Cana: Barazimi do të ishte një zhgënjim

Sep 7, 2012 | 14:01

Lorik Cana

Kapiteni i Kombëtares beson te katër pikë në dy ndeshjet e para.

“Me Qipron llogaris fitoren, është në një nivel me ne”

Lorik Cana e konsideron zhgënjim nëse Shqipëria barazon sot me Qipron. Kapiteni i Kombëtares ka folur me optimizëm 24 orë para sfidës së parë eliminatore. Në konferencën për shtyp nga rezidenca e përfaqësueses në Durrës, lideri i kuqezinjve deklaroi ndër të tjera, se ndaj një kundërshtari si Qiproja vetëm fitorja bën punë. “Sigurisht që një fillim i mbarë është shumë i rëndësishëm për ne. Detyra jonë është të arrijmë rezultate sa më të mira, për ta përfaqësuar denjësisht vendin. Nuk mund të fluturojmë dhe të themi se do ta mbyllim të parët në grup. Qëllimi ynë është të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe, pse jo, të kualifikohemi. Por, para së gjithash, duhet të jemi me këmbë në tokë për mundësitë që kemi. Qiproja është në një nivel me ne dhe natyrisht që do të luajmë për të fituar. Pak a shumë e njohim kundërshtarin, teksa kemi parë së fundi edhe ndeshjet që ka zhvilluar. Edhe pse nuk është nga skuadrat e mëdha në Europë, vetë cilësia e lojtarëve që kanë dhe suksesi i arritur me klubet bën që t’i vlerësosh në maksimum. Nuk kemi aspak luksin për t’i parë ata si inferiorë karshi nesh. E shikoj si një kundërshtar të barabartë me ne, por në fushën tonë do të bëjmë gjithçka për ta mposhtur. Nëse flasim për synime, atëherë ndaj Qipros duhet të na kënaqë vetëm trepikëshi. Një barazim do të jetë zhgënjim, ndonëse dështim nuk mund ta quaj. Ne duhet të llogarisim pikët e plota, por dihet që në futboll gjithçka ndodh. Qiproja ka marrë barazim në Portugali dhe pse të mos e bëjë këtë edhe këtu te ne? Mirëpo, e përsëris, në fushën tonë do të ishte zhgënjim nëse barazonim. Pastaj në ndeshjen e radhës në Zvicër është një tjetër histori. Ata janë favoritë dhe ne do të luajmë për të mos dalë pa pikë. Një pikë do të na kënaqte”, është shprehur Cana.
Kapiteni kuqezi i bëri një skaner edhe grupit ku bën pjesë Shqipëria. Sipas tij, çdo gjë është e hapur përsa u përket ekipeve që mund të kualifikohen. “Jemi në një grup më të ekuilibruar se në të kaluarën. Luajmë ndaj ekipeve, të cilat kanë thuajse një nivel me ne, ndërkohë që nga vazo 1 dhe 2 kemi kapur kundërshtarët më të mirë të mundshëm. Sigurisht, disa nga skuadrat që kemi në grup duhet ta pranojmë, janë më lart se ne në kualitet dhe rezultate. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Kombëtarja jonë nuk është ambicioze për të arritur më të mirën”, deklaroi 28-vjeçari. I pyetur për gjendjen e skuadrës dhe lojtarët e rinj që janë grumbulluar për ndeshjen me Qipron, ai dha këtë përgjigje: “Në testin që zhvilluam me të rinjtë e Teutës provuam disa gjëra në aspektin taktik dhe kjo na vlejti, pavarësisht kundërshtarit modest që kishim përballë. Ndryshe është kur stërvitesh dhe ndryshe është kur ke një kundërshtar për t’u testuar. Unë kam bindjen se nesër (sot) do të jemi në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike. Për lojtarët e rinj që vijnë në ekipin kombëtar, gjëja më e rëndësishme është që të ambientohen me grupin. Ata duhet ta ndiejnë veten mirë brenda ekipit, dhe kjo ka më shumë rëndësi për një lojtar që vjen nga jashtë dhe nuk është rritur në Shqipëri. Besoj se Meha e Kukeli do të na ndihmojnë shumë. Gjithsesi, këtë do ta tregojë koha. Personalisht mundohem t’i ndihmoj për çdo gjë”. Në fund, Cana bëri edhe një krahasim: “Kombëtarja e ka pasur grupin më të fortë 10 vite më parë, kur unë kam qenë në hapat e mi të parë me fanellën kuqezezë”.

Bogdani premton gol: Më jepni vetëm një asist
“Shpresoj të marr sa më shumë topa. Nëse ndodh kështu, do të shënoj”. Ky është premtimi i sulmuesit kryesor të Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani. Golashënuesi më i mirë kuqezi parashikon një ndeshje të vështirë ndaj Qipros. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai vlerësoi kundërshtarin duke theksuar se këtë herë Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë. “E ndiej që jam ende i rënduar nga këmbët. Nisur edhe nga shtatlartësia që kam, gjithnjë kam hasur vështirësi pas fazave përgatitore. Kjo periudhë ka qenë shumë e ngarkuar për mua me stërvitje, por megjithatë motivimi është i madh. Kjo ndeshje është një histori tjetër dhe nuk ka asnjë lidhje me miqësoren që luajtëm pak vite më parë. Të dyja skuadrat kanë pësuar ndryshime. Por meraku im më i madh mbetet furnizimi me topa. Shpresoj që të arrijmë të bëjmë një lojë të mirë në grup dhe të zhbllokojmë sa më shpejt rezultatin”.

© Panorama.al

Te lidhura