Mesfushori i Kombëtares shqiptare është i lumtur që do të luajë te Lacio dhe u shpall “luftë” gjigantëve të Serisë A, duke u premtuar tifozëve bardhekaltër dje se Lacio do të luftojë si e barabartë me të gjithë të mëdhenjtë.Pasi ka zgjidhur kontratën në mënyrë konsensuale me Gallatasarain, 27-vjeçari ka dhënë një intervistë për mediat turke në Aeroportin e Stambollit.
Lorik, si ndiheni tani që po largoheni nga Turqia?
Shikoni, unë këtu kam pasur edhe momente të vështira, por nuk mund të qahem. Mendoj se kam zhvilluar një sezon të mirë në aspektin personal, pavarësisht arritjeve të skuadrës. Gjithsesi, ua përsëris edhe njëherë se e kam dashur shumë Turqinë, këtë as mos e vini kurrë në dyshim.
A jeni i lumtur që po shkoni te Lacio?
Po, shumë madje. Më pret një sfidë e re në këtë skuadër dhe mendoj se është bukur sa herë që shkon në një skuadër të re. Ke stimuj të rinj, ke dëshirën për të mësuar sa më shumë.
A mund të na thoni diçka rreth kontratës suaj?
Është marrë babai im me të gjitha detajet, ndaj edhe nuk mund të them shumë gjëra momentalisht. Unë mendoj se transferimi te Lacio ishte zgjedhja ime më e mirë që mund të bëja.
Do të luani sërish në Europë…
Po, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por të mos harrojmë se do të luajmë edhe kundër skuadrave të tjera të mëdha të nivelit botëror. Në Itali ka disa skuadra, përfshi këtu edhe Lacion që kanë një traditë të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare. Kështu që, mendoj se edhe kampionati aty është i një niveli të lartë. Personalisht, mezi po pres që të vesh fanellën e Lacios dhe të përballem me skuadra të mëdha.
Çfarë do t’iu thoshit tifozëve lacialë?
Do të jap gjithçka në fushë. Do të garojmë si të barabartë në të gjitha kompeticionet dhe kundër çdo skuadre.
Do të ketë nga ato dyluftimet e ashpra që vetëm ju dini t’i “gatuani”…?
(qesh)…Po, do të ketë edhe nga ato. Në fund të fundit, unë paguhem edhe për këtë, apo jo…?
Çfarë do të thotë Lacio për ju?
Një arritje në karrierën time. Ndihem krenar që do të jem pjesë e kësaj skuadre, por edhe një detyrë e vështirë. E di shumë mirë se do të më duhet të luftoj shumë që të mund të arrij objektivat që i kam vënë vetes. Lacio është vërtetë një klub i shkëlqyer dhe mund të them me siguri se ka tifozë të mrekullueshëm.
Po tifozëve të Gallatasarait, çfarë do t’iu thoshit?
Që ishte një nder që luajta aty dhe që duhet të mos e braktisin kurrë skuadrën e tyre. Unë do të mbetem gjithnjë një tifoz i kësaj skuadre. Ah, dua t’ju them gjithashtu që të kenë besim te trajneri i tyre, Fatih Terim. Me atë do të ecin përpara.
Komenti i medias e faktori “Tare”
Media italiane i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe transferimit të mesfushorit shqiptar Lorik Cana te Lacio. Ky i fundit vlerësohet për aspektin luftarak dhe për eksperiencën e gjatë që ka në nivele të larta. Gazetat sportive prestigjioze i kanë thurur lavde 27-vjeçarit, ende pa veshur fanellën bardhekaltër. “Vjen Cana, luftëtari i ri i Lacios”, shkruante “Corriere dello Sport”. Ndërkaq, gazeta më e madhe sportive në vendin fqinj, “Gazzetta dello Sport”, e komentonte mbërritjen e shqiptarit si një goditje të arrirë në repartin defensiv. “Lacio blindon mesfushën me një lojtar muskulor dhe shumë të pjekur. Cana, dikur kapiten i Marsejës, vlerësohet si një ndër më të mirët në qarkullim dhe nëse do të vazhdojë me rendimentin që ka pasur vitet e fundit, atëherë Lacio do të jetë më e sigurt në mbrojtje, mjafton që trajneri Reja t’i gjejë vendin”, shkruhej në komentin e “Gazzetta dello Sport”. Transferimi i Lorik Canës në Romë është edhe një bast për Igli Taren. Ish-kapiteni i Shqipërisë është shndërruar në trurin e merkatos laciale dhe momentalisht është një nga drejtorët sportiv më efikas të dekadave të fundit të klubit bardhekaltër. Afrimi i lojtarëve cilësorë si Hernanes, Zarate, Matuzalem dhe Klose, i kanë shtuar reputacionin biondit shqiptar, duke marrë vazhdimisht komplimentet e specialistëve. Ky ka qenë një motiv që opinioni sportiv në Itali e ka pritur me nota tejet pozitive transferimin e Canës te Lacio.











