Cana: Do të jem unë anti-Toti

Jun 29, 2011 | 11:52

E ardhmja e Lorik Canës është shndërruar në një çështje “ndërkombëtare”, sipas mediave të huaja. Gjithçka po luhet në boshtin Turqi-Itali-Angli.Klubi i Gallatasarait nuk tërhiqet nga ideja për të përfituar sa më shumë nga blerja e mesfushorit, duke mbajtur gjithnjë në pritje Lacion, që shpreson të ulet disi pazari. Nga ana tjetër, vetë futbollisti po shqyrton mundësinë e kalimit në ndonjë klub anglez.
Anti-Toti – Media italiane ka njoftuar dje se Lorik Cana është fare pranë Lacios dhe së bashku me sulmuesin Xhibril Cise mund të prezantohen kësaj jave si dy blerjet e fundit të klubit roman. Ndërkaq, media i është referuar një deklarate që ka bërë Lorik Canën në rrjetin social “Facebook”, ku ka thënë se mezi po pret të shkojë te Lacio dhe se do të jetë ai njeriu anti-Toti në derbin e Romës. “Babai im është takuar me presidentin Lotito dhe ne po presim me ankth. Më vjen mirë që konsiderohem si njeriu anti-Toti nga tifozët lacialë dhe, nëse unë vesh fanellën e Lacios, do të bëj të pamundurën që të mos i zhgënjej tifozët. Jam i kënaqur gjithashtu edhe që kam kaq shumë fansa te Lacio, ende pa qenë pjesë e kësaj skuadre”, ka thënë Cana. Kaq është dashur që tifozët bardhekaltër të entuziazmohen më tepër se duhet dhe të komentojnë blerjen e mundshme të shqiptarit si një goditje të madhe në merkato.
Anglia – Nëse në Itali presin çdo ditë që Lacio të prezantojë Lorik Canën zyrtarisht si një nga blerjet e kësaj vere, nga Anglia del një tjetër lajm sensacional. Lorik Cana ka hyrë në bisedime me disa klube angleze dhe pritet që të luajë në Premier Ligë vitin e ardhshëm. Sipas rrjetit prestigjioz “Sky Sport”, mesfushori shqiptar ka qenë i pari që ka hyrë në bisedime dhe në këtë mënyrë është vetë-ofruar. Bëhet e ditur gjithashtu se edhe Gallatasarai po këmbëngul që lojtari të kalojë në Premier Ligë, pasi klubet angleze paguajnë më shumë për kartonin e tij. Lorik Cana ka edhe tri vite të tjera kontratë me Gallatasarain, por trajneri i ri i kësaj skuadre, Fatih Terim, ia ka bërë të qartë lojtarit se nuk bën më pjesë në planet e tij. Cana, nga ana tjetër, prej muajsh ka hyrë në bisedime me klube të ndryshme, duke qenë se Gallatasarai dështoi për të siguruar një vend në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm.

6 Milionë
euro kërkon Gallatasarai për Lorik Canën, ndërkohë që Lacio ofron rreth 1.5 milionë më pak. Nëse Cana do të kalojë te klubi bardhekaltër, do të përfitojë 1.7 milionë euro në sezon.

Ujkani

Samir Ujkani mund të kishte kaluar në një klub të Bundesligës 1 pak ditë më parë, por Novara e ka refuzuar ofertën. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane dje, sipas të cilave, portieri i Kombëtares shqiptare ishte nën shënjestrën e një skuadre gjermane, e cila kishte vënë edhe një shumë parash në dispozicion në procesin e ndarjes së zarfeve, për lojtarët që janë në bashkëpronësi. Samir Ujkani kërkohet edhe nga klubi i Sampdorias, por Novara nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e 23-vjeçarit.

Kampedeli: Bogdani nuk ikën

Erjon Bogdani mund të mos largohet nga Çezena. Këtë e ka thënë presidenti i klubit bardhezi, Igor Kampedeli, i cili ka shtuar gjithashtu se nuk e ndërron shqiptarin as me një sulmues të ri si Kozak i Lacios. “Kozak është një futbollist i mirë dhe lojtar me tipare si të tijat ka pak sot në qarkullim. Megjithatë, ne e kemi një bomber me të tilla karakteristika dhe ai quhet Erjon Bogdani. Ne kemi besim te ky sulmues dhe, duke qenë se kemi edhe dy alternativa luksi si Budan dhe Malonga, unë mendoj se jemi të kompletuar. Vetëm në rast se ikën ndonjë prej shtatlartëve tanë të sulmit, atëherë mund të mendojmë për të afruar ndonjë lojtar si Kozak ose ndonjë tjetër”, tha ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura