kollaj, por ai (Loriku) ishte gjithë kohën dyshues. Unë isha i bindur se do ta merrnim në ekip, pavarësisht kapriçove që nisi të bënte Muzlera”, ka thënë numri 1 i klubit italian.











