Lacio është nisur pasditen e djeshme në drejtim të Shkupit, për të kryer formalitetin kundër maqedonasve të Rabotnickit, kjo pasi në ndeshjen e parë fituan 6-0.Kështu, bardhekaltrit e Edi Rejës presin të luajnë një miqësore luksi mbrëmjen e sotme, në të cilën trajneri kryeqytetas do t’u japë një shans futbollistëve që janë aktivizuar më pak se të tjerët deri në këtë pjesë të sezonit. Mes tyre spikat shqiptari Lorik Cana, i cili pritet të bëjë sot debutimin zyrtar si titullar i Lacios. Mesfushori i përfaqësueses sonë do të zëvendësojë në mesfushë Ledezmën, sepse nga ana tjetër Matuzalem, që pritej të luante titullar, ka ende disa probleme fizike, ndonëse është nisur me skuadrën drejt Maqedonisë. Prandaj, kjo sfidë e sotme në Ligën e Europës është një shans i artë për Lorik Canën, i cili duhet t’i tregojë trajnerit të tij se ka rikuperuar formën e plotë dhe është gati që të luftojë për një fanellë titullari edhe në kampionat. “Ndeshja e sotme me Rabotnickin nuk është një miqësore për ne, përkundrazi, për disa lojtarë në veçanti mund të jetë edhe më e rëndësishme se ajo e para, e fituar në Romë me rezultatin 6-0. Lacio sivjet është një skuadër e ndërtuar për të synuar triumfin në Ligën e Europës, por gjithashtu të luftojë bindshëm në kampionat përkrah Interit dhe Milanit për titullin. Sezoni ynë ka nisur fillimit me aventurën europiane, ndaj këtë kompeticion do ta nderojmë deri në fund, sepse kam besim se mund ta fitojmë. Formacioni? Në bazë të rezultatit të sfidës së kaluar, do të testoj disa futbollistë të rinj, mes të cilëve edhe Canën. Loriku do të zëvendësojë Ledezmën. Cana e di mirë që pres shumë nga ai, ndaj kjo do të jetë një mundësi e mirë për të, por edhe për të gjithë skuadrën, e cila duhet të punojë për kolaudimin e bashkëpunimit në fushë”, tha trajneri i Lacios.
Derbi shqiptar/ Vorskla konfirmon Dallkun dhe Januzin, Bakaj nuk bind Dinamon
Vorskla dhe Dinamo e Bukureshtit do të hapin pasditen e sotme të Ligës së Europës. Në fushë do ketë menjëherë një derbi shqiptar, ndonëse ai pritet të mos jetë i kompletuar. Formacioni ukrainas i Vorsklas do t’u kthejë vizitën rumunëve të Dinamos, pasi i mundën javën e kaluar në shtëpi me rezultatin 2-1. Në këtë takim, Armend Dallku ishte një protagonist absolut, pasi me zbritjet e tij të shpejta në krahun e djathtë vuri jo pak në vështirësi ekipin nga Bukureshti. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare kërkoi dy herë golin nga distanca, por gjithashtu iu mohua një penallti e pastër pas një zbritjeje të tij të shpejtë. Për këtë arsye, Vorskla ka konfirmuar në formacionin bazë Dallkun, me të cilin do kërkojë të mbrojë avantazhin e sfidës së parë. Për ukrainasit pritet të konfirmohet edhe sulmuesi Ahmed Januzi. Ky i fundit, ndryshe nga shoku i skuadrës, u aktivizua vetëm për 77 minuta, ndonëse trajneri Pavlov ka besim të plotë te Januzi, i cili vjen pas disa problemesh fizike. Por nga ana tjetër, Dinamo e Bukureshtit pritet të lërë sërish në pankinë Elis Bakajn. Mesfushori shqiptar nuk u aktivizua për asnjë minutë në sfidën e kaluar të luajtur në Ukrainë, por edhe pasditen e sotme, Bakaj pritet ta nisë nga pankina, me shpresën se trajneri do t’i japë disa minuta atij.











